Histori

Plani angloamerikan për të ndalur influencën ruse te Hoxha

“Në kushtet kur nuk zbarkojmë me trupa, duhet të njohim sa më shpejt qeverinë e FNÇ”

hoxhaNë prag të marrjes zyrtarisht të pushtetit nga komunistët më 1944 dhe të parakalimit mbi kryeqytet, britanikët dhe amerikanët kanë hartuar një raport të përbashkët ku propozojnë një plan alternativ mbi Shqipërinë. Në datën 10 nëntor 1944, komanda e aleatëve në Itali përgatit një raport mbi situatën politike dhe ushtarake në Shqipëri dhe e nis 3 ditë më vonë, përkatësisht në Londër dhe Uashington. Pjesa më e madhe e oficerëve britanikë dhe amerikanë ishin larguar tashmë nga terreni shqiptar, dhe 12 kryesorët u morën në pyetje për të hartuar këtë dokument për ngjarjet e brendshme në Shqipëri. Krejt ndryshe nga sa veproi qeveria britanike dhe amerikane me qeverinë e Enver Hoxhës, të cilët nuk e njohën zyrtarisht, ky raport i ushtarakëve më të lartë të komandës në Itali, sugjeroi të kundërtën. Sipas këtij dokumenti mjaft interesant dhe me të dhëna konfidenciale mbi lëvizjet proruse të Enver Hoxhës, sugjerohej që qeveria e tij të njihej zyrtarisht sa më shpejt, që SHBA dhe Britania të jenë aktive në rindërtimin e Shqipërisë si dhe të mbajnë afër elementët probritanikë brenda lëvizjes komuniste, të tillë si Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, Nexhip Vinçani etj., të cilët jo domosdoshmërisht ishin antikomunistë, por ishin njerëz me ambicie që mund të përdoreshin kundër vetë lëvizjes. Ky sugjerim i komandës ushtarake “Force 399″ erdhi në një kohë kur u mor vendimi që në Shqipëri të mos mësyjnë trupa britanike, siç bënë në Greqi, çka ndikoi menjëherë që në pushtet të vijnë forcat progresiste. Krejt në të kundërt vepruan qeveritë e aleatëve, pasi ata vendosën të mos njohin zyrtarisht qeverinë e Enver Hoxhës ndonëse pranë tij patën përfaqësues dhe mision ushtarak deri në vitin 1946. Ky raport i hollësishëm jep edhe detaje mbi lëvizjet e rusëve brenda kampit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Shqipëri, si dhe jep këshilla konkrete si të veprohet në terren në mënyrë që Shqipëria të mos binte nën influencën sovjetike. “Ndërsa masa ideale për të kthyer ndjenjat e mira probritanike në Shqipëri do të ishte zbarkimi i trupave britanike, por tani kuptohet që kjo nuk do të ndodhë dhe pika ku mund të shpresohet më shumë është ndihma për ndërtimin e vendit dhe kjo të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të parandalojë kriticizmin e FNÇ-së”, arsyetohet në këtë dokument.
ERALD KAPRI /panorama.com.al/

RAPORTI I PLOTË/
TOP-SEKRET
Shtabi i Force 399 CMF REF : F/399/101/G/6
13 nëntor 1944
Subjekti: Situata aktuale në Shqipëri Bashkëngjitur është një vlerësim i përgatitur nga shtabi ynë në lidhje me situatën politike dhe ushtarake në Shqipëri deri më 10 nëntor 1994. Ky vlerësim është realizuar në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e disa faktorëve shqetësues, që janë bërë më të qarta në javët që kaluan. Bazohet në sinjalet e marra nga oficerë aleatë të ndërlidhjes në terren, si dhe rezultat i marrjes në pyetje në detaje të rreth 12 oficerëve britanikë të kthyer së fundmi nga terreni në Shqipëri. Vlerësohet se nëse fuqitë perëndimore e ruajnë influencën e tyre në këtë kohë, me aksion të shpejtë pozitiv, siç shpjegohet në këtë raport, atëherë duhet të ndërmerret pa asnjë vonesë.
Arsyet e tendencës aktuale antibritanike të FNÇ-së Ndonëse është e pamundur të citosh ndonjë incident specifik, intensifikimi i trendit antibritanik i politikës së FNÇ-së shfaqet me ardhjen e misionit rus që drejtohet nga majori Ivanov në shtabin e LNÇ në mes të shtatorit 1944. Ky mision rus, me aq sa kemi mundur të konstatojmë, ka lidhje direkte me radio me Moskën, me Barin, si dhe zyrat e misionit rus në Jaltë. Në javët e kaluara, majori Ivanov ka kaluar një kohë të konsiderueshme çdo ditë me Enver Hoxhën ku edhe pse ai nuk drejton politikën e grupit të tij, ai duket se në njëfarë pike influencon Hoxhën me direktivat e partisë së tij. Ndonëse nuk ka ndonjë provë definitive të penetrimit të propagandës ruse në Shqipëri, ka pasur një numër të madh indikacionesh që tregon se misioni rus nuk është vetëm për qëllime inteligjence. Pjesa kryesore e lajmeve të ditës që jep FNÇ-ja në komunikata janë pjesë të marra nga Radio Moska.
Në këtë moment ka zjarre të ndezura në aerodromin e Beratit dhe ka pasur ulje avionësh që kanë sjellë material për Ivanovin dhe janë përhapur thashetheme se aviacioni rus do të sjellë ushqime për civilët e uritur. Në muajin gusht delegacioni ushtarak i FNÇ-së na kërkoi një grand prej 150 mijë monedhash ari. Ata e përsëritën këtë kërkese edhe tek oficerë të tjerë aleatë, por deri tani nuk e kanë marrë këtë mbështetje financiare. Janë të fokusuar për të kërkuar fonde për të ngritur qeverinë e tyre, si dhe për të nisur programin e rindërtimit. Për momentin janë të pamundur ose pa vullnet për të nxjerrë para nga taksimi i përgjithshëm i atyre që nuk janë në pozitë për t’u taksuar dhe për më tepër, zyrtarët e qeverisë nuk janë aq të fortë sa të imponojnë një taksim të ndershëm. Këto kërkesa për ndihmë financiare nga Britania në një kohë që marrëdhëniet janë aspak miqësore, do të shfaqen më vonë shumë të rëndësishme. Ka raporte të pakonfirmuara, që qarkullojnë nga civilët, se Rusia ka qëllim t’i japë një shumë në advancë me flori FNÇ-së. Duke vlerësuar rëndësinë e influencës britanike në Greqi, si dhe pamundësinë tonë për të bërë çdo deklaratë që mund të rrezikojë marrëdhëniet, FNÇ është e alarmuar se operacioni ynë në Sarandë, që ata pa dyshim e morën si forcë politike për të vendosur kontroll në atë zonë. Ky aksion, i lidhur edhe me mungesën e ndonjë deklarate aktuale të palës greke që kërkon këtë territor, pa dyshim i ka bërë ata të mendojnë se ne kemi vendosur që e ardhmja e Shqipërisë së Jugut apo Epirit të Veriut të jetë nën Greqi. Mbajtja nga ana jonë deri vonë të një oficeri madhor pranë Abaz Kupit me të njëjtat grada që kishte edhe pranë FNÇ-së me siguri i ka bërë që të mendojnë se britanikët kërkojnë të vendosin krahun e djathtë në Shqipëri. Tërheqja e këtyre misioneve nga Veriu i Shqipërisë nuk e ndali aspak dyshimin e Frontit Nacionalçlirimtar për qëllimet e së ardhmes nga britanikët. INFLUENCA BRITANIKE
Ka pasur spekulime për një tradhti të mundshme brenda lëvizjes së Luftës Nacionalçlirimtare, nisur nga pamundësia që ka kjo parti për të kontrolluar Shqipërinë e pasluftës. Do të jetë e rrezikshme të mbivlerësohet kjo ndjenjë probritanike, e cila është e dukshme në disa liderë të rëndësishëm po qartësisht ka disa prej tyre që e vlerësojnë atë që bëri Britania dhe janë fondamentalisht kundër nga politika aktuale e FNÇ-së, por janë të pamundur për ta shprehur mendimin e tyre hapur. Partia është aktualisht e fortë, mjaftueshëm që të kontrollojnë çdo tradhti të mundshme dhe duket se mund ta mbajë këtë kontroll për disa muaj. Gjithsesi, është me rëndësi të konsiderohet potenciali i opozitës në lëvizjen e Frontin Nacionalçlirimtar dhe liderët e mundshëm. Ata janë: Myslym Peza: Zëvendëspresident i FNÇ-së. Ai është një figurë qendrore dhe mjaft i respektuar në të gjithë vendin. Është lënë në hije muajt e fundit dhe nuk i merret mendimi asnjëherë. Ai ka shprehur mendimet e tij kundër për partinë për oficerët tanë. Mehmet Shehu: Komandant i divizionit të parë. Një njeri i kotë me ambicie personale, i cili është mbajtur në hije nga partia për disa kohë. Ai është pa dyshim më i respektuari dhe figura ushtarake më e rëndësishme në lëvizje. Kohët e fundit është vendosur në varësi të Dali Ndreut, komandantit të korpusit të parë. Ai është komunist, por ambicia personale e tejkalon besnikërinë për partinë.
Haxhi Lleshi: Ka një influencë të konsiderueshme lokale në zonën e Dibrës dhe është mik me Mehmet Shehun. Ai është mbajtur shumë në hije.
Nexhip Vinçani: Një lider ushtarak probritanik, që është anashkaluar nga Lëvizja. Islam Radovicka: Komandant i divizionit të 3-të dhe ka influencë të konsiderueshme në Jug të vendit dhe është probritanik.
Ndonëse nuk ka pasur asnjë akt të liderëve të mësipërm për të shprehur mendimet e tyre të vërteta, është e qartë se ata janë kundër organizimit aktual të partisë dhe politikës së saj, por dhe partia është në dijeni të plotë të prirjeve të tyre. Ky antagonizëm shfaqet duke u rritur dhe me rritjen e përgjegjësive të partisë që po nis të përballet duke përfshirë edhe problemet dhe rindërtimin e pasluftës, partia mund ta ketë të pamundur të ketë të njëjtin kontroll që ka aktualisht. Këto vështirësi do të vijojnë me nevojën për të gjetur punësim pas lufte për ata ushtarakë që ndihmuan lëvizjen të vijë në pushtet. Në sipërfaqe, marrëdhëniet e misionit britanik me Shtabin e Frontit Nacionalçlirimtar janë të mira, duke u dhënë prioritet mbi të tjerë në Shtabin e Përgjithshëm. E njëjta mund të thuhet edhe për oficerët e atashuar pranë formacioneve partizane, por që në mënyrë konstante ka një dyshim. QËLLIMET E FNÇ-SË
Partia po luan një lojë të dyfishtë në mbajtjen e britanikëve dhe duke pranuar çdo gjë që ne u ofrojmë, ndërsa nga ana tjetër kultivojnë marrëdhënie me Rusinë dhe në të njëjtën kohë ndoshta po pranojnë drejtimin rus me objektivin për ta kthyer Shqipërinë në një shtet komunist. Është pothuaj e pamundur të thuash se çfarë premtimesh sekrete u kanë dhënë rusët nga misioni i tyre në lidhje me Shqipërinë. Fronti Nacionalçlirimtar i druhet influencës britanike, e cila pa dyshim që do të dobësojë fuqinë e partisë nisur nga kërkesa e tyre për të larguar trupat tona nga vendi i tyre, apo që të mos pranojnë mjekë britanikë, apo që çdo ndihmë aleate të kalojë vetëm nëpërmjet kanaleve të tyre. Për të ndjekur me çdo kusht politikën e tyre, Fronti Nacionalçlirimtar është gjithnjë gati të ndryshojë aleatët e në veçanti britanikët, duke i bërë përgjegjëse edhe për dëmet e popullsisë. Kur Korça plot me gjermanë u bombardua me kërkesë të tyre nga shtabi dhe me largimin e gjermanëve, partizanët lokalë akuzonin aleatët për dëmet në popullsi dhe pronat e tyre. Vlen të theksohet se një brigadë e partizanëve grekë të ANLA në vitin e fundit ka marrë stacionin e prodhimit të energjisë jashtë qytetit, i cili siguron energji për gjithë qytetin. Ata asnjëherë nuk e fikën atë. Ujësjellësi i Tiranës ra në duart e partizanëve dhe ata refuzuan të ndërpresin ujin për qytetin që ruhet nga gjermanët. Komandanti lokal i partizanëve kur u urdhërua të ndërpresë këtë shërbim jetik, tha se e kishte të pamundur dhe se civilët do të vuanin dhe se FNÇ-ja nuk mund të merrte këtë risk politik. Gjithsesi, ata nuk hezituan të kërkojnë që Tirana të bombardohet rëndë nga aviacioni aleat. PËRFUNDIME
Ndërsa masa ideale për të kthyer ndjenjat e mira probritanike në Shqipëri do të ishte zbarkimi i trupave britanike, por tani kuptohet që kjo nuk do të ndodhë dhe pika ku mund të shpresohet më shumë është ndihma për rindërtimin e vendit dhe kjo të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të parandalojë kriticizmin e FNÇ-së. Nga ana tjetër, misionet aleate duhet të instruktohen që të ndërmarrin çdo hap që të bindin liderët e FNÇ-së, se nisur nga pozicioni gjeografik i Shqipërisë, Rusia është e pamundur që të ketë një interes të sinqertë në Shqipëri në të ardhmen dhe se ata duhet të hedhin sytë nga fuqitë perëndimore e në veçanti nga Britania për të mbrojtur interesat shqiptare, si dhe të mbështesë me kapital dhe ndihmë teknike kaq të nevojshme për zhvillimin e vendit. Qeveria britanike duhet të jetë e përfshirë plotësisht për ndërtimin e Shqipërisë dhe është esenciale dhe që të ekzistojnë një autoritet i njohur për këtë çështje me të cilën të punohet. Ky autoritet do të jenë në mënyrë të pashmangshme nga FNÇja. Për më tej duhet të konsiderohet fakti që sa më shpejt të bëhet njohja zyrtare e qeverisë hije të FNÇ-së, me më shumë gjasa qeveria britanike do të rrisë influencën e saj mbi të, sepse njohja paraprake në rastin më të keq, do të bëhet nga ana e sovjetikëve. Në të njëjtën kohë, çdo përpjekje duhet bërë për të ndaluar eliminimin e elementëve probritanikë dhe të rritet përpjekja për të ndërtuar marrëdhënie të paimponuara./panorama/

Leave a Reply

Back to top button