Enciklopedike

PRO ose KUNDER / Kapitalizmi është më i mirë se sa socializmi?

Screen Shot 2015-09-10 at 16.45.41

Debati mbetet gjithmonë i ndezur mes kapitalistëve dhe socialistëve. Thelbi i doktrinës kapitaliste është besimi se mjetet e prodhimit dhe shpërndarjes duhet që të kenë pronarë privatë, me qëllim që të gjenerojnë fitim; pronësia private dhe sipërmarrja e lirë besohet se të çojnë drejt një efiçence më të lartë, çmime më të ulët, produkte më të mirë dhe rritje të begatisë.

Socializmi – një teori që mbron idenë se pronësia dhe kontrolli i mjeteve të prodhimit duhet t’i përkasë komunitetit, për të mirën e përbashkët: si pasojë, pritshmëria është që komuniteti të jetë më i drejtë dhe më njerëzor.

Nuk ka diskutim që kapitalizmi mbetet sistemi dominues në botën e sotme, megjithatë, fakti që është dominues, nuk nënkupton domosdoshmërisht që është forma më e epërme.

Shekulli 20 është dominuar nga debate të ashpër, që kanë sfiduar ose justifikuar vlefshmërinë e kapitalizmit; fuqitë botërore kanë patur dhe vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje në lidhje me përfitimet dhe disavantazhet e sistemit, dhe pasojat e këtyre mosmarrëveshjeve mund të dallohen, mes të tjerash, tek mbetjet e luftës së ftohtë.

Të shumtë janë ata që besojnë se kjo çështje u zgjidh një herë e mirë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fundin e viteve Tetëdhjetë, ku u duk se sistemi kapitalist kishte arritur fitoren përfundimtare kundër socializmit. Kjo duke u nisur nga dështimet ekonomikë dhe tmerret e ish vendeve të BRSS. Megjithatë, pavarësisht një rënieje të interesit në fundin e viteve ’80 dhe në vitet ’90, debati nuk e ka humbur peshën e tij, dhe ai u ringjall fort, bashkë me krizën financiare të vitit 2008. Për shkak të pasojave të rënda të papunësisë në masë, shkaktuar nga kriza, tashmë po forcohet gjithnjë e më shumë pikëpyetja që i është vënë prej kohësh, vlefshmërisë së sistemit ekonomik kapitalist në perëndim. Rëndësia dhe aktualiteti i debatit janë të jashtëzakonshme, pasi ai ka forcën për të riformësuar vetë themelet e shoqërisë sonë.

PRO, SEPSE: Tregu duhet të përcaktojë çmimin e mallrave dhe shërbimeve

ARGUMENTI: Tregu i lirë u jep njerëzve fuqinë që të zgjedhin dhe vendosin se cilët produkte dhe shërbime u duhen ofruar atyre. Nëse shumë njerëz duan të njëjtën gjë, kërkesa do të jetë më e lartë dhe do të sjellë përfitim për ata në treg, përderisa do të shitet, kështu që njerëzit “komandojnë” – përmes asaj që duan – se cilët produkte u ofrohen atyre. Kështu që, tregu përcaktohet përmes asaj që u nevojitet njerëzve, dhe kështu nuk do të ketë tepri të produkteve dhe shërbimeve të ofruara. Për shembull, le të supozojmë se shumë njerëz duan të shohin basketboll të cilësisë së lartë. Një person si Majkëll Xhordan, i cili ka talent të madh për basketbollin dhe ika “mprehur” aftësitë e tij për basketbollin, në këtë rast do të ishte shumë i kërkuar. Njerëzit janë gati të paguajnë për shërbimet që ai ofron (basketboll i shkëlqyer), dhe si pasojë, paga e tij e lartë do të justifikohet. Nga ana tjetër, një lojtar basketbolli mediokër nuk do të paguhej aspak, sepse nuk ka kërkesë për të parë basketboll mediokër, shërbimi i tij nuk ka tërheqje në treg dhe si pasojë do të eleminohet. E gjithë kjo është pjesë e atij që mund të quhet “një sistem kapitalist dinamik”, i cili vlerëson individualitetin (“mprehja” e aftësive në basketboll), shpërblen aftësinë (të paturit e aftësive në basketboll) dhe ndërmarrjen e risqeve (riskimi që do të kesh sukses).

KUNDERARGUMENTI: Shpesh herë, kur konsumatorët blejnë gjëra, ata mund të besojnë se gjoja kanë mundësi zgjedhjeje, kur në të vërtetë nuk kanë, përderisa u paraqiten disa opsione; për shembull, unë mundem ose të shoh këtë film shumë të kërkuar, ose atë film shumë të kërkuar në kinema. Megjithatë, nuk ka një opsion për të parë ndonjë gjë tjetër, përveç një filmi shumë të kërkuar, kështu që nuk është se më ofrohet një zgjedhje reale.

Kapitalizmi e ka përcaktuar tashmë se çfarë do të prodhohet, dhe konsumatorit nuk i mbetet veçse të blejë atë që i ofrohet. Një tjetër shembull mund të jetë që, në treg mund të gjejmë një gamë të gjerë produktesh, por ushqimi i mirë është i kushtueshëm, kështu që njerëzit me më pak të ardhura përfundojnë duke ngrënë ushqim të pashëndetshëm, përderisa njëri prej opsioneve nuk është i disponueshëm për njerëzit me më pak të ardhura, për shkak të çmimit.

Një kundërargument tjetër mund të jetë gjithashtu vënia në dyshim e vlefshmërisë së faktit që, çmimi i një produkti/shërbimi duhet të përcaktohet vetëm prej tregut. A është e justifikueshme që Majkëll XHordani duhet të fitojë shumë më tepër se sa një infermiere? Infermierja ofron një shërbim që shpëton jetë, ndërkohë që Majkëll Xhordani vetëm ofron argëtim. Edhe pse është vetëm Majkëll Xhordani që mund ta ofrojë një basketboll të cilësisë së lartë, ndërkohë që ka shumë infermierë të kualifikuar, sërish nuk është aspak e justifikuar diferenca në pagë mes të dyve.

Po ju, si mendoni? Bëhuni pjesë e debatit duke komentuar në bota.al.

(Bota.al)

Leave a Reply

Back to top button