Ky tempull në Cholula e bën të duket si xhuxhe Piramidën e Gizës, e megjithatë kaloi pa u vënë re nga pushtuesit spanjollë. Përse?
Ata erdhën me mijëra. Të egërsuar nga muaj të tërë luftë me vendasit, pothuaj të vdekur nga uria, dhe sëmundjet ekzotike, Hernan Cortezi dhe ushtria e tij spanjolle marshuan në qytetin e madh të Cholulas, ku prisnin një luftë. Por ky ishte një qytet i shenjtë. Në vend të investimit në armë, banorët kishin ndërtuar tempuj; u tha se ata kishin një piramidë të shenjtë për çdo ditë të vitit. Pas një bujarie të tillë, perënditë e tyre me siguri që do t’i mbronin.
Ky ishte një gabim i rëndë. Teksa ushtria sulmoi rrugët, thesaret fetare u plaçkitën dhe piramidat e çmuara u dogjën. Brenda tri orësh, ata kishin vrarë 3,000 vetë. 12 tetori 1519 ishte një gjakderdhje në një shkallë të paparë, duke lënë të vdekur 10% të popullsisë së qytetit. Përfundimisht spanjollët u vendosën në Cholula (sot pjesë e Meksikës), duke ngritur aq shumë ndërtesa të tyret, saqë qyteti është i njohur tashmë, për faktin që ka një kishë për çdo ditë të vitit. Prekja e fundit – një simbol i pushtimit të krishterë – është Iglesia de Nuestra Señora de los Remediosa, e ndërtuar mbi atë, që ata mendonin se ishte një kodër e madhe.
Por jo çdo gjë është ashtu siç duket. Nën kishëzën e vogël, fshehur nën tufa e barit, pemët dhe dheut, është një piramidë e lashtë me përmasa me të vërtetë gjigande. 450 metra e gjerë dhe 66 metra e gjatë, nga një skaj në tjetrin, Piramida e Madhe e Cholulas është e barabartë me nëntë pishina olimpike.
Për një tempull të panjohur që askush nuk e ka dëgjuar, Cholula mban një koleksion të mahnitshëm të dhënash: është piramida më e madhe në planet, me një bazë katër herë më të madhe se Piramida e Madhe e Gizës, dhe pothuajse dyfishi i vëllimit. Madje, ajo është monumenti më i madh i ndërtuar ndonjëherë kudo mbi tokë, nga çdo qytetërim, deri sot. Për vendasit është e njohur si Tlachihualtepetl (“mali i bërë nga njeriu”). Në sajë të kishës në majë, është edhe ndërtesa më e vjetër vazhdimisht e banuar në kontinent.
Historia thotë se deri kur vendasit filluan ndërtimin e një azili për të çmendur në vitin 1910, askush nuk e dinte se ishte një piramidë. Sigurisht, në kohën kur erdhën Cortezi dhe njerëzit e tij, ajo tashmë ishte një mijë vjecare, dhe e fshehur krejtësisht, për shkak të bimësisë.
Gërmimet e hershme zbuluan një seri zbulimesh të tmerrshme, duke përfshirë edhe kafka të deformuara të fëmijëve.
Nga erdhi? Dhe pse mbeti e fshehur për kaq kohë?
Pavarësisht nga madhësia e saj, shumë pak dihet për historinë e hershme të piramides. Është menduar se ndërtimi filloi në vitin 300 para Krishtit,; nga kush saktësisht, ky mbetet një mister. Sipas legjendës, atë e ka ndërtuar një gjigant. Me shumë gjasa, banorët e qytetit – i njohur si Choluteca – ishin një përzierje kozmopolite. “Duket se ka qenë multietnik, me një numër të madh imigrantësh”, thotë David Carballo, një arkeolog në Universitetin e Bostonit, Massachusetts.
Kushdo që të kenë qenë, ata ndoshta kishin shumë para. Cholula ka një pozicion të volitshëm, në zonat malore meksikane dhe ishte një post i rëndësishëm tregtar për mijëra vjet, duke lidhur mbretëritë Tolteca-Chichimeca në veri me Majat në jug.
Cortezi e quajti atë “qyteti më i bukur jashtë Spanjës”. Në kohën kur arriti ai, ky ishte qyteti i dytë më i madh në perandorinë e Aztekëve, edhe pse kishte shkëmbyer tashmë duar, disa herë.
Dhe këtu ka edhe më shumë surpriza. Në fakt kjo nuk është aspak një piramidë, por më shumë një kukull ruse gjigande, e përbërë nga jo më pak se gjashtë konstruksione, njëri mbi tjetrin. Ajo u ngrit në disa faza, dhe qytetërimet e njëpasnjëshme e përmirësuan mbi atë që ishte ngritur tashmë.
“Ata bënë një përpjekje të vetëdijshme për të ruajtur dhe në disa raste shfaqur episodet e mëparshme të ndërtimit. Kjo është gjë shumë e mirë, dhe tregon përpjekjet e qëllimshme për të lidhur me të kaluarën”, thotë Carballo.
Sipas legjendës, kur dëgjuan që po vinin konkuistadorët, vendasit e mbuluan tempullin e çmuar me dhe. Në fakt, kjo gjë mund të ketë ndodhur rastësisht. Kjo për shkak se, piramida më e madhe në botë është bërë me baltë.
Tullat janë bërë nga përzierja e baltës me materiale të tjera, të tilla si rërë apo kashtë, dhe janë pjekur në diellin e fortë. Për të bërë piramidën, tullat e jashtme janë zbutur me më shumë dhe, për të krijuar një sipërfaqe pikturimi. Në fillimet e tij, tempulli ishte mbuluar me insekte të kuqe, të zeza dhe të verdha.
Në klimat e thata, tullat e baltës janë jashtëzakonisht të qëndrueshme – qëndrojnë me mijëra vite. Në Meksikën e lagësht, krijimi i baltës ishte një platformë pjellore për xhunglën tropikale. “Ajo u braktis diku rreth shekullit 7 ose 8. Choluteca kishte një piramidë-tempull më të ri aty pranë, që spanjollët e shkatërruan”, thotë Carballo. Piramida gjithashtu kishte topografinë në favor të saj; ajo mbështetet në një platformë të natyrshme në një zonë e cila është pothuajse tërësisht malore.
Sot qyteti ka bonifikuar piramidën, e cila mund të eksplorohet përmes më shumë se pesë milje tunele, të ndërtuara në fillim të shekullit të 20-të. Gati 500 vjet pas pushtimit kolonial, qyteti duhet të luftojë me një pushtim të ri: turistët. /www.bota.al (Burimi: BBC)