Analiza

Pranvera ruse e Vladimir Putinit

pranvera ruseQë nga “Novorossija” (Rusia e Re në juglindje të Ukrainës), tek Transnistria e panjohur, që nga shtetet balltike që i kanë kapur të dridhurat, deri tek fragmente të Kaukazit. Aneksimi i Krimesë është vetëm pjesa e parë e lojës së re gjeopolitike të Kremlinit. Për të frenuar ekspansionin e NATO-s dhe Bashkimit Europian drejt lindjes, cari Vladimir Putin synon të mbrojë dhe aneksojë territore të harruar, apo të varrosur prej historisë, ku jetojnë miliona rusofonë.

Një strategji “imperiale” e zbërthyer nga Aleksander Dughin, ideolog i euroaziatikëve, me një skenar në dhjetë pika që është pagëzuar me emrin “pranvera ruse”. Një Krime pas tjetrës, e madhe apo e vogël, duke filluar nga Novorossija, territori i madh në veri të Detit të Zi, nga Odessa në Donetsk, që Katerina e Madhe e kolonizoi në shekullin 18, pas një lufte të gjatë me otomanët. Sot në Ukrainë, ku jetojnë 8 milionë rusë, pjesa lindore e Novorossijas është përfshirë nga trazirat që shkaktojnë separatistët e armatosur pro Moskës.

Në 17 prill, presidenti rus, Vladimir Putin, ka folur për herë të parë direkt në televizion: “Nën udhëheqjen e carëve, ky rajon quhej Rusia e Re dhe territoret e saj kalonin në Ukrainë në vitin 1920. Vetëm Zoti e di përse qeveria sovjetike e autorizoi këtë transferim”. Dughini, doktori i mrekullive që Kremlini e dëgjon aq shumë, nuk ka dyshime: “Do të shpërthejë lufta civile dhe Moska do të ndihmojë rusofonët, ndërkohë që Perëndimi do të mbështesë Kievin”. Më tej: “Rusia do të dërgojë trupat në Ukrainën lindore dhe do të nisë clirimin e Rusisë së Re”.

Transnistria e harruar, një copëz toke secesioniste e Moldavisë, ku jetojnë 200 mijë rusë, është ngjitur me juglindjen e Ukrainës. Në 16 prill, autoritetet e shtetit që askush nuk e njeh, por që drejtohet nga një kontigjent “trupash të paqes” nga Kremlini, i kanë kërkuar zyrtarizimin Rusisë. Shtrëngimi i Kremlinit vazhdon në Bjellorusi, me 785 mijë rusofonë, dhe mbërrin deri në vendet balltike. Rusët përfaqësojnë 26.2 përqind të Letonisë dhe 24.6 përqind të Estonisë. Që nga kohët e shembjes së Bashkimit Sovjetik, rusët letonezë janë praktikisht pa nënshtetësi, sepse nuk duan që të bëjnë provimin e gjuhës kombëtare. Jo më kot në 21 prill, Vladimir Putini ka thjeshtësuar procedurën për nënshtetësinë, në favor të rusofonëve që jetojnë në ish territoret e BRSS. Vetëm në Kazakistanin e largët janë 23 përqind e popullsisë. Po kështu edhe rajonet gjeorgjianë të Oshetisë jugore, që dëshiron të bashkohet me veriun, dhe ata të Abkazisë e ëndërrojnë aneksimin. (panorama.it)

Leave a Reply

Back to top button