Analiza

Pesë fantazmat e Britanisë së Madhe

John Lloyd

Pesw fantazmat e Britanisw sw MadheMakthi i Mbretërisë së Bashkuar, dhe i Kryeministrit Cameron është ky.

Hapi i parë: ata britanikë që kanë votuar për konservatorët, të bindur se kryeministri do të arrinte t’u shkëpuste lëshime udhëheqësve të tjerë të Bashkimit Europian, mbërrijnë në konkluzionin që nuk është në gjendje dhe vendosin të votojnë UKIP-in.

Hapi i dytë: më euroskeptikët mes parlamentarëve dhe këshilltarëve lënë Partinë Konservatore dhe kalojnë në oborrin e Farage.

Hapi i tretë: skocezët, që në 18 shtator do të votojnë në referendum nëse e duan apo jo pavarësinë, janë të alarmuar prej lëvizjes antieuropeiste në Angli dhe votojnë pro pavarësisë, edhe sepse duan të qëndrojnë në Bashkimin Europian.

Hapi i katërt: Cameroni e afron datën e referendumit për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian, për të ndalur largimin e të tijve drejt UKIP-it, dhe njerëzit votojnë për të braktisur Brukselin.

Hapi i pestë: Mbretëria e Bashkuar nuk është më “e bashkuar” (që nga momenti kur unioni është ai mes Anglisë dhe Skocisë, lindur në 1707), gjendet e zvogëluar për nga dimensionet dhe rëndësia dhe jashtë BE-së.

Eshtë një skenar që me siguri e lë pa gjumë David Cameronin. Mbetet pak i mundshëm, por është më pak jorealist se më parë. Ende mbetet më i mundshëm ky skenari tjetër. Cameroni, që ka fituar popullaritet prej kundërshtimit të fortë që i bëri Jean-Claude Junckerit, arrin të mbajë të bashkuar partinë e tij. Liderët e tjerë europianë, me në krye Angela Merkelin, bëjnë të mundur që Britania të marrë një prej dikastereve me shumë peshë, për shembull atë të tregut të brendshëm. Junckeri rezulton më shumë pragmatist se sa federalist dhe merr masa për t’u kthyer kompetenca parlamenteve të shteteve anëtarë (në fund të fundit ajo që dëshirojnë shumë liderë).

Skocezët, të shqetësuar për pasojat në punësim dhe për rrezikun e të mbeturit pa një monedhë, nëse Skocia do fitonte pavarësinë, votojnë për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Cameroni arrin ta paraqesë humbjen e tij të javës që kaloi si një fitore të pjesshme, dhe angazhohet për të ruajtur trysninë e lartë ndaj BE-së. Ed Miliband, lideri i partisë laburiste, nuk arrin dot të fitojë mbështetje. Konservatorët fitojnë zgjedhjet e vitit 2015 dhe arrijnë të qeverisin të vetëm, pa patur nevojë për koalicion. UKIP fiton shumë pak vende në Westminster.

Cameroni organizon një referendum për BE-në, pak kohë pas zgjedhjeve: britanikët, të bindur se BE dhe Juncker nuk paraqesin një rrezik real, votojnë për të qëndruar.

Ky skenar duket se nuk merr parasysh atë që në mjetet e informimit në Europën kontinentale është quajtur poshtërimi i Cameronit. Por është një lexim i gabuar i situatës.

Shumica e britanikëve duan të qëndrojnë në BE, me kusht që të mos përpiqet të shndërrohet në një shtet, me kompetencat dhe fuqitë e një shteti. Eshtë ky pozicioni i Cameronit, dhe asnjë udhëheqës tjetër partie nuk ka arritur ta artikulojë në mënyrë aq efikase sa ai. Ja përse në terma kohëgjatë do të jetë ai që do të fitojë, ose të paktën nuk do të humbasë.

Leave a Reply

Back to top button