Analiza

Politika e jashtme e Obamës nuk kalon as provën e vet

Karl Rove

oabama phone“Mos bëj budallallëqe”. Ky është përshkrimi i politikës së jashtme të Presidentit Obama, siç ofrohet nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe si u artikulua nga vetë Presidenti, gjatë një takimi off-the-record me shtypin, në bordin e Air Force One, rrugës për në Azi. Thuhet se Obama i nxiti gazetarët që t’ia përsërisin këtë gjë.

Një frazë e papërpunuar, e pakuptimtë nuk mund të zëvendësojë artin e të qeverisurit, dhe veprimet e administratës – ose shpesh herë, mosveprimet nuk arrijnë të kalojnë edhe provën që vetë i ka përcaktuar vetes. Ishte gjë jo e mençur (nuk do të përdor fjalën “budallallëk”) që në gusht të 2011-ës, Presidenti Obama të deklaronte se Assadi duhet të ikë – pa patur një plan që ta detyronte të ikte. Një vit më vonë në gusht, Obama deklaroi se Assadi do të shkelte një “vijë të kuqe” nëse do të përdorte armë kimike. Assadi bëri pikërisht këtë gjë, dhe Obama nuk ndërmori veprim të menjëhershëm. Sot, Assadi është më shumë në shkelje se sa ishte atëherë.

Ishte gjë jo e mençur, kur Obama refuzoi që të armatosë opozitën e moderuar siriane në vitin 2011. Tani që opozita është e dobët dhe e radikalizuar, ai ka lënë të kuptohet se po shqyrton mundësinë e armatimit të tyre.

Pastaj erdhi Revolucioni i Gjelbër iranian i 2009-2010-ës, gjatë të cilit Obama u ofroi një ndjesi rehatie mullahëve, dhe jo atyre që kërkonin lirinë. Ishte gjithashtu jo gjë e mençur që më vvonë të lehtësoheshin sanksionet ndaj Iranit, në këmbim të premtimeve të paqartë për të frenuar programin e vet bërthamor.

Nuk ishte gjë e mençur as përcaktimi i një date për t’i dhënë fund rolit luftues të trupave amerikane në Afganistan, gjë që u diktua prej kalendarit elektoral të Amerikës, dhe jo gjendjes në terren. Nuk ishte gjë e mençur as sabotimi nga Obama i planit të tij për një forcë në Irak që do të qëndronte edhe pas largimit të trupave amerikane, duke këmbëngulur që parlamenti iraken të miratonte marrëveshjen. Rezultati ka qenë rënia e ndikimit të SHBA dhe një rritje e influencës së Iranit. Tani al Kaeda po rritet: a do e merrte Mosulin dhe Tikritin po të kishim pasur një forcë të tillë amerikane atje?

Ishte gjë jo e mençur fyerja e Kryeministrit izraelit dhe besimi që trysnia ndaj Izraelit do të rriste shanset për një marrëveshje paqeje me palestinezët, të cilët ishin pengesa reale për një marëveshje.

Gjatë revolucionit egjiptian të vitit 2011, Obama ia doli të armiqësojë të gjithë palët – që nga Hosni Mubaraku e deri tek ata që e rrëzuan atë. Ai mbështeti një fushatë ushtarake për të rrëzuar Moammar Gadhafin dhe më pas u largua, duke lejuar zhytjen e Libisë në kaos.

Presidenti nuk bëri askënd përgjegjës në Departamentin e Shtetit, për dështimin në ofrimin e sigurisë së nevojshme për ndërtesën diplomatike të SHBA në Benghazi në vitin 2012. Dhe nuk ishte gjë e mençur që të fajësohej sulmi terrorist në një video të paqartë në internet që vështirë ta ketë parë ndokush.

Obama kërkoi një “rifillim” të marrëdhënies së Amerikës me Rusinë, pa një kuadër strategjik, duke besuar në mënyrë naive se, po t’i jepte Vladimir Putinit atë që ai donte, do ta bënte më miqësor. Nuk ishte lëvizja më e zgjuar. Nuk ishte gjë e mençur as anulimi në mënyrë të njëanshme i instalimit të raketave mbrojtëse në Republikën Ceke dhe Poloni në vitin 2009, duke shkaktuar ftohje me aleatët. SHBA nuk mori asgjë në këmbim nga Putini, ndërkohë që ky i fundit u bind më shumë se Obamën mund ta rrotullonte si të donte.

Kur Putini u vërtit nëpër Krime, Obama nuk u tregua i mençur kur refuzoi kërkesën e Ukrainës për armë – dhe ishte fyerje që i ofroi vendit të rrethuar vakte ushqimorë të gatshëm.

Shpallja e “fokusit” drejt Azisë pa ofruar shprehje të fuqisë amerikane që nevojiten zakonisht për ta bërë këtë fokus sa më real, ishte gjë jo e mençur. Po kështu ishte edhe fyerja ndaj Kanadasë, duke vonuar miratimin e gazsjellësit Keystone XL dhe duke neglizhuar hemisferën e vetë Amerikës, duke lejuar kundërshtarë si Castro dhe Chavez që të mbushnin vakuumin.

Ishte i debatueshëm veprimi për të shkëmbyer pesë komandantë të lartë të talebanëve me një ushtar amerikan, edhe pse vetë komisioni i presidentit kishte thënë që talebanët nuk duheshin liruar asnjëherë. Por nuk ishte gjë e mençur të përshëndetej ky shkëmbim në një ceremoni në Kopshtin e Trëndafilëve në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që kishte pikëpyetje serioze në lidhje me faktin që ushtari mund të kishte dezertuar.

Eshtë ironike që presidenti dhe njerëzit e tij nuk e kuptojnë që, fraza që ai zgjodhi për të përshkruar politikën e tij të jashtme është një aktakuzë kundër politikës së tij të jashtme. Siç ka thënë dikur filozofi i madh Forrest Gump: “Budalla është ai që bën si budalla”.

  • Rove, ish zëvendës shef kabineti i Presidentit George W. Bush ka ndihmuar në organizimin e komitetit të aksionit politik “Udhëkryqe amerikanë”.

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button