Magazine

Princi dhe dallëndyshja; një rrëfim i mrekullueshëm dhe i ndjerë, mbi lidhjen emocionale

Me këtë tregim që trajton temën e lidhjes së brendshme në çift, sot do të reflektojmë se cilët janë mekanizmat e lidhjes së pasigurt, si ata gjenerojnë tek ne vuajtje dhe si na ndikojnë, kur kërkojmë të kontrollojmë dhe të dominojmë të tjerët duke përdorur dashurinë si justifikim.

“Kur provojmë përkushtim ndaj diçkaje, është gjithmonë prezente frika, frika e të humburit, është persistente në kuptimin e pasigurisë.”

–Jiddu Krishnamurti

Princi dhe dallëndyshja; përkushtimi emocional.

Princi i kalonte ditët duke kundruar nga dritarja në pritje që të ndodhte diçka. Atë e shoqëronte vetëm një shërbëtor për të bërë pazarin dhe për ta mbajtur të pastër kështjellën.

– Çfarë jete e mërzitshme! – pëshpëriste një mëngjes prilli. Një dallëndyshe u ul mbi parvazin e dritares. – Oh, çfarë krijese e vogël dhe delikate. Dallëndyshja i kushtoi një melodi të shkurtër dhe iku. Princi mbeti i mrekulluar. Kënga e saj iu duk më e ëmbla në botë, puplat e saj më origjinale nga të gjithë. Ishte një krijesë e veçantë. Nga ai moment e tutje, princi i kalonte ditët në padurim për kthimin e saj. Më në fund dita e shumëpritur erdhi dhe dallëndyshja u shfaq për t’i kënduar një melodi të re. Princi u ndje me të vërtetë fatlum. – Do të ketë ftohtë? – pyeti, sapo ajo fluturoi. Herën e tretë që u kthye, princi pyeti i shqetësuar, nëse zogu ishte i uritur. Në ditët në vazhdim u mor me ndërtimin e një kafazi për dallëndyshen. Dërgoi shërbëtorin e tij të blinte dru dhe gozhdë dhe për të mbledhur insekte. Në fund e urdhëroi edhe për ta ndërtuar kafazin. Zog i mallkuar! – mërmëriste shërbëtori. Në brendësi të kafazit i vuri insekte dhe ujë si dhe disa pëlhura mëndafshi dhe një krevat. Kur pa zogun që u ul mbi parvaz, iu afrua dhe u mrekullua nga pamja e zogut që po hante ushqimin. –Të pëlqejnë këto insekte dallëndyshja ime e ëmbël? – e pyeti. – I kam mbledhur për ty. Cicërima e saj u duk se pohoi pozitivisht para se të fluturonte.

Princi jetonte me dyshimin.

Qysh atëherë princi u pushtua nga ankthi. Po sikur të mos kthehej më? Po sikur të kishte gjetur një strehë më të mirë? Ndoshta princër të tjerë mund të kishin ndërtuar fole më të mira dhe t’i kishin mbledhur vetë ata insektet. Këtë s’mund ta lejonte. Nuk kishte një dallëndyshe të dytë në botë. Princi kaloi dy net pa gjumë dhe nuk humbi kohë, po ndërtoi një derë me kyç për kafazin. Dallëndyshja, si gjithmonë u kthye dhe kur hyri në kafaz për të provuar ushqim u mbyll brenda nga princi. – Të dua! – u shpreh ai. Me mua nuk do të të mungojë më as ushqimi dhe as uji dhe nuk do të kesh më ftohtë. Pak e turbullt dallëndyshja e la veten të rrëmbehej nga komoditeti. Shijonte ngrohtësinë e strehës së saj dhe ushqimin e vazhdueshem, pa i dashur të ulej nëpër parvaze. Princi e vendosi kafazin pranë komodinës në mënyrë që t’i uronte mëngjesin e mirë, t’i përkëdhelte kokën. – Je dallëndyshja ime, më këndo një melodi, e dashur! – kërkonte. – Kjo pamje nuk është aspak e keqe, – mendonte dallëndyshja. Dhe këndonte, por me kalimin e kohës melodia e saj u zbeh, derisa humbi fare.

Dallëndyshja humbi melodinë e saj.

-Nuk po këndon më? – e pyeti princi budalla. – Melodia jote më lumturonte.

– Kënga ime frymëzohej nga gurgullima e përroit, nga shushurima e erës mes gjetheve të pemës, reflektimi i hënës mbi shkëmbinjtë e malit. Dhe unë ta sillja e lumtur, por që kur jam mbyllur në këtë kafaz nuk gjej asgjë kujt t’i këndoj.

– E bëj sepse të dua, – i tha princi. – Është e rrezikshme të të lë të fluturosh vetëm. Po sikur të të ndodhë ndonjë gjë? Po sikur të mos gjesh ushqim? Po sikur të të qëllojë ndonjë gjahtar?

– Kush? – Çfarë është një gjahtar? – pyeti ajo.

– Unë të mbroj dhe kujdesem për ty. Këtu brenda je e sigurt nga çdo rrezik.

Një ditë princi u zgjua i lemerisur. Bëri ta përkëdhelte dallëndyshen, por e gjeti të ngordhur. Tërbimi bëri që t’i zbrazej shërbëtorit, me siguri ndonjë nga insektet që i kishte dhënë e kishin vrarë. Fakti që gjeti një fajtor nuk e ngushëlloi princin që u ndie akoma më i vetmuar dhe i pambrojtur krahasuar me atë që ndiente, kur nuk kishte njohur dallëndyshen, derisa një tjetër dallëndyshe nuk u ul mbi parvaz dhe derisa nuk i këndoi një melodi, më të ëmblën që kishte dëgjuar ndonjëherë.

Marrëdhëniet me kyç e sfilitin dashurinë.

Ky tregim na shpjegon lidhjen e brendshme të marrëdhenies në çift, duke na treguar sesi shpesh frikërat dhe druajtjet tona kapërcejnë dëshirat dhe të drejtat e të tjerëve. Përpjekja për të ndryshuar njerëzit që njohim s’na bën gjë tjetër veçse na largon nga ata, nga lumturia e tyre. Pa e kuptuar po i privojmë nga ajo që janë. Kjo lloj lidhje ose ky përkushtim mund të gjenerojë tek ne turbullim duke na bërë që të hiperbolizojmë cilësitë e njeriut që duam dhe ta trasformojë tek sytë tanë në një qenie të veçantë dhe të pazëvendësueshme duke shtuar ankthin për një humbje të mundshme. Me justifikimin e mbrojtjes ose të një mirëqenie mund t’i privojmë tjetrit lirinë. Ky është një tregim mbi përkushtimin, por edhe një histori që flet për dashuri. Dashuri është të pranosh dhe të respektosh mënyrën e të qënit të tjetrit, t’i urosh lumturi para se të kënaqësh nevojat e tua dhe të lësh që të fluturojë, kur ka nevojë, nëse është kjo që e bën të lumtur, pikërisht si dallëndyshja. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button