Psikologji

Pranvera po afron. Këto janë pesë librat që duhet t’i lexoni në pranverë

E dimë se shumë prej jush janë duke kërkuar sugjerime për libra në mënyrë që t’i shtojnë në listën e librave që do t’i lexojnë gjatë pranverës. Për këtë arsye në kemi menduar të listojmë disa prej tyre që vlerësohen si më të mirët në klasifikimet botërore, por që njëkohësisht i kemi lexuar edhe vetë dhe të jeni të sigurt që nuk keni për t’u zhgënjyer nga sugjerime të tilla. Po përpiqemi t’ju sjellim 5 librat që na kanë lënë më shumë përshtypje dhe që janë edhe të përshtatshëm për t’u lexuar në pranverë.

  1. Ai që nuk dinte të dashuronte – Harold Robbins

Romani flet për një të ri, Xhonas Kordin që ka trashëguar një perandori me ekonomi tepër të fuqishme, por që ishte shumë cinik dhe i ligë në shpirt. Tre vajza, Monika, Xheni dhe Rina u shfaqën në jetën e tij dhe e dashuronin çmendurisht atë, por në të treja rastet, Xhonasi tregoi ligësitë e tij duke i përçmuar për pasurinë e tyre. Ai ishte mashkulli tipik që kapej pas lekëve dhe harronte të dashuronte, ose më mirë, që nuk kishte mësuar kurrë të dashuronte në oborrin perandorak.

  1. Kodi i Da Vinçit – Dan Brown

Dikush do të thoshte se një libër i tillë që ngre pikëpyetje të mëdha ndaj besimit fetar, do të ishte tepër i fuqishëm për t’u lexuar në pranverë, por ne e dimë se ka lexues që pëlqejnë edhe librat tronditës në mbrëmjet e pranverës. Libri, siç u shpreha më lart, ka tronditur themelet e ekzistencës së besimit të krishterë dhe për këtë fakt është kritikuar nga gjithë organizatat fetare. Mirëpo është i shkruajtur mirë dhe trajton një tematikë interesante (mund edhe të zgjidhni të mos e besoni pasi ta përfundoni librin), ndaj po e përfshijmë në këtë listë.

  1. Shpirti i egër – Cheryl Strayed

Një libër autobiografik që trajton jetën dhe udhëtimin që ndërmerr autorja në Shtegun e Kreshtës së Paqësorit. Ajo shpalos gjithë ndjesitë tona kur bëjmë gabime në jetë, në të cilat do të donim të lëndonim veten si një formë shpagimi ndaj vuajtjeve që u kishim falur të tjerëve. Pasi ka tradhëtuar dhe lënduar të tjerët, autoja vendos të ndërmarrë këtë udhëtim më mijëra kilometra në këmbë, në fund të së cilit ajo ndihej e çliruar prej gabimeve që kishte bërë. Një roman i shkruajtur bukur dhe i përkthyer shumë mirë nga botimet Living. Perfekt për ditët e pranverës.

  1. Harku i Triumfit – Erich Maria Remarque

Një roman fantastik i shkrimtarit të “brezit të humbur” Remark, ndoshta autori im më i preferuar. Në qendër të romanit vendoset një mjek kirurg, Raviku, i cili ka hyrë ilegalisht në Gjermani dhe ushtron profesionin e kirurgut në periudhën përpara Luftës së Dytë Botërore. Ngjarjet që ai përjeton, rastet e pacientëve që operon, si dhe dashuria për Xhoanën, një prostitutë në atë kohë, janë ato që e bëjnë të veçantë këtë autor. Nëse vendosni ta lexoni këtë pranverë, ju sugjerojmë të merrni me vete edhe një fletore dhe laps për të mbajtur shënim gjithë pjesët dhe thëniet më të bukura prej tij. Ju sigurojmë se janë të shumta.

  1. Në shpirtin tim bën ftohtë – Brunilda Zllami

Brunilda Zllami është një nga autoret ndoshta me fjalorin më të pasur në Shqipëri. Ka plot kritika nga lexuesit e saj, që shpesh e krahasojnë me Daniel Steel duke e vendosur veprën e Brunildës në kornizat e një “telenovele”, por harrojnë se kjo është telenovela jonë, telenovela shqiptare e jetës sonë që përjetohet në çdo personazh të shkrimtares.  Në qendër të romanit, autorja vendos një personazh tipik të pasigurt për zgjedhjet në jetën e saj. Me një jetë të llogaritur mirë, të strukturuar po aq mirë, por njëkohësisht me një shpirt të ftohtë nga lidhja e saj bashkëshortore. Një sugjerim shumë i mirë për në pranverë.

Lexim të këndshëm! J / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button