Analiza

Presidenca e shanseve të humbur

Presidenti Obama duhet të bëjë më shumë, se sa thjeshtë të pohojë se është në anën e duhur të historisë. Paraardhësit e tij i dhanë formë historisë. Pjesa tjetër e botës po pret të shohë nëse SHBA do e formësojë botën, në interes të përbashkët

Robert B. Zoellick
presidencaKur presidenti Obama mori detyrën, ai donte të zhbënte atë që e quante “shtrirjen e tepruar” të Presidentit Bush në politikën e jashtme. Ai vendosi tërheqjen nga luftërat në Irak dhe në Afganistan, pavarësisht rreziqeve të shthurjes, dëshmitarë të të cilës po bëhemi sot. Më tej, administrata e tij nuk arriti ta zëvendësojë “shkurtimin” me një nismë strategjike. Kur Amerika u tërhoq nga Vietnami, Presidenti Richard Nixon dhe këshilltari i tij, Henry Kissinger ndërmorën nismën strategjike, me hapjen e marrëdhënieve me Kinën si dhe duke e ribërë skakierën gjeopolitike, në avantazh të SHBA.
Edhe udhëheqësit e matur, siç është Obama, duhet që t’u japin formën ngjarjeve, në vend që thjeshtë të reagojnë ndaj tyre. “I urti” George H. ë. Bush orientoi drejt një fundi paqësor Luftën e Ftohtë dhe sprapsi agresionin e Irakut, ndërkohë që hodhi edhe hodhi themelet për të ardhmen, përmes zgjerimit të NATO-s, ose duke negociuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore, ose me negociatat globale të tregtisë, që krijuan Organizatën Botërore të Tregtisë. Pa harruar proceset e paqes në Amerikën Qendrore dhe në Lindjen e Mesme, si dhe nxitjen e një forumi të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.
Sot, ka shumë shanse për të përshtatur botën sipas interesave të Amerikës, që nuk kërkojnë forcë ushtarake. Negociatat për marrëveshjet e Tregtisë së Lirë të Trans-Paqësorit dhe Trans-Atlantikut, mund të çojnë përpara rregullat e tregtisë ndërkombëtare, ndërkohë që mund të theksojnë interesat ekonomikë në Azinë Lindore dhe në Europë.
Por negociatat për tregtinë po lëkunden për arsye se udhëheqësi i shumciës në Senat, Harry Reid ka bllokuar votimin për kërkesën e presidentit për Autoritetin e Nxitjes së Tregtisë, që i lejon presidentit të paraqesë në Kongres një Marrëveshje Tregtie, për një votim me shumicë të thjeshtë. Ndonëse presidenti ka mbështetjen e republikanëve, ai nuk ka këmbëngulur për të bërë që komisionet kryesorë të kongresit, të paktën të fillojnë punën për Autoritetin e Nxitjes së Tregtisë. Teksa vrulli i negociatave ngadalësohet, kundërshtarët e trimëruar të tregtisë së hapur grumbullohen për t’u hedhur në sulm.
Kombinimi i inovacionit energjetik në Amerikën Veriore dhe reformave të guximshme ekonomike në Meksikë krijon njëmundësi për të ndërtuar një bazë ekonomike kontinentale më të fortë. Obama duhet të përfitojë nga ky shans me infrastrukturën e re energjetike të Amerikës, përditësimet e Nafta-s, pikat e modernizuara dhe më të shpejta të kalimit kufitar, si dhe partneritetin për çështje që variojnë, nga kapitali njerëzor, tek siguria. SHBA duhet të ndihmojë reformatorët e Meksikës, që këta të paraqesin dobinë e liberalizimit, përshembull përmes interkonjeksioneve të rrjeteve elektrikë, që do të sillnin ulje të kostove të energjisë elektrike. Por, administrata Obama e ka dëmtuar më shumë integrimin Amerikano-verior duke bllokuar gazsjellësin Keystone XL nga Kanadaja, si dhe duke bllokuar pjesëmarrjen e Meksikës dhe Kanadasë në negociatat e tregtisë së lirë me Europën.
Tragjedia e fëmijëve amerikano-latinë që i largohen dhunës dhe varfërisë në vendet e tyre, është një kujtesë e trishtë për rreziqet e sigurisë në jug të kufirit. Në fundin e viteve 1990, presidenti Bill Clinton punoi me homologun e tij kolumbian dhe një kongres republikan, për të hartuar Planin Kolumbia, një nismë për të nxitur më shumë siguri dhe qeverisje më të mirë në një vend të shkatërruar prej terroristëve dhe narko-trafikantëve. Sot, Kolumbia është një partner i suksesshëm demokratik në rajon. Një Plan i ri Amerika Qendrore, për të nxitur siguri, qeverisje dhe zhvillim ekonomik më të mirë në rajon duhet të kërkojë mobilizimin e mbështetjes nga Meksika, Kolumbia, Panamaja dhe Kanadaja.
SHBA ka nevojë edhe për një partneritet të ri me Gjermaninë, vendi më i rëndësishëm në Europë. Hapi i parë duhet të jetë një marrëveshje për shërbimet e fshehtë. Qeveria e SHBA nuk ka nevojë të spiunojë Angela Merkelin apo Bundestagun gjerman, por ajo ka nevojë për informacione për terroristët. Pavarësisht një incidenti sikletosës, administrata e injoroi opinionin politik gjerman dhe “futi duart” përsëri, duke paguar një spiun të paaftë që të merrte informacione, për përdorim të dyshimtë.
Antidoti më i mirë ndaj agresionit të Rusisë është që Ukraina të bëhet demokraci e suksesshme me një ekonomi të fortë. Nëse Ukraina realizon reforma ekonomike, siç po fillon të bëjë, SHBA dhe Europa duhet të mobilizojnë më shumë burime. Ne mund të zgjedhim, të investojmë për suksesin, apo të paguajmë çmimin e dështimit. Duhet të punojmë me fraksionet politikë të Ukrainës, ndërkohë që këta ndërtojnë një republikë të denjë për popullin e vet kurajoz. Dhe duhet të furnizojmë ukrainasit me armë dhe informacione për t’i rezistuar strategjisë ruse të përmbysjes, të cilën Komandanti Suprem i NATO-s, Phil Breedlove e përshkroi shumë qartë. SHBA duhet të forcojë edhe aleatët e NATO-s në Europën Lindore, në përpjekjet e tyre për të përmirësuar mbrojtjen kundër përdorimit nga Rusia të celulave të fjetura, sulmeve kibernetikë dhe trazirave të brendshme.
“Kthesa” e administratës Obama drejt Azisë nuk ka patur më shumë sukses se sa strategjia e “rifillimit” me Rusinë. Që nga Samiti i Sunnyland me presidentin kinez, Xi Jinping më shumë se një vit më parë, administrata nuk ka bërë hapa për të përcaktuar atë që ajo dhe Pekini po e quajnë “një lloj i ri i marrëdhënies mes fuqive të mëdha”. Reformatorët ekonomikë të Kinës përpiqen të rrisin konsumin, të zgjerojnë industritë e shërbimeve dhe të hapin tregjet e kapitalit, objektiva që mund të përshtaten fare mirë me interesat e SHBA, ndërkohë që fajkonjtë e mbrojtjes në Kinë përpiqen të largojnë SHBA nga perëndimi i Paqësorit. Megjithatë, administrata duket se nuk ka askënd për të bashkuar “pikat” e marrëdhënies kino-amerikane. SHBA do të jetë në një pozicion më të mirë në marrëdhënien me Kinën, nëse forcon lidhjet me aleatët e kahershëm në Paqësor, sidomos nëse shuan tensionet mes Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Lindja e Mesme ndodhet tashmë përballë një periudhe të gjatë trazirash – me konflikte mes sunitëve dhe shiitëve, arabëve dhe persëve, dhe tribuve dhe modernizuesve. Zgjerimi i shpejtë i ISIS-it tregon rreziqet që ka mosangazhimi. Nëse SHBA nuk dëshiron t’i luftojë direkt armiqtë, ajo duhet të furnizojë dhe ndihmojë partnerë që kanë interesat tanë – qofshin këtë kurdë, sirianë të lirë, apo udhëheqës të fiseve. Por, sot Izraeli dhe shtetet miqësorë në Gjirin Persik kanë frikë se nuk mund të mbështeten tek ndihma e Amerikës.
Presidenti mund të udhëheqë strategjikisht edhe përmes veprimeve në vend. Kongresi dhe Senati kanë miratuar ligje konkurues për të forcuar sigurinë kibernetike të sektorit privat, ndërkohë që në horizont nuk po duket asnjë kompromis. Duke qenë se është problem i sigurisë kombëtare, Presidenti duhet të shtyjë Kongresin të arrijë një kompromis.
Presidenti Obama duhet të bëjë më shumë, se sa thjeshtë të pohojë se është në anën e duhur të historisë. Paraardhësit e tij i dhanë formë historisë. Pjesa tjetër e botës po pret të shohë nëse SHBA do e formësojë botën, në interes të përbashkët. /The Wall Street Journal/
Mr. Zoellick ka qenë President i Grupit të Bankës Botërore, përfaqësues tregtar i SHBA dhe Nënsekretar i Shtetit.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button