Psikologji

Po kur dikush largohet nga ty? Gjej forcë të vetëpërmirësohesh dhe t’ia dalësh në jetë!

Marrëdhëniet që ne ndërtojmë me të tjerët, janë në dinamikë të vazhdueshme. Si çdo gjë tjetër që nuk qëndron statike, edhe lidhjet që ne vendosim me personat rreth nesh, ndryshojnë. Disa persona hyjnë në jetën tonë dhe disa të tjerë largohen. Arsyet mund të jenë të shumta dhe gjithsesi, pavarësisht se mund të shtiremi sikur i kuptojmë këto arsye, mbrëmjet na gjejnë duke menduar me veten se ku gabuam dhe se çfarë duhet të bëjmë për të rikthyer sërish marrëdhëniet që kishim me të tjerët.

Ne gabojmë shumë lidhur me këtë mënyrë të menaxhimit të situatave stresuese. Së pari, duhet të kuptojmë se nëse dikush largohet prej nesh, ne nuk duhet të rendim më drejtim të tij/saj, për aq kohë sa nuk kemi ne faj lidhur me krisjen që përsoi marrëdhënia jonë me atë person. Nëse dikush do të largohet, le të largohet. Portat e zemrës duhet t’i mbajmë të hapura për këdo që do të dalë nga jeta jonë.

Së dyti, ne gabojmë edhe që e vrasim mendjen. Në fund të gjithë kësaj, nuk fitojmë gjë. Pra, përfundimi i çdo shqetësimi, është thjesht dëmtimi i vetes sonë. Por ne vazhdojmë dhe e bëjmë të njëjtën gjë duke pretenduar se nëse vrasim mendjen, problemet tona do të zgjidhen. Ato do të qëndrojnë po aty, pavarësisht se sa e vrasim ne mendjen. Kjo është e keqja e secilit prej nesh. Mendja jonë tenton të na sjellë para syve mendime sa më negative, pasi lumturia zgjat më pak se trishtimi. Ky është rregull universal tashmë. Ne jemi më tepër të trishtuar, se sa të lumtur gjatë jetës sonë.

Duke pasur parasysh këto dy aspekte të të menduarit, atëherë është koha të kuptojmë edhe që nëse dikush largohet, nuk kemi pse mendojmë shumë për të. Meqë ashtu deshi të bënte, s’ka problem. Gjërat vazhdojnë. Ndërkohë që mund të ishim duke vrarë mendjen për të, mund ta shfrytëzojmë kohën për të përmirësuar veten tonë.

Dita-ditës ne duhet t’i vendosim vetes synime dhe të përpiqemi t’i realizojmë ato. Të shkuarën duhet ta lëmë pas. Personat që janë larguar nga ne, duhet të mos i kujtojmë shumë. Duhet të jemi mirënjohës për gjithë njerëzit e mrekullueshëm që kemi pranë dhe që na kanë ndihmuar të ecim përpara në jetën tonë. Kjo ka rëndësinë më të madhe. Të jemi mirënjohës për këdo dhe për gjithçka që ka vlerë për ne. Pjesa tjetër duhet shumëzuar me zero. Çdo shqetësim është i kotë, ndërkohë që kohën e shpenzuar me të, mund ta kalojmë duke arritur një nga synimet tona të shumta. / f.xh. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button