MagazineMAIN

Po të mos ishte mërzia… do të ishim ende njerëz primitivë

Sado që mund të na duket një gjendje shpirtërore dytësore, në fakt, është e vështirë të imagjinojmë një botë pa mërzi. Arsyeja është e thjeshtë: mërzia është e lidhur ngushtë me mënyrën si funksionon truri ynë, veçanërisht me atë që quhet “rrjeti i parazgjedhur”.

Kur nuk po mendojmë për ndonjë gjë të veçantë, nuk kemi një qëllim për të ndjekur apo një parashikim për të bërë, truri ynë nuk fiket – përkundrazi, mendja jonë fillon të endet. Aktivizohet pikërisht ky rrjet neuronesh i shpërndarë në të gjithë trurin.

Në fillim ky është një lloj çlirimi: të mos kesh një qëllim mund të jetë gjë e këndshme. Por nëse kjo gjendje e “mosbërjes” zgjat pak më shumë, shfaqet ajo – mërzia. Sipas teorive të shumë studiuesve, ndër të cilët edhe James Dankert i Universitetit të Waterloo-s (Kanada), funksioni i këtij emocioni të zakonshëm është të shërbejë si një rregullator i sjelljeve tona, duke na shtyrë drejt veprimit.

Gjithçka varet nga lloji i mërzisë: sipas psikologes evolucioniste Erin Westgate, mërzia që lind nga mungesa e stimujve na shtyn të bëjmë menjëherë diçka, ndërsa ajo që buron nga veprimtari monotone na nxit të kërkojmë më shumë larmi në atë që bëjmë.

Në thelb, bezdia që sjell mërzia na shtyn të lëvizim, të veprojmë, ose të paktën të qëndrojmë “të ndërlidhur” mendërisht. Madje edhe ata që e duan shumë çlodhjen, në fakt e mbushin me diçka: një libër për të lexuar, një seri televizive për të parë, një shëtitje në park…

Një eksperiment i famshëm, përsëritur më vonë në Universitetin e Maastricht-it (Holandë), tregoi madje se shumë njerëz preferonin t’i jepnin vetes një goditje të lehtë elektrike sesa të vazhdonin të shikonin një video jashtëzakonisht të mërzitshme. Megjithatë, sipas psikologjisë, për ta “mposhtur” vërtet mërzinë nuk mjafton të bësh diçka – duhet të jetë një veprim që ka kuptim për atë që e bën.

Si do të ishte një botë pa mërzi?

Ndoshta do të ktheheshim në jetën e paraardhësve tanë gjuetarë, të cilët nuk kishin kurrë kohë për të qëndruar me duar në xhepa, sepse jeta e tyre varej nga kërkimi i përhershëm për ushqim, ndërprerë vetëm nga periudha të shkurtra gjumi. Por edhe ata, ndoshta, e kanë njohur ndonjëherë ndjesinë e mërzisë, në ato ditë monotone të kaluara duke bredhur në savanë në kërkim të diçkaje për të mbledhur.

Nëse sot do të jetonim në një botë pa mërzi, ndoshta do të ishim “copëza të çmendura” gjithmonë në lëvizje, njerëz që punojnë nga dëshira e vet deri në 15 orë në ditë. Nxënësit në shkollë do të ishin gjithmonë të vëmendshëm (ndërkohë që sot, sipas psikologes amerikane Gayle Macklem, mërzia përbën 30 deri në 50% të kohës që kalojnë në klasë).

Por në një shoqëri të tillë hiperaktive nuk do të kishim më nevojë për filma, parqe zbavitjeje apo spektakle – pse do të duhej të “mbushnim kohën e lirë”, nëse koha e lirë nuk do të ekzistonte fare? Dhe, nëse do të ekzistonin prapë spektaklet, do të ishin gjithmonë të suksesshme, sepse askush nuk do t’i konsideronte më të mërzitshme. Një ëndërr për çdo artist!

… Ose ndoshta si zombi

Por mund të ndodhte edhe e kundërta. Nëse nuk do të ndienim kurrë mërzi, ndoshta do të ishim të pashpresë për nga dembelizmi: do të endeshim gjithë ditën si zombi, pa mendime në kokë dhe pa asnjë dëshirë për të bërë diçka, veçse për të mbushur barkun deri në ditën tjetër.

Ndoshta peshkimi me grep do të ishte sporti më popullor – ndoshta i vetmi – sepse të presësh që peshku të kafshojë është diçka që do t’u pëlqente të gjithëve. Por një shoqëri e bazuar në mosveprim nuk do të kishte zgjatur shumë; nuk do të kishte evoluar, sepse mërzia është burim i inovacionit.

Studimet tregojnë se mërzia nxit kreativitetin. Studentët që detyrohen të bëjnë detyra tepër monotone (si leximi i një liste telefonike) janë më krijues në zgjidhjen e problemeve matematikore, sesa ata që nuk janë mërzitur fare. Dhe mendo pak: shumë prej veprave të mëdha të historisë kanë lindur nga mërzia apo izolimi.

Isaac Newton-i zhvilloi ligjet e gravitetit dhe optikës gjatë mbylljes së Universitetit të Kembrixhit për shkak të murtajës (1665). Në të njëjtin vit, John Milton filloi të shkruante “Parajsa e Humbur”. Anton Çehovi shkroi disa nga tregimet e tij më të njohura gjatë vetëizolimit për shkak të epidemive të kolerës në Rusi, ashtu si Pushkini që përfundoi “Eugene Onegin” në karantinë. Frida Kahlo filloi të pikturonte teksa ishte e shtrirë në shtrat pas aksidentit të saj tragjik në vitin 1925. Pa mërzinë e tyre, ndoshta nuk do të kishim asnjë prej këtyre veprave.

Një efekt anësor pozitiv: më pak varësi

Një botë pa mërzi do të kishte ndoshta edhe një anë të mirë – zhdukjen e varësive. Studimet tregojnë se ata që kanë më shumë prirje për varësi (nga ushqimi, duhani, alkooli, lojërat apo drogat) janë ata që e përballojnë më pak mërzinë. Psikologu Marvin Zuckerman krijoi në vitet ’90 “shkallën e ndjeshmërisë ndaj mërzisë”, e cila mat intolerancën ndaj përsëritjes, rutinës, njerëzve parashikues dhe pritjes. Në krye të kësaj shkalle qëndrojnë ata që kërkojnë gjithmonë ndjesi të forta – “sensation seekers” – që shpesh kërkojnë rrezikun për të shmangur mërzinë.

Në një botë pa mërzi, pra, ndoshta do të zhdukeshin varësitë, por edhe sportet ekstreme, apo vrapimet me dema në Pamplonë. Sipas studimeve të Ofir Jakobi-t (Universiteti i Waterloo), njerëzit që mërziten lehtë nuk janë thjesht adhurues të rrezikut, por të pandjeshëm ndaj alternativave – ndaj, për të shmangur mërzinë, mund të zgjedhin edhe sjellje të rrezikshme, nëse nuk u ofrohet ndonjë alternativë më e sigurt. / Focus – Bota.al

Back to top button