Analiza

Politika ruse ndaj Ballkanit: Çfarë perspektive?

Enza Roberta Petrillo

Kjo analizë synon që të shpjegojë natyrën e politikës së jashtme ruse ndaj Ballkanit, duke marrë parasysh rolin e Bashkimit Europian si një lojtar gjithnjë e më shumë i rëndësishëm në këtë kontekst gjeopolitik rrënjësisht të ndryshuar. E shtyrë nga rëndësia në rritje e Kinës dhe e Turqisë si lojtarë emergjentë në rajon dhe e përjashtuar nga projekti i një Europë të bashkuar, Moska përballet me rrezikun që, pas furtunës financiare të euroznës, Brukseli do të zhvillojë një strategji konsistente ndaj Ballkanit, duke e fuqizuar më tej peshën gjeopolitike të tij. Në funksion të këtij sfondi, artikulli i mëposhtëm i mëshon rolit në rritje të forcave shtytëse prapa politikës së jashtme ruse kundrejt rajonit: kapitalizimi i prioriteteve ekonomike dhe ekonomizimi i politikës së jashtme. Nëpërmjet analizës së lidhjes kapitalizim – ekonomizim, synojmë që të tregojmë sesi Rusia mund të përfitojë nga vështirësia e Bashkimit Europian për ta menaxhuar më mirë krizën ekonomike aktuale të saj

KremliniHyrje

Politika e jashtme e Federatës Ruse është ndërtuar mbi një konsensus që u shfaq nga kolapsi sovjetik dhe u kristalizua në vitet Nëntëdhjetë. Një vijë në rërë, siç u argumentua kohët e fundit nga Leon Aron, përtej së cilës Rusia nuk mund të tërhiqet pa e humbur ndjenjën e saj të krenarisë apo edhe identitetin kombëtar. Sipas Aron, tri imperativë gjeopolitikë e kanë modeluar aksionin e jashtëm rus: «që Rusia duhet të mbesë një superfuqi bërthamore, një fuqi e madhe në të gjitha aspektet e aktivitetit ndërkombëtar dhe hegjemoni – lideri politik, ushtarak dhe ekonomik – i rajonit të saj». Kjo duket jashtëzakonisht e vërtetë nëqoftëse njeriu shikon në Konceptin e Politikës së Jashtme të Federatës Ruse të paraqitur nga Presidenti Putin në shkurt të 2013. Sipas këtij dokumenti, «bota po përjeton një periudhë tranzicioni gjatë së cilës po formohet një sistem i ri ndërkombëtar policentrik, i cili hap mundësinë për sistemeve të reja ekonomike dhe financiare, rreshtime të reja në sigurinë kolektive dhe ndryshime në zhvillimet politike». Një skenar në të cilin, lexohet në të, «aftësia e Perëndimit për të dominuar ekonominë dhe politikën botërore vazhdon që të reduktohet». Në një kontekst të tillë, marrëdhëniet midis Bashkimit Europian, Ballkanit dhe Rusisë po ndryshojnë. Sot Europa është larg nga të qenit e perceptuar si guidë apo model, siç qe në fillimet e viteve 2000. Për Moskën, “zgjedhja evropiane”, tashmë e zëvendësuar në 2007 nga politika e vetëafirmimit mbrojtës të shprehur në Konferencën për Sigurinë Politike të Mynihut, mbetet vetëm një mundësi për t’u luajtur në mënyrë pragmatike herë pas here. Gjatë viteve të fundit është thënë shumë rreth influencës politike dhe ekonomike në rritje të Rusisë në Ballkan. Sigurisht, nëqoftëse ka një element që mund të tregohet si arsyeja themelore për këtë tendencë, ai është kriza e eurozonës që filloi në 2008. Vendet ballkanike janë ngushtësisht të lidhura ekonomikisht me Bashkimin Europian, kështu që çfarëdo që të ndodhë në sektorin ekonomik dhe financiar të tyre është jashtëzakonisht i lidhur me atë që po ndodh në bërthamën e Bashkimit Europian. Një analizë nga Economist Intelligence Unit nënvizon se ekonomitë në tranzicion e Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë pësuan më shumë nga reçisioni global në periudhën 2008 – 2009. «GDP-ja reale në Ballkan u tkurr me 5.2 përqind në 2009 dhe reçisioni zgjati deri në 2010, me GDP-në mesatare duke rënë me 0.4 përqind, për shkak se ekonomia më e madhe e rajonit, ajo e Rumanisë, përjetoi një rënie prodhimi. Tjetërkund, rikuperimi në 2010 qe i vakët dhe performanca e rajonit në 2011 qe modeste. Kjo nënkupton se prodhimi mesatar në rajon është akoma shumë poshtë niveleve të parakrizës». Ekonomitë ballkanike janë tejet të prekshme ndaj një reçisioni të ri në eurozonë për shkak se kriza në Bashkimin Europian, një partner tregtar kyç për vendet ballkanike, gjithashtu i ka goditur fuqishëm ekonomitë vendore nëpërmjet reduktimit të kërkesës për eksporte dhe reduktimit të Investimeve Direkte të Huaja. Me fjalë të tjera, «Bashkimi Europian po e eksporton tani krizës në periferinë e tij tashmë të trazuar dhe po në një farë mase po e minon politikën e tij në rajon».

Zona ballkanike midis kaosit të eurozonës dhe avancimit rus

Në paqartësinë e pasuar ng nga katastrofa financiare e eurozonës, supremacia e Bashkimit Europian në rajon është sfiduar haptazi nga Rusia, e cila është orvatur që ta paraqesë veten si një partnere ekonomike dhe politike premtuese dhe të besueshme për vendet ballkanike. Duke i dhënë prioritet sferës ekonomike, gjatë katër viteve të kaluara, Moska i ka inkurajuar kompanitë ruse që të sigurojnë asete biznesore në të gjithë Europën Juglindore, duke u përpjekur që ta konvertojë rajonin në një nyje strategjike dhe një pikë hyrjeje preferenciale në zonën ekonomike perëndimore. Interesat e Moskës në Ballkan nuk janë thjesht ekonomike, por edhe gjeopolitike. Me shtytjen e NATO-s drejt lindjes, zgjerimin e Bashkimit Europian dhe çështjen e pazgjidhur e konfliktit të Kosovës, pretendimet gjeopolitike brenda elitës politike ruse centralizohen. Duke shikuar nga Ballkani, kjo thelbësisht nënkupton rikthimin e një politike të jashtme të shtyrë nga një qasje kto kogo (kush fiton ndaj kujt) siç shpjegohet nga Bobo Lo në veprën e tij të madhe, “për çdo fitues duhet të ketë një humbës”. Ekuacionet me shumatore zero kanë qenë vendimtare në modelimin e qasjes së Moskës kundrejt Ballkanit, si një rajon kyç për projektimin e influencës ruse dhe një zone jashtëm ne të cilën interesave të Rusisë duhet t’u jepen përparësi. Në një kontekst si ku, dy strategji gjeopolitike kompetitive e kanë sfiduar njëra tjetrën në Ballkan: qasja multilaterale, e drejtuar nga Bashkimi Europian, që i ka ndjekur interesat e tij nëpërmjet instrumentesh multidimensionalë dhe shumëqëllimsh si sovraniteti i ndarë, bashkëpunimi fitues për të dyja palët dhe interesi reciprok; si dhe qasja multipolare, e implementuar nga Rusia, e cila ka vazhduar që t’i referohet Ballkanit si një arenë në të cilën përkushtimi i papërkulshëm u është dhënë retro-koncepteve të tilla si përplasja e interesave kombëtare apo theksimi i natyrës prej fuqie të madhe i politikës së Rusisë.

Seksioni i Konceptit të Politikës së Jashtme kushtuar marrëdhënieve me Ballkanin e demonstron tërësisht këtë perspektivë. Ai thekson: «Rusia synon që të zhvillojë bashkëpunim pragmatik dhe të barabartë gjithëpërfshirës me vendet e Europës Juglindor. Rajoni i Ballkanit është me një rëndësi strategjike të madhe për Rusinë, përfshi rolin e saj si nyja më e madhe e transportit dhe e infrastrukturës së përdorur për furnizimin me gaz dhe naftë të vendeve europiane». Ky është një shembull kyç se çfarë është mutipolariteti; një fushë ku fuqitë globale, rajonale dhe emergjente konkurrojnë strategjikisht dhe pragmatikisht për t’i zgjeruar sferat e tyre të influencës. Trenin e ka shpjeguar bindshëm se çfarë nënkupton kjo qasje për Rusinë: «Si vend i madh, Rusia duhet të jetë aktor i pavarur. Me përkufizim, ajo nuk mund të ketë miq apo sponsorë natyralë. Në vend të tyre, ajo ka partnerë, që gjithashtu janë konkurrentë. Virtualisht askush nuk mund të jetë partner dhe praktikisht askush nuk mund të jetë kundërshtar. Koeficienti bashkëpunim me konkurrim ndryshon, duke u varur nga një fushë interesi të veçantë, nga një moment të caktuar dhe nga një konstelacion më i gjerë marrëdhëniesh force».

Kundër këtij bekgraundi, kjo analizë nis që të shpjegojë natyrën e politikës së jashtme ruse kundrejt Ballkanit, duke mattë parasysh rolin e ndryshuar e Bashkimit Europian, i minuar nga kriza ekonomike në zhvillim dhe, për pasojë, jo shumë i përkushtuar që ta shpejtojë procesin e zgjerimit. E presuar nga rëndësia në rritje e Kinës dhe e Turqisë në veprimin si lojtarë emergjentë në rajon dhe e përjashtuar nga projekti i Europës së bashkuar, Moska do të pëlqente të shmangte rrezikun se Brukseli do ta përforconte politikën ekonomike dhe të jashtme të tij ndaj Ballkanit pas furtunës financiare, duke e përmirësuar kështu rrënjësisht peshën gjeopolitike të saj. Duke lëvizur nga ku skenar ne mund të kuptojmë rolin në rritje të forcave shtytëse pas politikës së jashtme ruse ndaj rajonit: kapitalizmin e prioriteteve ekonomike dhe ekonomizimin e politikës së jashtme. I teorizuar për herë të parë nga Ole Wæver, koncepti i kapitalizmit siguronte një perspektivë të ndryshme në qasjen e Rusisë kundrejt Ballkanit: nëpërmjet emërtimit të aksioneve ekonomike, të tilla si politika energjetike apo infrastrukturore, si një çështje sigurie, detyra ekonomike e Rusisë në rajon është konceptuar si një çështje gjeopolitike me prioritetin më të lartë. Njëkohësisht, theksi mbi ekonomizimin pasqyron interpretimin egocentrik e një politike të jashtme të përqëndruar mbi benefitet e bashkëpunimit ekonomik, ashtu si edhe mbi «simbolizmin detyrues e pjesëmarrjes në proceset dhe institucionet globale të dominuara nga Perëndimi». Të dy të nënshtruar ndaj gjeopolitikëve tradicionale të fuqisë, kapitalizmi i prioriteteve ekonomike dhe ekonomizimi i politikës së jashtme shërben për të mbrojtur dhe promovuar interesat ekonomike ruse në arenën evropiane (mbi të gjitha akses në tregun e eksporteve) me synim fitimin e instrumenteve politike mbi shtetet ballkanike.

 

Lidhja kapitalizmi – ekonomizim në praktikë: dëshmi nga terreni

Në të vërtetë, nëqoftëse ekziston një shembull paradigmatik të asaj se çfarë nënkupton në praktike lidhja kapitalizmi – ekonomizim, ai me siguri mund të shikohet ne projektin South Stream, tubacionin e drejtuar nga rusët të linçuar në dhjetorin e 2012 dhe të konceptuar për të lidhur vendburimet e gazit të Rusisë në tregjet e Ballkanit, Austrinë dhe Italinë, duke transportuar deri në 63 miliard metra kub gaz në vit. A është lufta aktuale e mbështetur mbi kontrollin e furnizimeve dhe të rrugëve energjetike, siç argumentohet nga Atlantic Council? Nëqoftëse po, është e parashikueshme që ky kompeticion do të fuqizohet kur South Stream të hyjë në funksionim. I financuar nga Gazpromi shtetëror rus, ENI italian, EdF-ja franceze dhe Wintershall-i gjerman, projekti planifikohet që të fillojë funksionimin në 2015. Nëpërmjet nisjes së ndërtimit të tij, Rusia do të dalë përpara konkurrentit të tij, Nabucco-s së mbështetur nga Bashkimi Europian, që është mësyrë nga një mungesë fondesh dhe një furnizimim i besueshëm gazi natyror. Sot Europa Perëndimore është bërë tregu i jashtëm më i madh për Gazprom, i cili furnizon dy të tretat e importeve të përgjithshme të gazit të Europës Perëndimore, zakonisht nën kontrata afatgjata. Në vitet 2006 dhe 2007, partnerë kyç europianë të Gazpromit, të tillë si ENI, Gaz de France dhe Wintershall, i rinovuan kontratat e tyre për deri në 25 vjet. Është vërejtur me të drejtë se «gazi jo vetëm që është siguruar “deri në kufi”, por drejtpërsëdrejti tek konsumatorët europianë. Kompanitë evropiane e tregtimit të gazit, të ngritura në vendet importuese nëpërmjet joint ventures me Gazpromin, shërbejnë si shitës. Nëpërmjet këtyre joint ventures, Gazpromi e ka përhapur me sukses gjatë më shumë se 10 viteve të fundit praninë e tij në tregun konsumator të gazit në Europë».

Në thelb, kontrolli i tubacioneve dhe i çmimeve të gazit nga ana e Rusisë i ka mundësuar Moskës që të veprojë si monopoliste dhe, siç nënvizohet me zgjuarsi, të imponojë idenë «ose pranoni çmimet tona, ose ngrini së ftohti». Në mënyrë të ngjashme, kjo strategji është aplikuar anembanë Ballkanit, ku Rusia synon që të sigurojë sferën e saj të influencës politike dhe ekonomike nëpërmjet ndërtimit të ndërvarësive midis vendeve në rajon me anë të sigurimit të marrëveshjeve bilaterale të tubacioneve. Si operator kryesor i South Stream, Gazpromi është orvatur gjithashtu që të sigurojë kontroll mbi rrjetet shpërndarëse të gazit, duke e transformuar influencën ekonomike në pushtet politik jetëgjatë mbi qeveritë vendore. Marrëveshje ndërqeveritare deri më tani janë nënshkruar me Kroacinë, Bullgarinë, Hungarinë, Serbinë, Greqinë, Slloveninë dhe Austrinë, ku do të kalojë tubacioni. Specifikisht, një e katërta e furnizimit të gazit do të blihet nga kompani energjetike në Serbi dhe Kroaci. Gazpromi planifikon që t’i përfshijë vendet ballkanike në projektin South Stream të tij përpara se ato të fitojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, një bombë me sahat potenciale për hegjemoninë energjetike e Gazpromit në Europë, po të kesh parasysh se Paketa e Tretë për Tregjet Elektrike dhe të Gazit, që hyri në fuqi në mars të 2011, e kufizon monopolin e Rusisë në territoret e Bashkimit Europian nëpërmjet shtrëngimit të këtyre vendeve që t’i shpërbëjnë kompanitë në sektorin e gazit dhe ta ndajnë prodhimin e furnizimin nga rrjetet e transmetimit.

Gjithsesi, avancimi gjeopolitik i Rusisë i raportuar vitet e fundit nuk përfshin vetëm investimet energjetike. Teksa është e vështirë të sigurohen të dhëna në destinacionet e investimeve direkte të huaja ruse, disa supozime mund të bëhen mbi bazën e investimeve të ndryshme ruse që janë bërë në shumë vende ballkanike. Sot investitorët më të mëdhenj rusë në rajon janë kompani të bazuara në resurset natyrore, me kompani të sektorit të naftës e gazit (të tilla si Gazprom, Lukoil, Itera, Yukos dhe Rosneft) që janë dominues, megjithëse ferritet dhe jo ferritet gjithashtu janë të përfaqësuara (shih për shembull RusAl, Norilsk Nickel, Severstal dhe Meche). Serbia është një rast shembullor i fuqive dhe i dobësive të kësaj tendence biznesore. Çfarë thonë shifrat zyrtare rreth nivelit real të penetrimit të investimeve direkte të huaja ruse në ekonominë e këtij vendi? Përtej të dhënës në rritje lidhur me investimet direkte të huaja ruse në sektorin energjetik serb, panorama e përgjithshme paraqet një kornizë ekonomike që është akoma në favor të investitorëve të Bashkimit Europian. Ndërsa është e vërtetë se investitorët rusë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm, shifrat nga Banka Kombëtare serbe raportojnë se në 2012 Rusia ishte vetëm vendi i 12-të më i rëndësishëm investues në Serbi, larg nga Italia, Austria apo Gjermania. Sërish, sa të rëndësishëm janë investitorët rusë tani dhe cili do të jetë impakti i tyre në të ardhmen? Përgjigja nuk është e thjeshtë dhe mund të shikohet nga perspektiva të ndryshme. Nëqoftëse njeriu shikon në origjinën kombëtare e kompanive të huaja që kanë investuar në Serbi dekadën e fundit, atëhere është e qartë se, ndërsa vendet e Bashkimit Europian dominojnë listën e investimeve, Rusia ruan lidershipin në sektorin e gazit. Risia e rëndësishme është pesha gjithnjë e në rritje e kohëve të fundit nga ana e Rusisë në sektorë tradicionalisht të dominuar nga investitorë të Bashkimit Europian.

Duke pasur parasysh sektorët specifikë që tërhoqën investimet më të mëdha në 2012, SIEPA – Agjencia Serbe e Promovimit të Eksportit dhe Investimeve – raporton investime direkte të huaja ruse në rritje gjithashtu edhe në sektorë të tillë si ai agro – ushqimor, financiar (shumica dërrmuese e bankave që operojnë në Serbi janë me pronësi të huaj), shitjeve, imobiliar dhe farmaceutik. Influenca ruse në vend gjithashtu po bëhet më e fortë si pasojë e huave për projekte infrastrukturore dhe ndihmë financiare. Sipas EIU-së, në vitin 2012, Rusia ra dakord që t’i huazojë Serbisë 800 milion dollarë për të ndërtuar një korsi në linjën Beograd – Pançevo. Po atë vit, Moska e furnizoi Serbinë me 300 milion dollarë për qëllime të përgjithshme buxhetore dhe i ka dhënë 700 milion dollarë të tjera në 2013.

Ekspansioni ekonomik rus në vend mund të shpjegohet në mënyra të ndryshme. Investimet direkte të huaja të Bashkimit Europian kanë rënë si pasojë e krizës ekonomike, duke lënë një farë hapësire për lojtarë të rinj ekonomike dhe Rusia e Serbia kanë nënshkruar një numër marrëveshjesh bilaterale që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Deri më sot, jashtë Komunitetit të Shteteve të Pavarura (CIS), Serbia është vendi i vetëm me një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Rusinë që deklaron se mallrat ruse e prodhuara në Serbi konsiderohen se janë me origjinë serbe dhe eksportohen të Rusi pa doganë. Mundësia e eksportimit të mallrave nga Serbia për në tregun rus pa paguar doganë është njohur tashmë nga shumëkombëshe kryesore ruse që i vendosën impiantet e tyre prodhuese në Serbi me qëllim që të eksportojnë në vendet e Unionit Doganor të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Megjithëse zemra e marrëdhënies ruso – serbe është ekonomike, faktorët politikë kontribuojnë gjithashtu për t’i forcuar marrëdhëniet bilaterale. EUI vëren se «Rusia kohët e fundit ka riafirmuar mbështetjen e saj për Serbinë lidhur me çështjen e Kosovës, duke përfshirë bërjen e dhurimeve simbolike për rindërtimin e kishave ortodokse serbe të dëmtuara në Kosovë». «Gjëja e vetme që dua më shumë sesa Rusia është Serbia», deklaroi Presidenti serb Nikoliç, ish lider i Partië Radikale ultranacionaliste, gjatë vizitës së tij të parë të jashtme në Rusi. Ka shumë arsye për ta besuar atë. Përfaqësues rusë dhe serbë shpesh flasin rreth vëllazërisë së tyre sllave dhe ortodokse. Ky është rast i Aleksandr Konuzin, ambasador i Rusisë në Beograd, i cili na dha një perceptim të marrëdhënies serbo – ruse në një intervistë për televizionin B92. «Serbët janë përfaqësues të ndritshëm të tribune sllave», tha ai, «të cilët do të donin ta shikonin të rihapej besimi i tyre në vetë fuqinë e tyre dhe të ruanin çdo centimetër të tokës së tyre serbe, e cila u ruajt dhe ju la si trashëgimi nga paardhësit e tyre».

Duke lënë mënjanë çështjen multidimensionale të pansllavizmit, është e arsyeshme të besohet që influenca ruse nuk do të kufizohej vetëm tek Serbia. Gjatë viteve të fundit Moska ka parë me interes nga Mali i Zi, një vend në të cilin penetrimi i investimeve të drejtpërdrejta të huaja është i konsiderueshëm, sidomos në sektorin nxjerrës, në industrinë e turizmit. Blerja e pasurive të patundshme është aq mbresëlënëse sa që opinioni publik dhe shtypi flasin për shitje për 5 lekë të tokës malazeze investitorëve rusë. Megjithatë, siç vërehet me të drejtë, «çështja është se cila është e vërteta prapa deklaratave, artikujve dhe thashethemeve rreth pushtimit rus në imobiliaret malazeze». Ndërsa është e vërteta se imobiliaret e lidhura me investimet direkte të huaja është një fenomen i frikshëm në këtë vend, përmasa reale e përhapjes së investimeve direkte të huaja ruse në ekonominë malazeze mbetet i vështirë për t’u vlerësuar për shkak të mungesës së të dhënave statistikore zyrtare dhe të besueshme, ashtu si dhe për shkak të faktit se një pjesë e madhe e investimeve ruse në vend bëhen nëpërmjet vendesh të treta, nëpërmjet kompanish lokale apo nëpërmjet pagesave me kesh. Bumi i imobiliareve mund të jetë një mbulesë për pastrimin e parave të pista në të ardhura të ligjshme, qysh kur Mali i Ziu në mënyrë unilaterale adoptoi euron në 2002. Bile Komisioni Europian ka paralajmëruar kohët e fundit se pastrimi i parave të pista mbetet një problem serioz i cili duhet të pengohet nëqoftëse vendi dëshiron të lëvizë drejt pozicionimit të plotë me të drejtën komunitare.

 

Konkluzione

Rastet ruse dhe malazeze tregojnë se ndërsa Rusia sigurisht që po përpiqet të fitojë rëndësi në ekonomitë vendore, segmenti i investimeve të përgjithshme të saj mbetet më i ulërt dhe shumë më pak i diversifikuar se ato të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Veç kësaj, është e paqartë nëse vizioni gjeoekonomik i Moskës do të përkthehet në marrëdhënie politike me vendet ballkanike, veçanërisht ato si Serbia dhe Mali i Zi, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ndërsa ashpërsia e krizës së eurozonës dhe ngadalësimi i zgjerimit të Bashkimit Europian kanë ngjallur pasiguri anembanë Ballkanit rreth besueshmërisë së projektit europian, Bashkimi Europian është akoma aktori ekonomik më i rëndësishëm në rajon. Përpjekja e Rusisë për të nxjerrë përfitime nga vështirësitë e Brukselit në menaxhimin e krizës aktuale të tij, deri më tani nuk është pasuar nga dëshmi e fortë hegjemonie ekonomike në rajon. Sigurisht që ky skenar do të përkeqësohej në anën gjeopolitike nëqoftëse Bashkimi Europian vazhdon që të pranojë gjendjen e papërcaktuar «prit të shohim apo ec me ngadalë në zgjerimin e mëtejshëm».

– Kështu, Bashkimi Europian do të duhet të jetë më proaktiv për të shmangur që Ballkani të bëhet një arenë për ambiciet e ardhshme ekonomike dhe gjeopolitike ruse.

– Problemi nuk është nëse avancimi ekonomik rus ndaj rajonit ka ose jo implikime gjeopolitike, por më shumë se çfarë mund të bëjë Bashkimi Europian në këtë situatë në favorin e tij, duke e forcuar rolin e vet si aktor global.

– Mendojmë se do të ishte një gabim politik serioz nga ana e Bashkimit Europian që të priste për ta zgjidhur krizën ekonomike përpara përkufizimit të vetes si një lojtar global i besueshëm.

– Sipas Stratulat, politikanët europianë do të duhet të fillojnë të promovojnë aktivisht zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkan. Rreziqet e mosangazhimit janë të dukshëm: «Lënia e Ballkanit në një situatë “as në qiell dhe as në tokë” ose konceptimi i asociimeve të tipit periferik në një Europë me shumë shpejtësi do t’i erodonte arritjet e fituara me vështirësi, sidomos në termat e paqes, stabilitetit e demokracisë dhe do të krijonte hapësirë për aktorë të tjerë ambiciozë si Rusia, Turqia apo Kina që të konkurrojnë me influencën dhe vizionin e Bashkimit Europian në rajon». Do të punonte më mirë Bashkimi Europian sesa diplomacia e rublës?

Enza Roberta Petrillo, Ph.D. në Gjeopolitikë, University L’Orientale, konsulente politike europiano-lindore për organizatat ndërkombëtare. Pikëpamjet e shprehura në këtë analizë janë të sajat dhe jo domosdoshmërish të institutit.

(nga Instituto per gli Studi di Politica Internazionale)

Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button