Analiza

Plani kundër Evropës: Në fillim nafta, më pas terrori…

Ekstremistët islamikë kanë goditur Francën, përmes mavovrare ekonomike dhe akteve terroriste, duke rënduar më tej brishtësinë e Perëndimit

oil

Vala e terorizmit islamik që goditi së fundmi Francën, vendi i BE-së më i afërt me të ashtuquajturën Pranvera Arabe (ishte ushtria franceze që mposhti Gedafin, përmes mbështetjes së rebelëve), por edhe shtetit urëlidhës mes Veriut dhe Jugut të eurozonës bashkëshoqërohet nga situata e dobët ekonomike dhe mungesa e besimit në Evropë.
Franca, është ndër vendet që po vuan më shumë krizën. Mundohet jo pak për të qenë brenda parametrave të reduktimit të defiçitit buxhetor, që kërkohet nga Gjermania, pasi kështu rritet më tej papunësia dhe zvogëlohet edhe ajo rritje modeste ekonomike.
Por Guvernatori i Bankës Qëndrore Evropiane, Mario Dragi, është gati të vërë në zbatim planin për injektimin në ekonomitë e eurozonës të qindra miliardë eurove, përmes blerjes nga BQE të borxheve publikë të vendeve anëtare, për t’i mundësuar këtyre të fundit të rrisin kreditimin ndaj ekonomive kombëtare.
Kjo lëvizje mund t’i japë frymëmarje dhe optimizëm eurozonës. Gjithkush e kujton se sulmi mbi Kullat Binjake në New York nga ana e terroristëve arabë, gjeneroi një valë depresioni ekonomik më së pari në Shtetet e Bashkuara, dhe që më pas u përhap në mbarë botën.
Goditja e Francës në këto momente me akte terroriste, mund t’i shërbejë fondamentalistëve arabë, për të përkeqësuar më tej brishtësinë e politikës ekonomike në Evropën Perëndimore nën moton: godit një, për të “edukuar” njëqind të tjerë.
Krahas kësaj lufte, nga ana e botës arabo-islame kundër Evropës ka një tjetër betejë, që është ajo e naftës e që përfshin SHBA-në dhe BE-në në njërën anë, dhe Lindjen e Mesme dhe Rusinë në anën tjetër.
SHBA-të “përmbytën” Evropën me naftën, që nxirret me bollëk nga puset e reja dhe që tejkalon nevojat e brendshme. Kësaj i shtohet edhe sasia e gazi të ri të nxjerrë nga shkëmbinjtë ranorë. Për rrjedhojë, çmimet e naftës ranë poshtë 50 dollarëve për fuçi: një prag që mund t’i vijë shumë për mbarë konsumatorit europian. Por që nga ana tjetër, shkakton probleme të mëdha për kompanitë amerikane të naftës, të cilat kanë investuar burime të mëdha financiare, pjesërisht edhe përmes kredive, për çeljen e puseve të reja të naftës dhe gazit pikërisht në kohën kur çmimi ishte më shumë se 100 dollarë për fuçi.
Leverdia e sipërmarjeve të tilla pushon në fakt së ekzistuari, kur çmimet zbresin poshtë 55 dollarëve për fuçi. Poshtë këtij çmimi dysheme, shfaqen probleme të rënda të stabilitetit financiar, si për ata që kanë kryer investime, ashtu edhe për ata që kanë hyrë në borxhe, duke mos përjashtuar këtu as ndërmjetësit financiarë, që janë garantë të këtyre kredive.
Çmimi i ulët i naftës shkaktohet aktualisht jo vetëm nga bollëku i ofertave të reja nga SHBA-ja dhe që kanë “përmbytur” Evropën. Ai gjithashtu, varet nga kërkesa e dobët evropiane dhe zgjedhja e vendeve arabe për të mos reduktuar prodhimin e tyre të naftës, në mbështetje të një çmimi të lartë, sikurse dhe ka vepruar në të shkuarën OPEK-u.
Përkundrazi, arabët e mbajnë qëllimisht lart nivelin e prodhimit ditor, me synim mbajtjen e ulët të çmimit. Për ta, me leverdi është të nxjerrin naftë edhe për një çmim prej vetëm 30 dollarësh për fuçi, çmimi i janarit të vitit 2004 (që megjithatë e përthyer në fuqinë e sotme blerëse korrespondon me 40 dollarë).
Shpenzimet për kërkimin dhe aktivizimin e puseve të tyre dhe për logjistikën e transportit janë të shumta, pasi kjo e fundit në një masë të madhe është e amortizuar. Në rastin e puseve që ndodhen nën kontrollin e ekstremistëve islamikë, të ardhurat përdoren për luftë. Nëse ndodhin aksidente për shkak të konflikteve, si psh. në Libi, menjëherë këta luftëtarë nxitojnë të riparojnë dëmin për të rifilluar sa më shpejt biznesin.
Ai që tërheq fijet e terrorizmit gëzohet nga mendimi se e gjitha kjo kthehet kundër Shteteve të Bashkuara, që ishin të parët që shkaktuan uljen e çmimit. Anti-amerikanët mendojnë se eksporti aktual dhe i madh i naftës nga SHBA-ja nuk varet nga vendimet tregtare të prodhuesve, por nga një strategji e kapitalizmit amerikan, për të gjunjëzuar botën arabe. Për pasojë, ata reagojnë me një ofertë të ulët, ndërsa Evropës i rezervojnë aktet terroriste.
Në këtë mënyrë, fondamentalistët arabë zgjerojnë përplasjen e qytetërimeve dhe vënë në shënjestër armikun nr. 1 të tyre, SHBA, ku dhe gjallon hiperkapitalizmi. Por ata gjithashtu, kanë dëmtuar edhe veten e tyre. Por kjo për ata që bartin edhe fanatizimin e kamikazëve, nuk ka shumë rëndësi.
Në vend se të rrijmë dhe vështrojmë në mënyrë pasive, ne duhet të përpiqemi të kryejmë një përdorim sa më efektiv të kostos së ulët të naftës, për të rritur produktivitetin e ekonomive tona, duke shfrytëzuar këtë patila si dhe rritjen e likuiditetit në treg. Megjithatë, edhe në mesin tonë ka shpesh vetëlëndime. /Francesco Forte/il giornale/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button