Analiza

PRESIONI MBI MEDIAN/ Në Spanjë, u dëbova pse fola

SpanjeIsh kryeredaktori i El Mundo: “Nofullat e pushtetit janë gjithmonë të hapura për të përtypur, dhe krahu i tij është gjithmonë i shtrirë, që nëse është e mundur të shkatërrojë lirinë e mendimit, fjalës dhe të shkruarit”. Për mua, vërtetësia e këtij pohimi u konfirmua javën që kaloi, kur u pushova nga puna si redaktor i El Mundo, gazeta e dytë më e madhe e Spanjës, të cilën e bashkëthemelova në 1989. Pronari i gazetës, Undidad Editorial, pjesë e një konglomerati italian, vlerësoi punën time, por nuk pranoi që t’i bënte rezistencë presionit politik

Pedro J. Ramirez

Katër dekada më parë, intervitova editorialistin e Nju Jork Tajmsit, Tom Uiker, në lidhje me marrëdhënien mes qeverisë dhe shtypit. Ishte epoka e Uotërgejtit, dhe gazetaria më dukej si një “thirrje” fisnike.
Uiker më tha se konflikti është i pashmangshëm mes degëve të ekzekutivit dhe gazetave që bënin punën e tyre. Ai shtoi se atje ku demokracia është e dobët, gazetat që kritikonin qeverinë do të paguanin shtrenjtë guximin e tyre.
“Kujdes me Leviathanin”, më tha ai. Dhe më citoi Xhon Adamsin: “Nofullat e pushtetit janë gjithmonë të hapura për të përtypur, dhe krahu i tij është gjithmonë i shtrirë, që nëse është e mundur të shkatërrojë lirinë e mendimit, fjalës dhe të shkruarit”.
Për mua, vërtetësia e këtij pohimi u konfirmua javën që kaloi, kur u pushova nga puna si redaktor i El Mundo, gazeta e dytë më e madhe e Spanjës, të cilën e bashkëthemelova në 1989. Pronari i gazetës, Undidad Editorial, pjesë e një konglomerati italian, vlerësoi punën time, por nuk pranoi që t’i bënte rezistencë presionit politik. Numri i të dielës ishte i fundit për mua.
Përballja ime me qeverinë nisi vitin që kaloi, kur një aleat i Kryeministrit Mariano Rahoi – ish sekretari i thesarit i partisë së tij, Luis Barkenas, që sot ndodhet në qeli për akuza korrupsioni – ofroi dokumenta që tregonin për financime të paligjshëm të partisë për më shumë se dy dekada. Ne botuam një ekspoze, dhe ia dorëzuam dokumentat gjykatësit që po ndiqte cështjen. Botuam gjithashtu sms mbështetjeje, që Rahoi ia dërgonte Barkenasit.
Rahoi reagoi ashpër. “El Mundo shtrembëron dhe manipulon për të prodhuar shpifje”, i tha ai Senatit në 1 gusht. Pak kohë më pas, Sekretarja e Përgjithshme, Maria Dolores de Kospedal tha: “Unë nuk e lexoj El Mundon”, që u interpretua si një bojkot i gazetës i sanksionuar prej qeverisë. Zyrtarë të lartë, ndryshe nga sa ndodhte në të kaluarën, i qëndruan larg ceremonisë ndërkombëtare të dhënies së cmimeve për gazetarinë që ne kishim organizuar në kujtim të tre gazetarëve që ishin vrarë në krye të detyrës. Disa prej kompanive më të mëdha të Spanjës, shumë prej të cilave janë në sektorë ku dora e qeverisë ndihet shumë, anuluan reklamat. Beri Susman, një redaktor që ndihmoi në mbulimin që Uashington Post i bëri Uotërgejtit, shkruajti në faqet tona se kishim të bënim me të njëjtën situatë: një kombinim i parave të pista dhe përpjekjeve për të intimiduar shtypin.
Kjo qeveri “me dorë të rëndë”, e cila ka heshtur për largimin tim, më kujton vitin 1974, kur intervistova UIkerin. Gjenerali Francisko Franko ishte ende në pushtet, por dëshira kolektive e Spanjës për liri dhe demokraci tashmë kish fituar vrull. Ai vdiq një vit më vonë, dhe shtypi ishte një element jetësor në tranzicionin nga diktatura në demokraci. Gazetat e lidhura me regjimin e vjetër nuk kishin besueshmëri. Krejt papritur, u hapën mundësira të mëdha për gazetarët e brezit tim. Në 1980-ën, në moshën 28 vjec, u emërova redaktor i gazetës Diario 16. Ishte një kurs përplasjeje në gazetari dhe demokraci.
Brenda vetëm pak viteve përjetuam të gjithë situatat e rënda që mund të përjetojë një demokraci e re. Kundërshtuam kategorikisht përpjekjet e ish gjeneralëve të Frankos për të dëmtuar qeverinë e re. Kundërshtuam terrorizmin e separatistëve baskë – por edhe skuadrat e pushkatimit që ngriti qeveria e Kryeministrit socialist Felipe Gonzales, për të luftuar grupin separatist, ETA.
Në 1988, pasi raportimet tanë investigues lidhën qeverinë spanjolle me skuadrat e pushkatimit dhe vrasjet e tyre në jug të Francës, Gonzales më takoi në një prej korridoreve të Parlamentit dhe më kërkoi të “pushoj së botuari ato gjëra të tmerrshme”. Unë refuzova, dhe pak muaj më vonë, më larguan nga puna. Pronari i gazetës i ishte nënshtruar presionit politik.
Një dyzinë gazetarësh e ndërprenë me dëshirë punën dhe u bashkuan me mua për të themeluar El Mundon “një gazetë për një brez të ri lexuesish”. Ishte një sukses i menjëhershëm. Shumë shpejt zumë një vend në hapësirën e qendrës së djathtë, me një bazë të fortë lexuesish mes profesionistëve të rinj në zonat urbane. Rinisëm investigimin tonë për skuadrat e ekzekutimit
Në fundin e viteve nëntëdhjetë, si rezultat i ekspozeve tanë, ministri i Brendshëm i Gonzalesit dhe drejtori i agjencisë së sigurisë shtetërore u dënuan për rëmbim. Një gjeneral në policinë ushtarake të Spanjës u gjet fajtor për vrasje.
Kryeministra të mëparshëm, përfshirë Hoze Luis Zapateron, paraardhësi socialist i Rahoit e pranuan kritikën e shtypit. Por gjithcka ndryshoi kur Rahoi, udhëheqësi i Partisë Popullore konservatore, erdhi në pushtet. Ndonëse e kishim mbështetur në tre raste, sapo mori pushtetin ai shfaqi armiqësi kundrejt të vërtetave të parehatshme dhe indiferencë ndaj opinionit publik.
Ashtu si gjetkë, gazetaria në Spanjë ka qenë nën trysni ekonomike. Reklamat në gazeta ranë me dy të tretat brenda gjashtë viteve, dhe tirazhi me më shumë se një të tretën. El Mundo është një prej gazetave kryesore online në Spanjë, me 7.2 milionë përdorues të përmuajshëm dhe 127 mijë të rregjistruar, por gjithësesi të ardhurat nga interneti nuk mjaftojnë për të mbyllur llogaritë. Kështu që presioni politik i qeverisë, dhe efekti që ai ka në reklamat, erdhi në një moment dobësie.
Spanja ka qenë në telashe qysh prej krizës së banesave të vitit 2008. Papunësia ka qenë afro 25 % dhe ekonomia ende nuk ka dalë nga recesioni. Partisë qeverisëse të Rahoit i mungon demokracia e brendshme. Pavarësia e gjyqësorit është dobësuar. Monarkia është njollosur prej një skandali në shpenzime. Shtoji kësaj edhe sulmet ndaj shtypit, dhe më duket e qartë që demokracia mund të jetë ehe më e brishtë se sa në cdo moment qysh nga vdekja e Frankos, në 1975. Kam në plan të vazhdoj të shkruaj për këtë gjë.
PEDROJ.RAMÍREZ ishte botues i El Mundo që nga dita e themelimit të saj në 1989 deri të shtunën.

Leave a Reply

Back to top button