ShkenceTeknologji

Piratët e trurit

Aftësia jonë përqëndruese është përkeqësuar në 20 vitet e fundit për faj të aplikacioneve dhe të uebsajteve të konceptuara për të tërhequr vëmendjen tonë. Dikush po studion mënyra për t’u mbrojtur prej tyre

Ka qenë i komplikuar shkrimi i këtij artikulli. Jo vetëm pse përmban zbulime të pabesueshme, por sepse kam qenë vazhdimisht e çorientuar. Prej chat-eve në Facebook që ndriçojnë. Nga celulari që njofton një mesazh të ri. Në Twitter ishte një video që duhej patjetër ta shikoja. Dhe ndërkohë çfarë po ndodhte në Instagram? Edhe ti që sapo ke nisur të lexosh këtë paragraf e ndjen që tashmë po të luhatet përqëndrimi: jemi të gjithë viktima të piratëve të vëmendjes.

Kërkimi im nis me një takim me 15 vjeçaren Emma në një bar të Parisit. Në tavolinë, afër me një Coca-Cola Light, celulari im ndriçon si një pemë Krishtlindjeje. Vazhdon që ta ndërpresë teksa po e intervistoj pikërisht lidhur me këtë argument. Ajo që përzihet në bisedën tonë është sidomos fantazma e vogël e verdhebardhë e Snapchat. “Shiko, këto janë streak”, më shpjegon Emma me një pamje të bezdisur. “Nëqoftëse humbet streak, humbet miqtë”. Këto emoji mundësojnë marrëdhëniet me të tjerët, një gjë që adoleshentët e adhurojnë: zemër e praruar për miqtë më të mirë, zemër e kuqe për miqtë më të mirë për dy javë radhazi, dopio zemër e kuqe për dy muaj radhazi e kështu me radhë.

Përkrah zemrave është simboli i zjarrit, që shfaqet kur Emma dhe mikja e saj Anna shkëmbejnë të paktën një snap të përditshëm. Përkrah është një numërues që tregon numrin e ditëve të kaluara në shkëmbimin e mesazheve. “Anna dhe unë jemi shumë shoqe, kështu që e ushqej zjarrin. Janë 150 ditët që i shkruajmë njëra tjetrës përditë!”, esklamon vajza. Të humbasë ikonën dhe pikaverazhin as nuk bëhet fjalë: Anna do të zemërohej shumë dhe nuk bëhet shaka me shoqërinë. “Nëqoftëse nuk i shkruaj për 24 orë shfaqet një klesidër afër emrit të saj për të më kujtuar që t’ia bëj”, shpjegon Emma. Në liceun e tyre, streak-et janë bërë një lloj barometri i integrimit social. “Njoh në djalë tek e II-ta B që nuk ka as edhe një. E kupton apo jo?”, komenton Emma. T’i ndjekësh të gjithë është një impenjim i konsiderueshëm: “Çdo mëngjes kaloj të paktën 10 minuta duke ushqyer flakën”, shpjegon vajza.

Emma dhe Anna janë pjesë e së ashtuquajturës gjenerata peshku i kuq? Janë adoleshente të hutuara e të çorientuara, të paafta që ta përqëndrojnë vëmendjen e tyre ndaj një bisede, një leksioni apo një libri? Janë të droguara prej atyre ekraneve që i kontrollojnë çdo çerek ore për të parë nëse ju ka ardhur ndonjë lajmërim, burim i një drithërime kanqësie sociale? “Gjëja më e keqe është se nuk bëjnë as biseda. Nganjëherë fëmijët dërgojnë foto të murit apo të tavanit vetëm për të mos humbur pikaverazhin”, ankohet Tristan Harris, flokë të kuq dhe buzëqeshje mikluese. “Mund të mendojmë: “Ah, adoleshentët e sotëm e përdorin Snapchat ashtu si ne bisedonim për orë të tëra me telefon”. Por në atë kohë nuk kishte 200 inxhinierë në punë prapa ekraneve, për të studiuar psikologjinë e më të rinjve dhe të bëjnë gjithçka që t’i bëjnë të varur nga aplikacioni”.

Harris është një ish dizajner i Google. I diplomuar në Stanford University dhe i specializuar në “ndërveprimin midis qenies njerëzore dhe kompjuteri”, ka nisur të denoncojë nëpër TED Conference dhe emisione televizive ata që ai i quan “piratë të vëmendjes”. Sipas Harris, duhet përmbysur barra e provës: po sikur faji të mos ishte i adoleshentëve të hutuar, por i kompanive si Apple, Facebook e Google, që bëjnë gjithçka për ta vjedhur kohën e lirë nga truri ynë? “Për më të rinjtë është e vështirë të bëjnë logjikat e Snapchat dhe t’i kundërshtojnë. Nga pikëpamja e kompanive, ka plotësisht kuptim: është sikur një kompani elektrike të bënte gjithçka që t’i shtynte klientët e saj t’i linin të ndezura të gjitha dritat e mundshme. Nuk mund t’u kërkohet këtyre kompanive që të dalin kundër interesave të tyre, edhe pse fitojnë para duke manipuluar trurin e fëmijëve”, thekson ish dizajneri.

Rezultati është se statistikat mbi nivelin e vëmendjes janë gjithnjë e më shumë shqetësuese. Gjatë 17 viteve të fundit kemi humbur 4 sekonda aftësi përqëndrimi: në 2000 ishim në gjendje që t’u kushtonim 12 sekonda vëmendjeje të vazhduar ndaj një detyre të caktuar. Sot, siç e zbulon një studim i realizuar nga Microsoft, mesatarja është 8 sekonda, më keq se një peshk i kuq, që është i aftë të përqëndrohet për 9 sekonda. Sipas një kërkimi tjetër, ndërpritemi rreth çdo 12 minuta, pasi marrim mesatarisht 40 mesazhe në ditë dhe jemi të paaftë – si 89% e francezëve – që ta shtyjmë leximin. Pas çdo pushtimi të hapësirës tonë mendore, na duhen 23 minuta të ripërqëndrohemi lidhur me atë që po bënim, siç e demonstrojnë kërkimet e Gloria Mark, hulmutuese e University of California Irvine.

Shkruarja e këtij artikulli është mjaft cfilitëse. Kështu që bëj një pauzë të shkurtër për të kontrolluar Facebook: hap aplikacionin dhe më kënaqësi shoh se kam dy lajmërime. Dikush që mendon për mua? Në të vërtetë, jo: mesazhi i parë është i rrjetit social, që më kritikon se nuk “po postoj asgjë prej 7 javësh”. I dyti vjen nga një kontakt disi i panjohur që, në kundërshtim nga unë, i është bindur Mark Zuckerberg dhe ka botuar diçka. Kufizohem duke bërë scroll, atë lëvizje të gishtit që më mundëson të lexoj pastime të vjetra që shfaqen në faq. Gjysmë ore më vonë, nuk jam shkëputur akoma: po shikoj një video hipnotizuese mbi përgatitjen e ëmbëlsirave më çokollatë, që është hapur vetë falë opsionit diabolik “autoplay”. “Scroll, autoplay dhe lajmërimet e shtirura janë të gjithë mjete të krijuara nga Facebook për të të mbajtur sa më gjatë dhe të të bëjnë të varur”, shpjegon Ramsay Brown, pamje prej hipster-i kalifornian, mjekërr e dendur, por e mirëmbajtur, dhe kapele me ngjyra prej skater-i. Brown është një inxhinier amerikan që studion varësinë nga aplikacionet.

Por le të kthehemi në punë. Stéphane Xiberras është Drejtor Kreativ i BETC-së, një agjenci publicitare që ka 900 punonjës, klientë të shquar dhe ka marrë shumë çmime për fushatat e tij. Por Xiberras nuk ka shumë shpresa: “Tradicionalisht kemi qenë gjithmonë ne, ata të publicitetit, kampionët e botës e vëmendjes. Dijmë të llogarisim probabilitetin me të cilën një shtëpijake do të blejë një produkt që ka parë në një revistë vetëm nga niveli i zgjerimit trë bebeve të tyre të syrit. Por sot ndjehemi krejtësisht të tejkaluar. Në ekranin e një celulari të gjitha informacionet kanë të njëjtën rëndësi: lajmi i një atentati, mesazhet e një shoqeje, një foto në Instagram. Tashmë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve duhen strategji më të rafinuara”.

Gjithçka duket se çon në të njëjtin drejtim: vëmendja është transformuar në një resurs natyror të çmuar, baraz me ujin apo me naftën. Një resurs i ndotur që rrallohet dhe, për pasojë, fiton vlerë. Kohën e trurit Emma duhet ta meritojë. Ideja e “ekonomisë së vëmendjes” është shfaqur rreth vitit 1995 me zhvillimin e internetit, por ka qenë gjithmonë në qendër të luftës së kapitalizmit. “Në fundin e ‘800 duhej kontrolluar vëmendja e punëtorit për ta bërë që të ishte sa më produktiv, më pas të krijonte dëshirën për kohën e tij të lirë, për ta shtyrë që të blinte mallrat që kishte prodhuar”, shpjegon Yves Citton, Profesore e Letërsisë Franceze në Universitetin e Grenoble dhe autore e “Pour une écologie de l’attention” (Seuil 2014). “Për momentin, vëmendja është një resurs që merret në konsideratë vetëm në shkallë individuale. Kur qëndrojnë të ngjitura pas celularit, Emma dhe Anna fajësohen, por nuk ngrihet kurrë problemi në nivel kolektiv. Ideja e ekologjisë shërben pikërisht për të kujtuar se edhe vëmendja është parasëgjithash një çështje mjedisore: Anna dhe Emma gjenden përballë objektesh që tërheqin vëmendjen e tyre për të gjeneruar fitime, për t’i bërë të varur nga aplikacioni”.

Në çfarë mënyre? Shumë persona kanë nisur të pyesin. “Shtetet duhet t’i detyrojnë kompanitë teknologjike që të merren me ekologjinë e vëmendjes duke miratuar ligje, njëlloj siç kanë bërë me Protokollin e Kiotos apo me Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimaterike”, pohon Harris. Sipas tij duhet klasifikuar kërkesa e një uebsajti apo e një aplikacioni, ashtu siç klasifikohet impakti mjedisor i automobilave apo i frigoriferëve. Harris Lufton edhe për portabilitetin e rrjeteve sociale, domethënë për mundësinë e daljes nga Facebook apo nga Instagrami pa i humbur domosdoshmërisht të gjitha kontaktet dhe të migrohet drejt një ndërfaqjeje më respektuese ndaj përqëndrimit.

Të tjerë zhvillojnë instrumenta të dobishëm për përdorues të veçantë. Më 2016 Ramsay Brown dhe kolegët e tij kanë krijuar aplikacionin Space, një ikonë e vogël për të mbrojtur vëmendjen, që të detyron të bësh një pushim të mirë përpara se të lidhesh në rrjetet sociale. Një pushim të mirë për WhatsApp, dy për Instagramin, pasi këtu është në lojë imazhi yt. Në pranverën e 2017 Broën dhe ekipi i tij kanë shkuar që t’ia propozojnë krijesën e tyre Apple, në mënyrë që t’i nxirrte në shitje në App store. Përgjigja e kompanisë së famshme ka qenë: “Çdo aplikacion i projektuar për të ndihmuar njerëzit që ta përdorin më pak celularin nuk mund të shitet në App store”. Pas lajmi ka nisur të përhapet në mjetet amerikane të informimit, Apple ka vendosur ta autorizojë që të doënload Space. Në Francë jam orvatur të intervistoj përfaqësuesit e Google dhe Facebook lidhur me këto tema. Çështja nuk e ka tërhequr vëmendjen e tyre.

(Lorraine de Foucher për Le Monde)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button