Analiza

A po i humbet durimi Merkelit?

Kancelarja e Gjermanisë ashpërson tonet me presidentin rus, Vladimir Putin

Jenny Hill
BBC Neës, Berlin

merkeliKëtë javë, gjatë një fjalimi në Australi, Kancelarja Angela Merkel u duk se sugjeroi që durimit të saj me presidentin e Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainën lindore po i vinte fundi.  “Angela Merkeli ka qenë interlokutorja e domosdoshme e Putinit”, thotë Judy Dempsey e think tank-ut Carnegie EUrope.
Kancelarja e flet rrjedhshëm rusishten; udhëheqësi rus flet rrjedhshëm gjermanishten. Ata përshkruhen sikur kanë zhvilluar një respekt qejfprishur për njëri-tetrin.
Vendet e tyre kanë një marrëdhënie të ndërlikuar – një histori të trazuar dhe lidhje ekonomike. Katër mijë kompani gjermane bëjnë biznes në Rusi.
Të dielën në mbrëmje, televizioni gjerman transmetoi një intervistë ekskluzive me Putinin, në të cilën ai tha se sanksionet kundër vendit të tij po dëmtonin jo vetëm Ukrainën, por ata do i bënin dëm edhe ekonomisë gjermane.
Thuhet se dy udhëheqësit kanë folur pothuajse 40 herë në telefon, që kur nisi kriza e Ukrainës. Gjatë samitit të G20-ës në Brisbane, Asutrali, Merkeli kaloi orë të tëra në një bisedë private me Putinin.
“I papranueshëm”
Më pas, të hënën, ajo foli në një takim me një think tank në Sidnei.
Rusia po “shkel integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës”, tha ajo, dhe Europa do të vazhdojë të ushtrojë presion.
Ndërkohë që ajo kishte respektuar për një kohë të gjatë shqetësimet e Rusisë për faktin që Ukraina po afrohej me NATO-n, ajo argumentoi që “është thjeshtë e papranueshme që të pengohet një vend” të firmosë një marrëveshje tregtie me BE-në.
Judy Dempsey beson se udhëheqësja gjermane thjeshtë nuk i beson presidentit rus. “Merkeli nuk është gati që t’i japë Putinit shansin që ky të shpëtojë fytyrën, gjë e cila mund t’u pëlqejë disa diplomatëve dhe udhëheqësve europianë, për të hequr dosjen e Ukrainës nga tryezat e tyre”, thotë ajo.
Revista gjermane Der Spiegel bie dakord. “Kancelarja beson se ajo që Putini thotë dhe ajo që Putini bën kanë nisur të ndryshojnë prej kohësh”.
Fjalimi i kancelares në Australi është gjykuar brenda Gjermanisë si kritika më e hapur që i ka bërë Putinit deri sot. “Merkel hedh dorashkën”, shkruante tabloidi shumë popullor Bild. Ai e përshkruante fjalimin e saj si “goditje e fortë”. Dhe kështu ishte, po të kemi parasysh që flitet ëpr një udhëheqëse e cila është e njohur për retorikën e matur në publik.
A shënon kjo një pikë kthese në politikën e Gjermanisë? Sigurisht, duket se ka një ndryshim të perceptueshëm në tonin e saj, i cili deri kohët e fundit ka qenë pajtues. Gjermania ka refuzuar të mbështesë sanksionet e mëtejshëm kundër Rusisë, duke preferuar të fokusohet mbi situatën humanitare në Ukrainë si dhe kërkimin për një armëpushim të qëndrueshëm.
Ministri i Jashtëm, Steinmeier, e ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme këtë qasje dhe i ka thënë një gazete gjermane të dielën se është e kuptueshme që Putini dëshironte të qëndronte në të njëjtin pozicion me fuqitë e mëdha, ndonëse kjo nuk e justifikonte shkeljen e ligjit ndërkombëtar duke aneksuar Krimenë.
Por më pas, Steinmeieri udhëtoi në Moskë, vizita e tij e parë atje që nga koha e aneksimit në mars. Ndonëse ai dhe homologët e tij europianë nuk kishin shtuar sanksionet ndaj Rusisë 24 orë më herët, toni i tij ishte i pakompromis.
“Nuk ka arsye për optimizëm në situatën aktuale”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me Ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov. Europa, paralajmëroi ministri i jashtëm gjerman, është në udhëkryq. Ka një rrezik që vjen prej të mos folurit, në vend të dialogut, dhe konfrontimit, në vend të bashkëpunimit.
Në Moskë, presidenti Putin po përdorte gjuhën e fortë. SHBA, tha ai, dëshironte ta nënshtronte Rusinë. Askush nuk kish bërë kështu më parë, dhe askush nuk do të bënte.
Pak më shumë se një javë më parë, Angela Merkeli shihte fishekzjarret të shpërthenin mbi Portën e Brandenburgut, për të festuar 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.
Këtë javë, kancelarja, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore dhe e përjetoi nga afër komunizmin sovjetik, foli në Australi në lidhje me konfliktin në Ukrainën lindore. “Kush do ta kish menduar 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së Europës, dhe fundit të ndarjes së botës në dy blloqe, që dicka e tillë do të kishte ndodhur mu në zemër të Europës”. /BBC/
SHQIPERUAR NGA bota.al

Leave a Reply

Back to top button