Analiza

Po përse nuk i dëgjuam europiano-lindorët?

RUSSIA-UKRAINE-POLITICS-UNRESTEdward Lucas

Europa lindore nuk është një shprehje gjeografike. Eshtë një koleksion telashesh. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo përfshinte kombet e zënë rob të perandorisë sovjetike. Disa prej tyre e kishin zët etiketën “lindorë” (Praga, kryeqyteti i Cekosllovakisë atëherë, ndodhet njëqind kilometra në perëndim të kryeqyteteve “perëndimorë” si Helsinki, Viena apo Athina).

Disa u ndien të braktisur, pasi Perëndimi pranoi dorëzimin e Europës Lindore në Jaltë dhe nuk bëri asgjë për t’iu kundërvënë pushtimeve të Hungarisë dhe Cekosllovakisë nga ana e sovjetikëve.

Kur ra Muri i Berlinit, telashet ndryshuan. Sa shpejtë do të integrohej “Europa e re” në “Europën e vjetër”? A do të hidhte rrënjë demokracia dhe a do të lulëzonte kapitalizmi? A do të mundeshin ndonjëherë vendet e ish bllokut sovjetik të arrinin gjysmën më fatlume të kontinentit?

Këta shqetësime se mos mbeteshin pas morën fund pas krizës financiare të vitit 2008. Së pari, sepse ishte e qartë se “ekonomitë e tranzicionit” në “lindje” e kishin përballuar mirë furtunën: Polonia, më e madhja prej tyre, ishte i vetmi vend në Bashkimin Europian që nuk përjetoi fare recesionin. Dhe së dyti, sepse u bë e qartë që problemet më të mëdhenj ishin gjetkë: në Irlandë, Spanjë, Portugali, Itali, Greqi dhe Qipro.

Por tani ka telashe të rinj – që variojnë nga shqetësimi, e deri tek frika e një brezi të ri braktisjeje nga Perëndimi, provokuar nga gllabërimi i Krimesë prej Rusisë, si dhe dobësia perëndimore që ai ekspozoi. Garancite e dikurshme të NATO-s dhe solidaritetit të BE, në sytë e vendeve që janë më shumë në rrezik po vihen në provë si kurrë më parë. Disa kanë filluar të mendojnë privatisht për marrëdhënie të reja rajonale për sigurinë, si dhe angazhime për të përballuar rrezikun rus. Bashkëpunimi ekzistues nordik për mbrojtjen, Nordefco po fiton peshë: ai përfshin Suedinë dhe Finlandën, që nuk janë anëtarë të NATO-s. Shtetet balltike dhe Polonia po e vezhgojne me kujdes, dhe ky bashkëpunim ka edhe mbështetjen e amerikanëve dhe britanikëve. Ndërsa Rusia e sheh me shumë mospëlqim. Një koment i kohëve të fundit i botuar nga RIA Novosti, një agjenci zyrtare lajmesh e Kremlinit, thoshte se lidhjet e NATO-s me Suedinë dhe Finlandën ishin pjesë e një “bllokade ushtarake perëndimore në të gjithë kufirin perëndimor të Rusisë”.

Marrëveshjet e reja rajonale janë të kundërshtuara brenda NATO-s, sepse nënkuptojnë një dështim të sistemit aktual. Turqia kundërshton me forcë çdo angazhim të NATO-s me vende jashtë aleancës, nga frika se mos krijon një precedent për një bashkëpunim të NATO-s me Izraelin. Kjo gjë ka frenuar eksperimente të tillë, si përpjekja për të përfshirë avionë suedezë dhe finlandezë për kontrollin e hapësirës ajrore të Islandës, një anëtar i NATO-s që nuk ka forca mbrojtëse. Cdo marrëveshje e re është mirë të shitet si komplementare me NATO-n – por në sfond, vendet e përfshirë duket se e kuptojnë që ndoshta do të duhet të jenë një shtesë, apo në rastin më të keq një zëvendësues.

Vendet e rajonit mes Detit Balltik dhe Detit të Zi nuk kanë qenë asnjëherë gjakftohtë në lidhje me Rusinë. Edhe gjatë kohës së Jelsinit në vitet 1990, kur Kremlini ishte partner dhe mik për SHBA dhe Europën, këta vende ishin të shqetësuar. Ata kishin frikë se mos Rusia përdorte gazin dhe naftën për të krijuar patronazh mbi ta dhe per te ushtruar presion. Ata i njihnin hiletë e holla dhe ndonjëherë jo kaq të holla të diplomacisë ruse. Ata vërenin se spiunët rusë ishin të shumtë, aktivë dhe shumë efektivë.

Vendet perëndimorë kishin prirjen që t’i mbronin dhe t’i injoronin lindorët. Rusia nuk ishte aspak si Bashkimi Sovjetik, ose kështu thuhej në Bruksel, Londër, Paris dhe Uashington. Ishte budallallëk të mendoje të kundërtën. Perëndimi mendonte se europiano-lindorët – sidomos estonezët, letonezët, lituanezët, polakët dhe çekët – ishin të traumatizuar nga përvoja e tyre historike, dhe kjo i bënte alarmantë. bota.al

Kjo gjë vazhdoi për pjesën më të madhe të epokës së Putinit. Mbrojtja territoriale e Europës nuk ishte thjeshtë një temë që nuk ekzistonte: ajo të shkatërronte karrierën. Urtësia tradicionale u kristalizua përreth idesë se Rusia nuk ishte dhe nuk do të bëhej kërcënim. Cdokush që mendonte ndryshe, sidomos në politikën e jashtme, sigurinë, shërbimet e fshehtë dhe botën ushtarake, bënte mirë të mos fliste. Edhe teksa Rusia bëhej vazhdimisht më autoritare dhe më armiqësore, Perëndimi e forcoi politikën që kishte ndjekur ndaj Rusisë. Edhe kur Vladimir Putini merrte një qëndrim më konfrontues, NATO dhe BE këmbëngulnin se çdo gjë ishte në rregull dhe përgjigja ndaj hungërimave të Rusisë ishte më shumë dialog dhe integrim, jo konfrontim dhe përmbajtje.

Politikëbërësit amerikanë nuk arritën të kuptojnë që instalimet e planifikuar i raketave mbrojtëse në Poloni dhe Republikën Ceke, ndonëse të vendosura kundër rrezikut iranian, ishin të një rëndësie jetike si simbol i vazhdimit të angazhimit të Amerikës në rajon. Kur administrata Obama i anuloi ata plane – dhe tamam në përvjetorin e pushtimit sovjetik të Polonisë në 1939 – me sa duket ajo nuk e kuptoi se “rifillimi” i marrëdhënieve me Rusinë duhej shoqëruar me një dozë të fortë garancish për aleatët europianë më besnikë.

Injorimi i europiano-lindorëve ishte gabim jo vetëm në një kuptim të ngushtë taktik (trajtimi i aleatëve ashpërsisht nuk i inkurajon ata që të derdhin gjak dhe para për ty në të ardhmen). Ishte gabim edhe sepse Amerika mund të kishte mësuar diçka prej tyre. Politikëbërësit perëndimorë po pranojnë tani me hezitim faktin që njerëzit që i njihnin më mirë rusët, pra ata europiano-lindorët alarmantë, paskan patur të drejtë gjithë kohën. Rusia ka fryrë shpenzimet ushtarakë – në terma realë, pothuajse i ka dyfishuar brenda dhjetë viteve. Ekonomia, pavarësisht korrupsionit dhe bazës së ngushtë të burimeve natyrorë, ka qenë elastike. Rusia ka blerë aleatë dhe influencë në Perëndim, dhe ka nxitur ndërvarësinë ekonomike, deri në atë pikë sa zbatimi i sanksioneve seriozë është shumë i vështirë. /Politico.com/

Edward Lucas është autor i “Lufta e re e Ftohtë” (2008)

bota.al

Leave a Reply

Back to top button