Analiza

Pikëpyetja ekzistenciale përballë BE-së

Preparations for EU Summit in BrusselsThomas Wright

Dy mijë vjet më parë, fjalët civis romanus sum (Unë jam qytetar romak) ishin si një hajmali për të larguar të keqen, e tillë ishte mbrojtja e perandorisë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht se ku mund të udhëtonin këta. Në shekulli 19, Lord Palmerston, sekretari i Jashtëm i Britanisë përdori precedentin romak për të premtuar se të gjithë nënshtetasit britanikë “duhet të kenë besim se syri vigjilent dhe krahu i fortë i Anglisë do i mbrojë nga padrejtësitë dhe keqbërja”.
Sot, më shumë se një javë pasi 210 qytetarë të BE gjetën vdekjen në një sulm ndaj një avioni pasagjerësh, diplomatët e BE-së debatojnë për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, e cila mbron separatistët ukrainas, që besohet gjerësisht se kanë qenë përgjegjësit e sulmit dhe që RUsia besohet gjithashtu se i ka furnizuar me armët e përdorura. Precedenti romak duhet të jetë sërish në mendjen e diplomatëve europianë.
Në ditët pas rrëzimit të MH17, rebelët ukrainas nuk arritën të mbrojnë vendin e ngjarjes, lejuan grabitjen e sendeve të viktimave dhe kërcënuan vëzhguesit e OSCE. “Në shkelje të të gjithë rregullave të hetimit, njerëzit kanë marrë sende personale dhe identifikuese të viktimave”, deklaroi Mark Rutte, Kryeministri holandez. “Kjo është e tmerrshme”.
Mendoni pak situatën, nëse viktimat do të kishin qenë amerikanë. Pamjet e përdhosjes së vendit ku dergjeshin viktimat do ta kishin vendosur Shtëpinë e Bardhë nën një presion shumë të madh. Do ishin menduar seriozisht sulmet ajrorë kundër separatistëve dhe pozicioneve të tyre në Ukrainë. Forcat e armatosura ukrainase me siguri do të kishin marrë asistencë ushtarake “vdekjeprurëse”. Minimumi, separatistëve do u ishte dhënë një ultimatum që t’ia lëshonin kontrollin e vendngjarjes forcave të SHBA ose NATO-s, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së hetimit. Sanksione shumë të fortë do të ishin miratuar me një mbështetje të madhe nga të dy palët. Autoritetet do të kishin këmbëngulur për dorëzimin e përgjegjësve. SHBA do i kishte ndjekur këta deri në fund të botës.
Mund të debatohet për saktësinë e këtyre hamendësimeve. Megjithatë, është përtej çdo diskutimi që SHBA do të kishte reaguar me zemërim, nga Florida, në Alaskë. Holandezët, që vuajtën një humbje të papërballueshme, janë sigurisht të zemëruar – ashtu si edhe britanikët, të cilët kishin 10 persona mes të vdekurve. Por në vende të tjerë, njerëzit ishin të distancuar. Nuk pati një thirrje të brendshme dhimbjeje në Romë, Paris apo Madrid. Nuk kishte ndjesi që njerëzit ishin sulmuar edhe atje. Jashtë Holandës, askush nuk marshoi në shenjë solidariteti me qytetarët e BE që gjetën vdekjen. Në Bruksel, flamujt nuk u ulën në gjysmë shtizë.
Në debatin për sanksionet që pasoi ngjarjen, Presidenti François Hollande tha se nuk duhej pritur që Franca të kthente mbrapsht 1.1 miliardë eurot që mori për shitjen e anijeve luftarake Mistral tek Rusia. Nuk ka dyshim që do të ndryshonte puna nëse 210 viktimat do të ishin francezë.
Mund të ishte menduar që revanshizmi i Rusisë së Putinit do i bashkonte më shumë kombet europianë. Deri tani, i ka bërë që të rendin kush e kush të “mbulojë kryet e tij”. Qeveritë janë përpjekur të mbrojnë interesat e tyre ekonomikë, duke ruajtur lidhjet e vendeve të tyre me Rusinë, në vend që të qëndrojnë krah për krah me aleatët e tyre. Privatisht, zyrtarët vënë hapur në dyshim nëse kombet europiano-perëndimorë do të vinin në zbatim angazhimin e tyre, bazuar në Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për të mbrojtur shtetet balltike nëse Rusia do të niste një operacion atje, si ai që çoi në aneksimin e Krimesë në fillim të këtij viti.
Kjo është kohë e rrezikshme që Europa të sinjalizojë se është e paaftë dhe jo e gatshme të mbrojë veten. Mund të ketë akte të tjera agresioni nga Rusia – për të mos përmendur mësimet që mund të nxjerrin aktorë të tjerë.
Diskutimet në Bruksel janë një shans për të ndryshuar kurs. Ashpërsimi i sanksioneve është një fillim. Megjithatë, udhëheqësit europianë duhet t’u shpjegojnë votuesve përse sulmi ndaj një avioni pasagjerësh është sulm ndaj gjithë Europës. Ata duhet të jenë të vendosur për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë – përfshirë liderët separatistë, nëse trupat e tyre do të jenë përgjegjëse. Dhe përderisa sanksionet mund të mos mjaftojnë për të frenuar Putinin, ata duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar qeverinë ukrainase që ta pengojë atë në arritjen e objektivave territorialë.
Europa duhet të emërojë një përfaqësues të lartë për politikën e jashtme me peshë, që të jetë në lartësinë e sfidës që paraqet një Rusi revanshiste. Carl Bildt, ministri i jashtëm suedez, do të ishte një kandidat i shkëlqyer. Ashtu si edhe Radek Si korski, homologu i tij polak, apo Toomas Ilves, presidenti estonez.
BE ndodhet përpara një pyetjeje ekzistenciale. A ka një çmim që duhet paguar për 210 jetë të humbura? A do të kenë fjalët “Ich bin ein Europäer” të njëjtën jehonë në toka të huaja, siç kishin fjalët “civis romanus sum” në Perandorinë e Romës? Apo është secili komb për vete? Tani BE nis të japë përgjigjen e saj. Duhet të jetë me plot gojën. /FT/
Autori është studiues në Institutin Brookings
BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button