Analiza

Presidencialet 2016/ A do u mbijetojë skandaleve Hilari Klintoni, para nisjes së fushatës?

Nga Edward Morrissey*

Screen Shot 2015-03-06 at 2.01.14 PM

Deri kohët e fundit, demokratët kishin disa arsye për t’u përgëzuar, mbi një mungesë të çuditshme kurioziteti, lidhur me kandidatët për garën presidenciale të vitit 2016, në mesin e njerëzve që nuk mbanin emrin e Klintonit. Një numër republikanësh tashmë janë futur në garë, ndonëse jo zyrtarisht.

Konferenca e javës së kaluar e Aksionit Politik Konservator, kishte disa prej pretendentëve, në pjesën kryesore të panelit, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi çështje të rëndësishme që shqetësojnë aktivistët në rrafsh lokal dhe ekspertët e think-tankeve të ndryshme, që marrin pjesë në mbrëmjen e përvitshme gala. Edhe më shumë kandidatë pritet të hyjnë në garë gjatë pranverës, dhe faza e debateve duket se do të jetë shumë e populluar, të paktën për disa nga debatet kryesore në vjeshtë.

Krahasimisht me republikanët, demokratët u duk se e kishin më të lehtë. Vështirësi parashikoheshin vetëm kur të vinte koha e debateve, edhe sepse askush deri më tani nuk është shfaqur i interesuar të sfidojë emërimin e Hilari Klintonit për garën presidenciale. Ndërsa republikanët e tejkaluan vetveten, duke filluar me linjat e sulmit që një kundërshtar zgjedhor mund të shfrytëzojë përgjithësisht, mungesa e konkurrencës ndërmjet demokratëve, donte të thoshte se ish-sekretarja e shtetit mund të qendronte e qetë, dhe të grumbullonte ndërkohë para për garën e madhe me republikanët. Kur ajo të hynte në garë këtë verë, vëmendja e mediave do të ishte aq e përqëndruar tek republikanët, sa Klinton mund të shkonte pa u vënë re drejt fitimit të një popullariteti të madh.

Megjithatë, tani demokratët kanë një ndjenjë kolektive dezhavyje, së bashku me ndjesinë fundosëse të fatkeqësisë. Dy skandale, kanë tronditur fushatën e Klintonit, madje para se ajo të fillojë zyrtarisht, duke risjellë në kujtesë ngjarjet e pakëndshme të kohëve të dikurshme të Klintonëve, të cilat partia pati menduar se kishin mbetur pas, në të kaluarën.

Papritmas, mungesa e konkurrencës, duket shumë më pak tërheqëse, sesa ngjante pak javë më parë. Muajin e shkuar, Wall Street Journal raportoi se “Fondacioni Klinton” kishte hequr atë që duhej të ishte një ndalim i donacioneve nga qeveritë e huaja, gjatë kohës kur Hilari shërbente si Sekretare e Shtetit.

Megjithatë, fondacioni kishte marrë miliona dollarë nga korporatat e mëdha – llojin e mbështetjes që demokratët kanë shpesh qejf ta demonizojnë – gjatë qëndrimit të Hilarit në detyrën e shefes së politikës së jashtme, ndërsa ajo përshpejtoi marrëveshjet tregtare në emër të tyre. Asokohe, vëzhgues si gazetari i “National Journal” Ron Fournier, i cilësuan këto dhurata si “një konflikt i trashë interesi”, por më e keqja duhej të vinte.

Nga investigimi, doli se qeveritë e huaja i kishin dhuruar para “Fondacionit Klinton”, jo vetëm pas largimit të Hilarit nga detyra e

sektares së shtetit, por edhe gjatë 4 viteve të saj në detyrë. “Washington Post”, raportoi për një donacion prej 422 mijë dollarësh nga Algjeria, një shumë që kurrë nuk u verifikua nga Departamenti i Shtetit, përsa i përket konfliktit të interesit. Por donatorët përfshijnë ndërkaq bastione të tilla të barazisë progresive si Arabia Saudite, Kuvajti, Omani, Bahreini dhe Katari, lidhjet e të cilit me Hamasin dhe Talebanët, janë një pikë delikate në marrëdhëniet e tij me aleatët amerikanë.

Fillimisht Departamenti i Shtetit pohoi se ata i kishin verifikuar të gjitha, përveç donacionit algjerian, por më pas ata u tërhoqën. Të vetmet transaksione që u verifikuan gjatë qëndrimit të Hilarit në detyrë ishin “qindra” pagesa për fjalimet e Bill Klintonit, si dhe të disa kontratave të konsulencës, nga qeveritë e huaja. Duke u kthyer pas në kohë, ishte i njëjti Bill Klinton, i cili ishte në favor të kufizimeve për financimin e fushatës në vitin 1997, sepse vendet e huaja ndryshe mund të “japin fonde vetëm për një nga partitë tona politike”.

Nëse demokratët, kanë nevojë për një tjetër shembull, që Klintonët nuk aplikojnë të njëjtat rregulla për veten e tyre, si ato që aplikojnë për të tjerët, këtë ua dha gazeta “New York Times”, përmes një shkrimi të hënën që shkoi. Pavarësisht rregullores mbi ruajtjen e të dhënave, që prej të paktën vitit 2009, rezulton që Hilari nuk kishte përdorur kurrë sistemet zyrtare të qeverisë për e-mailet e saj, ndërsa mbante postin e Sekretaries së Shtetit. Përkundrazi, ajo kishte ngritur një server privat dhe hapur një adresë personale, që ditën kur senati konfirmoi emërimin e saj, për kryerjen e të gjitha veprimtarive zyrtare.

Falë këtij marifeti, Hilari shmangu pajtueshmërinë me kërkesat FOIA-s, për vite me rradhë. Vetëm përmes komisionit hetimor mbi ngjarjet tragjike në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ky fakt u bë i njohur. Me këtë veprim, zonja Klinton jo vetëm që injoroi një mekanizëm të rëndësishëm të transparencës dhe përgjegjshmërisë, por ajo anashkaloi edhe sistemet kibernetike të qeverisjes, dhe thuajse me siguri ka bërë të mundur, që të tjerë të mund të penetrojnë tek komunikimet tejet delikale dhe të klasifikuara si shumë sekrete.

Sikurse Kris Kiliza shkroi në “Uashington Post” të martën e shkuar, skandali i e-maileve “përforcon gjithçka që njerëzit nuk pëlqejnë tek Hilari Klinton”. Kjo i vendos demokratët në një pozitë tepër të vështirë. Nëse kishin kandidatë të besueshëm për të hedhur në garë, ose të paktën duke u përgatitur të imitonin republikanët javët e fundit, ata mund të përballen tashmë me një debat mbi transparencën, në kushtet kur pas më shumë se 20 vitesh, “bagazhet” e Klintonëve peshojnë shumë për demokratët.

Në vend të kësaj, impulsi i tyre fillestar ishte të shtrëngonin rradhët. Senatorja Diana Fejnshtain deklaroi se nuk kishte “ndonjë vullnet të sëmurë” në gjithë këtë çështje, ndërsa kolegu i saj Benxhamin Kardin, tha se është vetëm një stil i ndryshëm i komunikimit. “Unë kam një mbesë që bën asgjë tjetër, përveçse shkruan” – shpjegoi Kardin.

Megjithatë, ky i fundit harroi të përmendë disa detaje me rëndësi. E para mbesa e tij nuk ishte një zyrtare e kabinetit. Së dyti nuk ka ndonjë rregullore, që t’i kërkojë asaj të ruajë komunikimet elektronike. Kjo sjellje është shumë më ekstreme, sesa qëndrimi i

zyrtarëve republikanë kur guvernatorja Sara Pelin dhe Karl Rove, u zbuluan se kanë përdorur herë pas here, e-maile private për detyrat e tyre zyrtare.
Megjithatë, çfarë zgjedhje kanë ata? Në këtë moment, kjo është saktësisht çështja. Gazetarja Xhill Lorenc ftoi demokratët këtë javë që të mbështesin tërësisht Hilari Klintonin. Ndërkohë ajo gjithashtu pranoi se disa humbje të përsëritura në nivel federal dhe shtetëror, i kanë lënë demokratët me pak opsione. Edhe ato opsione legjitime që mbeten ende të vihen në provë, janë të shqetësuar nga “makina e fuqishme” Klinton, dhe nga ndërhyrja tek argumenti se “është koha për një presidente grua”.

Të vetmit demokratë që tregojnë ndonjë interes për këtë janë ish- senatori për vetëm një mandat Xhejms Ueb, dhe i vetë-identifikuari si socialist, senatori Berni Sanders. Të dy këta janë më të moshuar se Klintoni, e cila do të jetë 69-vjeç vitin e ardhshëm. Guvernatorët Martin O’Mallej dhe Xhek Markel s’mund të përballojnë morinë e diversiteteve që krijojnë argumentat e Hilarit. Ata që e bëjnë këtë vijnë të gjithë nga senati, dhe nuk kanë asnjë përvojë ekzekutive, një situatë kjo që do t’u kujtonte votuesve, jo në mënyrën më të mirë të mundshme, presidencialet e 2008-ës.

Sikurse shkruan Lorenc, Hilari e ka shndëruar veten në “gruan e domosdoshme”, dhe nostalgjia për Klintonët, përbën një temë të pashmangshme për demokratët në vitin 2016. Fatkeqësisht, ata po zbulojnë kurajën e prapaskenave Klintoniane, të cilat kanë një histori shumë të gjatë, e që shtrihet deri në ditët tona.

Për sa kohë që Klintonët, do të qëndrojnë në krye të establishmentit të Partisë Demokratike, ata do të mbesin të mbërthyer, tek një

udhëheqës me një imazh problematik e të dëmshëm për partinë, duke i mundësuar kësisoj republikanëve një hapje të përsosur të fushatës, përmes prezantimit të një emri të ri, që mund të luajë fare mirë rolin e sfidantit, dhe që kujton Bill Klintonin në presidencialet e vitit 1992. E gjitha kjo, mund të përfundojë si lloji më i keq i një dezhavyje në vitin 2016./”Fiscal Times”/

a.g./www.bota.al


 

Leave a Reply

Back to top button