Analiza

Pesë vite nga Euromaidani, Ukraina është ende në udhëkryq

Nga Sofia Svensson

Pesë vjet më parë në Kiev shpërthyen protestat masive – të shkaktuara nga vendimi i qeverisë ukrainase, për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Asociimit me Bashkimin Evropian. Sot, Ukraina po përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në marsin e 2019-ës, dhe pavarësisht nga reformat që janë kryer, shumë ukraians janë të zhgënjyer me drejtimin në të cilin po shkon vendi.

Ndërsa gjithnjë e më shumë turma u tubuan në mbarë vendin, lëvizja u bë e njohur si protesta e Euromaidanit, ose si “Revolucioni i Dinjitetit”. Së shpejti, protestuesit arritën në mbi 100 mijë persona, të cilët u përballën me dhunën brutale të policisë. Mbrëmjen e 30 nëntorit 2013 në orën 4 të mëngjesit, të armatosur me shkopinj, granata dhe gaz lotsjellës, njësitë speciale policore (BERKUT), sulmuan dhe dëbuan me forcë nga sheshi të gjithë protestuesit.

Shumë prej tyre u plagosën. Të nesërmen, më shumë se 500 mijë njerëz u mblodhën në shesh, teksa protestuesit ndryshuan ngadalë fokusin e tyre, nga marrëveshja e asocimit me BE, tek korrupsioni dhe shtypja nga ana e regjimit të Viktor Janukoviç. Protestat vazhduan gjatë gjithë dhjetorit dhe janarit, dhe po kështu ndodhi edhe me ndërhyrjet brutale të Janukoviç.

Kjo çoi në përplasje të mëtejshme, dhe natën midis 21-22 janarit, u vranë 3 protestues. Kjo ishte hera e parë që përplasjet sollën pasoja fatale, por ishte vetëm fillimi. Marshimi në parlament më 18 shkurt, përfundoi me 23 të vdekur. Dy ditë më vonë, në atë që u bë dita më e përgjakshme e revolucionit, snajperët vranë 54 protestues.

Dy ditë pas kësaj, më 22 shkurt, Janukoviç u arratis për në Rusi. Deri në atë moment, ishin vrarë rreth 130 protestues dhe 18 oficerë policie. Në shumë aspekte, protestat e Euromaidanit, qenë një përpjekje për të qëndruar në rrjedhën që kishte prodhuar Revolucionin Portokalli në vitin 2004. Një nga arritjet më të mëdha të Revolucionit Portokalli, ishte fillimi i negociatave me BE-në në vitin 2008, që çoi në Marrëveshjen e Asocimit, prej së cilës Janukoviçi u tërhoq.

Si në vitin 2004, ashtu edhe më 2013-ën, njerëzit po bënin thirrje për demokraci, për hapje ndaj Evropës dhe transparencë. Të dyja lëvizjet protestuan kundër Janukoviçit:në vitin 2004, pasi ishte përpjekur të bëhej president përmes zgjedhjeve të manipuluara, dhe në vitin 2013 për largimin nga marrëveshja me BE.

Që të dyja ndodhën gjatë muajve të dimrit, dhe patën një mbështetje mbresëlënëse nga qytetarët.

Menjëherë pasi largimit të Janukoviç, BERKUT u shpërbë. Dhe kjo ishte një arritje e rëndësishme. Zgjedhjet e reja presidenciale, u planifikuan të mbahen në majin e vitit 2014, dhe u fituan nga Petro Poroshenko. Ato u konsideruan gjerësisht si zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shoqëria civile, ka lulëzuar dhe është bërë më e fortë pas Euromaidanit.

Olena Prokopenko, shefe e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paketën Reanimuese të Reformave – koalicioni më i madh në Ukrainë i shoqërisë civile, që bashkon 83 ojq dhe mbi 300 ekspertë – argumenton se revolucioni “shërbeu si një katalizator për konsolidimin e shoqërisë civile ukrainase”.

Vendi ka filluar ndërkohë ndërtimin e një infrastrukture efektive anti-korrupsion, me Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit që ka rolin kryesor. Por deri më tani, ajo ka pasur një sukses më të madh në kufizimin e mundësive për korrupsion, sesa në nxjerrjen para drejtësisë të drejtuesve të korruptuar.

Ndërkohë, Ukraina ka vënë në zbatim një nga sistemet më të avancuara të deklarimit elektronik në botë, për të monitoruar pasuritë e zyrtarëve publikë. Reforma e kujdesit shëndetësor, ka shkundur një nga sektorët më të korruptuar të vendit.

Instituti i Ukrainës për Kërkime Ekonomike dhe Konsulencë për Politikat, vlerëson se masat antikorrupsion të marra në sektorin e gazit, prokurimeve, reformat në sistemit bankar dhe atë fiskal, rikthyen deri në 6 miliardë dollarë në arkën e buxhetit të shtetit.

Ndryshimi më i madh për ukrainasit e zakonshëm, ka qenë udhëtimi pa viza në BE, si pjesë e Marrëveshjes së gjerë të Asocimit, e cila u nënshkrua pasi largimit të Janukoviç nga pushteti. Komponenti i tregtisë së lirë në atë marrëveshje, po jep gjithashtu rezultate, me eksportet e Ukrainës në BE, që janë rritur mbi nivelet e para Maidanit.

Megjithatë, korrupsioni është ende dominues, dhe lidhja e ngushtë e oligarkëve miliarderë pas politikës, mbetet për t’u prishur. Ekziston gjithashtu nevoja për privatizimin e kompanive joefikase shtetërore. Në një sondazh të fundit, ukrainasit thanë se po hasin më shpesh në kërkesa për rryshfet, se sa në vitin 2015.

Megjithatë në qershor, Ukraina më në fund miratoi një ligj për ngritjen e Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit, që u jep një rol vendimtar ekspertëve ndërkombëtarë, siç kërkohet nga FMN-ja dhe shoqëria civile. Por që nga viti 2017, ka pasur një ngadalësim gradual të reformave, dhe ky vit ka pare gati një stopim të tyre.

Forcat kryesore politike, kanë kërkuar thellimin e përparimit kundër reformave të ndërmarra që nga viti 2014, ndërsa Presidenti Poroshenko vazhdon procesin e konsolidimit të ndikimit dhe forcimit të pushtetit së tij, duke e lënë shoqërinë ukrainase të përballet me nivele të reja pasigurie dhe populizmi politik.

Ndërsa ekonomia ka nevojë për reforma, ukrainasit e kuptojnë se lufta në lindje të vendit mbetet çështja më e rëndësishme, dhe që është vetë e lidhur ngushtë me prosperitetin e vendit. Pas protestave të Euromaidanit më 27 shkurt, në Krime u shfaqën “burrat e vegjël” me uniforma ushtarake.

Nëntëmbëdhjetë ditë më vonë, Vladimir Putin zyrtarisht aneksoi Krimenë, dhe disa javë më vonë, shpërtheu një luftë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, që mbetet ende sot aktive. Konflikti, që ka vrarë më shumë se 10.000 njerëz, dhe ka helmuar marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë, nuk ka gjasa të përfundojë shpejt.

Rreth 50 për qind e rajonit të Donbasit, është pushtuar nga grupet separatiste pro-ruse ose aleatët e tyre, me qytetet kryesore të Donjeckut dhe Luhanskut, që mbeten jashtë kontrollit të qeverisë ukrainase. Rajoni është tani një nga 5 zonat më të rrezikshme në botë, dhe ekspertët thonë se “çdo vit konflikti, do të kërkojë 10 vjet kohë për pastrimin e minave”.

Sa më gjatë të vazhdojë shkëputja, aq më i vështirë do të bëhet riintegrimi. Edhe nëse tërhiqen trupat ruse, hapat bazë për pajtimin politik, siç është hartimi i listave zgjedhore për zgjedhje të besueshme, do të jenë të vështira. Mbi 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kalimi i linjës së kontaktit, ilustron distancimin:ata që lënë territorin e kontrolluar nga qeveria ukrainase, i kanë pasaportat e tyre të vulosura sikur po largohen jashtë vendit; vizitorët në territorin e kontrolluar nga separatistët lëshojnë “viza migrimi”, kopje të një dokumenti të shpërndarë në Rusi.

Por ka ende shpresë. Neil Barkli, shkruan në Financial Times se “qeveria në Kiev mund të pretendojë në mënyrë të justifikueshme, se ka bërë më shumë përparim me reformën strukturore në vetëm 4 vitet e fundit, sesa çdo administratë që kur vendi fitoi pavarësinë në vitin 1991.

Ekonomia po rritet ngadalë. Ajo u rrit me 3.5 për qind në gjysmën e parë të vitit 2018, krahasuar me 2.5 për qind në vitin 2017.

Investimet e huaja – ndonëse ende nën nivelin e nevojave të Ukrainës – po fillojnë të vijnë. Ukraina e ka pëmirësuar renditjen në klasifikimin e Bankës Botërore përsa i përket klimës së bërjes biznes nga 137-ta në vitin 2013, në të 76-ën në vitin 2018.

Ajo që kryeson në sondazhe në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale është Julia Timoshenko, një figurë e diskutueshme, e cila kur ishte kryeministre ndërmjet viteve 2007-2010 u dënua për përvetësim të fondeve shtetërore, edhe pse kjo akuzë u cilësua nga shumë qeveri perëndimore si e motivuar politikisht.

Mbështetja e saj gati është dyfishuar nga ajo e konkurrentëve më të afërt të saj, por ajo vështirë se mund të përshkruhet si popullore. Rreth 74 për qind e të anketuarve “nuk i besojnë” asaj, vetëm pak më mirë se sa mosbesimi ndaj Poroshenkos, që luhatet në rreth 80 për qind.

Dhe pavarësisht progresit që është bërë që nga Euromaidani, 78 përqind e ukrainasve besojnë se vendi po lëviz në drejtimin e gabuar. Lufta në Donbas është ende në vazhdim, korrupsioni mbetet ende endemik, dhe shumë njerëz nuk shohin një të ardhme më të ndritur për veten apo familjet e tyre. Ukrainasit po bëhen gjithnjë e më shumë të zhgënjyer, dhe cilido që do të jetë presidenti i ardhshëm, nuk do të ketë një detyrë të lehtë përpara.

“CapX” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button