Analiza

PRAPA KUINTAVE / Granata dhe negociata

Andrej Ulganov
“Argumenty Nedeli”

Dështimi i kontakteve të fundit diplomatikë mes Kievit dhe Moskës, sipas rindërtimit që i ka bërë një e përjavshme ruse

Screen Shot 2015-02-01 at 6.44.08 PMMe sa duket, presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev ka patur një rol të rëndësishëm në tentativat për zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Në dhjetë ditët e fundit të dhjetorit, kur ishte bërë eqartë se do të kishte një ashpërsim të ri të konfliktit, ai ka shkuar në Kiev me një seri propozimesh dukshëm të bashkërenduar me Kremlinin. Nazarbaev i ka kërkuar presidentit Petro Poroshenko që të pranojë si fakt Krimenë si territor rus. Në këmbim, territoret e Donetskut dhe Luhanskut do të kalonin nën kontrollin e Kievit, me tërheqjen e vullnetarëve rusë dhe militantëve vendas. Edhe hapësira mes Rusisë dhe rajoneve ukrainas që sot janë në duart e separatistëve do të përfundonte nën kontrollin e rojave kufitarë ukrainas. Ky i fundit ishte kushti më i rëndësishëm. Me sa duket, Nazarbaev kishte rënë dakord edhe me presidentin francez, Hollande, gjatë takimit të të dyve në 5 dhjetor në Astana. Në atë rast, Hollande përfaqësonte pozicionin e të gjithë Bashkimit Europian. Pas udhëtimit në Kazakistan, presidenti francez shkoi në Moskë dhe i vendosi Putinit ofertat mbi tryezë, duke i folur edhe për anulimin e mundshëm të sanksioneve. Nëse Kremlini nuk do të pranonte, i shpjegoi Hollande Putinit, Rusia do të nxirrej prej sistemit Sëift për transfertat ndërkombëtare të parave. Dhe po kështu, do të kishte rënie të blerjeve të naftës dhe gazit.
Por këto kushte nuk janë pranuar nga Moska, që ka vazhduar të thotë se nuk është pjesë e konfliktit. Nga ana e tij, në takimin e fundit të grupit të kontaktit Kremlini kishte kërkuar një zgjidhje federale për Ukrainën, me autonomi për rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Mbyllja e kufijve me Rusinë do të ndodhte vetëm në një moment të dytë. Por hipoteza u hodh poshtë prej Kievit.
Problemi do të duhej të trajtohej gjatë një takimi të parashikuar për në Astana në 15 janar. Eshtë e mundur që Moska të ketë qënë e gatshme të bënte lëshime të dukshëm, që do të shënonin një kthesë për konfliktin. Por në Kiev jo të gjithë shtynë për këtë lloj rezultati. Mes atyre kundër ishte kryeministri Jatsenjuk, që do të rrezikonte karrierën politike nëse presidenti Poroshenko do të arrinte të paraqitej para opinionit publik si njeriu që garantoi paqen. Për të shmangur këtë mundësi, në 10 janar, ndërkohë që ndodhej në Gjermani, Jatsenjuk deklaroi se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar edhe Gjermaninë, edhe Ukrainën, duke shkaktuar siklet në Berlin dhe zemërim në Moskë.
Kështu, falë deklaratave të Kryeministrit ukrainas, dhe me miratimin e heshtur të Gjermanisë, Rusia arriti të heqë nga vetja përgjegjësinë e anulimit të takimit të 15 janarit. Dhe pikërisht në vijim të këtyre manovrave ka ndodhur përshkallëzimi i fundit ushtarak dhe që kanë rifilluar të qarkullojnë zëra, sipas të cilëve separatistët janë të gatshëm të marrin Mariupolin, Slovjanskun dhe Charkivin. E vështirë të bëhet në dimër, por pranvera nuk është larg. Në ndërkohë, palët në konflikt do të kenë shanse të tjerë për të mbërritur tek paqja. Nëse nuk do ia dalin, Ukraina do të shndërrohet vërtetë në fushëbetejën e fundit të ish hapësirës sovjetike.
Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button