Analiza

Planet e fundit ambicioze të Osama Bin Ladenit

Screen Shot 2015-05-09 at 17.20.10

Nga David Ignatius

Disa muaj para vdekjes së tij në maj të vitit 2011, Osama Bin Laden po diskutonte ndërmarrjen e disa lëvizjeve të reja – nga një armëpushim me Pakistanin, tek aleancat oportuniste me grupet xhihadiste, pjellë e Pranverës Arabe – në mënyrë që të mund të përqëndrohej në krijimin e asaj që ai e quante “balanca e frikës” në raport armikun e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky imazh i heshtur, i një Bin Ladeni të çuditshëm, që drejton një “lojë të madhe” terroriste nga vendbanimi i tij i fshehtë në Abutabad të Pakistanit, del në dritë nga 8 dokumente të publikuara vetëm disa muaj më parë. Ato ishin deklasifikuar, për të forcuar padinë e qeverisë amerikane, kundër një pakistanezi me emrin Abid Naser, por duke marrë një vëmendje të dobët nga mediat. Naser u dënua në mars për rolin e tij në një komplot të dyshuar të Al-Kaedës, për shpërthimin e një bombe në metronë e Nju Yorkut. Por ato dokumente, meritojnë një vështrim më të afërt.

Screen Shot 2015-05-06 at 18.59.26Dokumentet e reja të Bin Ladenit, tregojnë se ky i fundit pa shanse të mira, që trazirat në vendet arabe, ofronin për Al-Kaedën dhe ishte duke lëvizur për t’i shfrytëzuar ato. Udhëheqja kryesore e Al-Kaedës, ishte tronditur jo pak nga sulmet dhe bombardimet e SHBA përmes dronëve të telekomanduar, por grupi kishte ende ambicje të mëdha, madje edhe në kohën kur zyrtarët amerikanë deklaronin se organizata ishte e rrënuar.

Bin Ladeni i këtyre dokumenteve, po ripërpunonte ide të mëdha strategjike, por edhe po menaxhonte vendime mbi personelin dhe taktikat e kundërspiunazhit. Në një pasazh, ai këshillon zëvendësin e tij, Atijah Abd al-Rahman, që t’i kushtojë më shumë vëmendje ndryshimeve klimatike që mund të ndikojnë në Somali, një vend kyç për rekrutimet e militantëve;ndërsa në letër tjetër, ai i propozon dërgimin e rekrutëve të Al-Kaedës në universitete, për të zotëruar teknologjitë e përparuara, nga të cilat mund të përfitonte grupi terrorist.

Bin Laden, flet me zërin aristokratik të një terroristi-intelektual, një version mysliman anarkist i shekullit të XIX, Mikail Bakunin. Në paragrafin e një mesazhi drejtuar Rahman, ai qëllimisht vë theksin tek përgatitja e “një operacioni të madh brenda Amerikës”. Në paragrafin pasues, ai pyet i gëzuar:”Nëse keni ndonjë vëlla që ka dije mbi poezinë, ju lutem na tregoni në lidhje me të”.

Bin Laden dhe ndjekësit e tij, besonin në fillim të vitit 2011, se bota ishte duke lëvizur në rrugën e tyre, pavarësisht nga ngacmimet e sulmeve të telekomanduara nga amerikanët. Rahman shpjegoi: “Ne jemi duke ndjekur revolucionet arabe dhe ndryshimet që po ndodhin në këto vende”. Ai përmend Tunizinë, Egjiptin, Libinë, Jemenin dhe Sirinë, dhe thotë:”Në përgjithësi, ne mendojmë se këto ndryshime janë gjithëpërfshirëse, dhe me vullnetin e Zotit ka diçka të mirë në to”.

Rahman i kërkoi shefit të tij të dërgojë një mesazh publik në lidhje me “dështimin e këtyre tiranëve”, duke shprehur solidaritet me protestuesit. “Ju mund të mbështesni revolucionet kundër shtypjes, korrupsionit, kriminalitetit, dhe tiranit”.

Ai shpjegoi, se kishte dërguar operativë të Al-Kaidës në Libi, ku kishte “një rilindje aktive të xhihadit islamik”. Kjo prani xhihadiste, ndihmoi në organizimin e sulmit vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Bengazi vitin që do pasonte. Edhe pse bin Laden po tentonte të përfitonte nga turbullira arabe, ai po konsideronte mundësinë e disa armëpushimeve lokale me Pakistanin dhe mes fraksioneve konfliktuese me njëra-tjetrën në Afrikën e Veriut.

Rahman tha se operativët e tij ia kishin përcjellë këtë mesazh qeverisë pakistaneze, duke përfshirë kontaktet me ish shefin e inteligjencës Hamid Gul, dhe shkëmbimin e mesazheve me një zyrtar të lartë Taliban të quajtur Tajeb Aga (i cili më vonë do të takohet fshehurazi me Shtetet e Bashkuara). 

Rahman e përmbledh shkurtimisht ofertën për armëpushim ndaj Pakistanit:”Ju u bëtë pjesë e betejës, kur u hodhët në anën e amerikanëve. Nëse ju do të na lini rehat në punët tona, ne do t’iu lëmë të qetë”. Bin Laden u pajtua, duke vënë në dukje:”Ne duam të neutralizojmë këdo që mundim, gjatë luftës tonë me armikun tonë më të madh, Amerikën”.

Asokohe, Shtetet e Bashkuara kishin filluar megociatat sekrete të paqes me talebanët. Gul thuhet se ia vuri në dukje këtë, kontaktit të tij me Al-Kaedën:”Ne po bëjmë presion mbi ta [Amerikën] për të negociuar me Al-Kaedën. . . (Dhe) se negocimi me talebanët, ndarazi nga Al-Kaeda është diçka e kotë”.

Pjesa më interesante në këto dokumente, është pretendimi i Rahman se britanikët gjithashtu, ishin duke eksploruar mundësinë e arritjes së një paqeje të veçantë. Ai i tha Bin Ladenit, se sipas operativëve të Libisë në Britani, “inteligjenca britanike u tha atyre. . . se Anglia është gati të largohet nga Afganistani, nëse Al-Kaeda në mënyrë të hapur do të angazhohet për të mos lëvizur kundër Anglisë apo interesave të saj”.

Një zëdhënës i Ambasadës Britanike në Uashington, tha se “pretendimet janë plotësisht të pavërteta”. I ulur këmbëkryq në Abutabad, Bin Laden ishte fokusuar tërësisht në goditjen e Shteteve të Bashkuara “në zemrën e saj”. Ai vuri në dukje, se gjakderdhja e ngadaltë nuk po funksiononte:Vietnami kishte qenë shumë më i kushtueshëm për Amerikën, sesa Afganistani. Aleatët e Al-Kaidës, do të duhej të vrisnin 100 herë më shumë njerëz, që të barazonin numrin e vdekjeve në Vietnam.

Ajo çfarë ishte e nevojshme, tha ai disa javë para vdekjes, ishte një tjetër “operacion i madh brenda Amerikës, që do të ndikojë tek siguria dhe nervat e 300 milionë amerikanëve”. Al-Kaeda dhe degët e saj, nuk e kanë arritur ende këtë qëllim./“Washington Post”/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button