“The Economist”
Gara për të vaksinuar popullatat kundër Covid-19 është në vazhdim e sipër. Më shumë se 50 vende, kanë vaksinuar deri më tani më shumë se 68 milion njerëz. Një shifër që nuk do të thotë asgjë në raport me popullsinë globale prej më shumë se 7 miliardë banorësh.
Gjithsesi ajo mjafton për të nxitur një debat nëse njerëzit që janë vaksinuar, duhet të lejohen të lëvizin më lirshëm sesa të tjerët. Dhe që t`a bëjnë këtë, ata që janë vaksinuar duhet të jenë në gjendje që t`a provojnë këtë. Kësisoj ka nisur një diskutim nëse duhet të futen në përdorim certifikatat e imunitetit, ose siç quhen ndryshe pasaportat e vaksinimit.
Ky nuk është një koncept plotësisht i ri. Disa vende të varura shumë nga turizmi si për shembull ishujt Sejshell, kanë krijuar tashmë pasaportat për njerëzit që janë vaksinuar, ndërsa shumë të tjerë kanë vendosur që prova e vaksinimit kundër sëmundjeve të tjera të jetë një kusht për hyrjen e të huajve.
Mendimet mbi atë sesa e mirëpritur do të ishte një gjë e tillë, ndryshojnë shumë. Disa mendojnë se është rruga më e shpejtë për t’iu rikthyer jetës normale. Të tjerë shqetësohen se kjo praktikë do të jetë e padrejtë dhe diskriminuese.
Edhe pse për disa “pasaporta e vaksinimit” mund të duken radikale, ato nuk janë të paprecedenta. Deri në vitin 1922, shumë shkolla në Amerikë u kërkonin prindërve që t’i pajisnin fëmijët e tyre me vërtetimin e vaksinimit kundër sëmundje së lisë, si një kusht për lejimin e shkuarjes në shkollë.
Dhe “kartoni i verdhë”, është një certifikatë ndërkombëtare e krijuar gati 100 vjet më parë për të regjistruar vaksinimin kundër kolerës, etheve të verdha, tifos dhe lisë. Deri më sot, shumë vende kërkojnë një certifikatë të vaksinimit kundër etheve të verdha, nëse doni të udhëtoni atje.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, thotë se nuk është tërhequr nga kjo ide, ndërsa kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dëshiron një certifikatë të unifikuar të BE-së për udhëtimet ndërshtetërore. Interesi i tij, ka të ngjarë të jetë nxitur nga mbështetja e madhe që ka vendi i tij tek turizmi.
Në Amerikë, presidenti Joe Biden ka kërkuar zyrtarisht shqyrtimin e idesë së “pasaportave të vaksinimit”. Në mbarë botën, një larmi nismash private po tentojnë të krijojnë versionet e para dixhitale. Një arsye pse duhet pasur kujdes me to, është fakti se mbetet ende e paqartë se sa mbrojtje ofrojnë në fakt vaksina kundër transmetimit të Covid-19 tek të tjerët.
Është e qartë se vaksinat do të shpëtojnë shumë jetë njerëzish dhe do të parandalojnë format e rënda të sëmundjes. Por disa nga ata që do të vaksinohen, mund të jenë ende në gjendje që të preken nga virusi dhe t`a transmetojnë atë.
Vaksinat ndoshta do t`a zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme përhapjen e koronavirusit. Por ndërsa do të ndodhë kjo, do të rritet ndjeshëm presioni për t’i lejuar të vaksinuarit të rifillojnë jetën e tyre normale, përfshirë udhëtimet jashtë vendit.
Edhe duke supozuar se vaksinat ndihmojnë vetëm pak, disa besojnë se “pasaportat e vaksinave” janë gjithsesi të pashmangshme. Arthur Caplan, profesor i bioetikës në Shkollën e Mjekësisë Grosman në Universitetin e Nju Jorkut, SHBA, beson se ato jo vetëm që janë të pashmangshme, por edhe të dëshirueshme.
Ai mendon se punonjësve të kujdesit shëndetësor në azilet e pleqve dhe spitaleve, do t’u kërkohet që të vaksinohen kundër Covid-19, dhe të kenë prova për këtë. Punonjësve të spitaleve në shumë vende të botës, u kërkohet tashmë të marrin vaksinën e gripit, apo atëkundër hepatitit B, në mënyrë që të mbrojnë më të rrezikuarit në spitale, që nuk mund të vaksinohen, siç janë ata me imunitet të dobët, pacientët e sëmurë me kancer dhe të sapolindurit.
Ndërkohë, pa këto pasaporta disa biznese do të dëmtohen rëndë edhe këtë vit. Këtu përfshihen kroçerat turistike, linjat ajrore dhe restorantet. Dhe shumë punëdhënës po tregojnë tani një interes të madh për të mbajtur skedarë mbi stafin e tyre që është vaksinuar.
“Qantas”, një kompani ajrore australiane, ka premtuar që nga viti i kaluar, se do t`a bëjë tëdetyrueshme që pasagjerët të provojnë se janë vaksinuar kundër Covid-19,përpara se të hipin në avionët e saj. Qeveritë duket se nuk kanë gjasa që të refuzojnë plotësisht hyrjen e të huajve pa pasur me vete pasaportat e vaksinimit.
Gjithsesi, ato ka të ngjarë që të vendosin kushte shtesë, si testi negativ ndaj Covid-19 2-3 ditët e fundit, dhe madje edhe karantinimi në një hotel. Linja të tjera ajrore si “United”, “Etihad” dhe “Emirates”, janë duke kërkuar pasaporta shëndetësore, të cilat përshijnë testet negative ndaj Covid-19 apo vërtetimin se janë vaksinuar.
Por kompanitë private, siç janë linjat ajrore, kanë shumë më tepër liri për të vendosur kufizime ndaj klientëve apo punonjësve të tyre, për sa kohë që ato nuk janë diskriminuese. Ndërkohë qeveritë përballen me më shumë sfida.
Përcaktimi i prioriteteve se kush e merr i pari vaksinën, apo garantimi që ajo të arrijë tek të gjithë në mënyrë të arsyeshme, si dhe bindja e skeptikëve, është një gjë politikisht e ndërlikuar, sidomos nëse vaksinimi ofron përfitime, si liria e lëvizjes apo punësimi më i sigurt, që nuk përfitohen nga të tjerët.
Pastaj është çështja se si të trajtojmë njerëzit që kanë një imunitet natyral nga një infeksion i Covid-19. Kohëzgjatja e imunitetit nga vaksinat dhe infeksioni i mëparshëm janë ende të panjohura, që do të thotë se pasaportat e vaksinave mund të skadojnë në një moment.
Gjithashtu, këto lloj pasaportash mund të krijojnë një ndarje brezash, pasi shumica e vendeve po vaksinojnë në fillim më të moshuarit. Shumë të rinjve u është dashur t`a kufizojnë shumëjetën e tyre gjatë vitit të kaluar, kryesisht për të mbrojtur brezin e vjetër. Mund të duket e padrejtë që të moshuarit mund të shkojnë këtë verë në Ibiza, ndërsa të rinjtë janë të bllokuar në shtëpi ose në karantinë. Ata që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore, siç janë personat me imunitet të dëmtuar, mund të ndjehen shumë keq me fatin e tyre.
Së fundmi, nëse pasaportat hyjnë në përdorim të gjerë, disa mund të ndihen të detyruar të marrin një vaksinë, duke e kompromentuar kësisoj lirinë e tyre të zgjedhjes.
Edhe kështu, në një studim të fundit, rezultoi se më shumë se 2/3 e britanikëve thanë se do t’i pranonin ato. Kjo është një shifër çuditërisht i lartë. Njerëzit në vendet e tjera mund t`a ndjekin këtë shembull, pavarësisht nga dyshimet e tyre filozofike.
Arsyeja për këtë mund të jetë mjaft e thjeshtë. Bllokimet e rrepta janë aq të vështira për tu toleruar, dhe aq të kushtueshme ekonomikisht, saqë edhe një derë paksa e hapur duket si një rreze shprese.