Analiza

Problemet e mëdha për ngritjen e një ushtrie të BE

Ideja e një ushtrie të BE-së, gjithnjë duke iu kundërvënë presidentit rus Vladimir Putin është qesharake, sepse unanimiteti midis qipriotëve, grekëve, italianëve dhe austriakëve, mbi nevojën për të luftuar Rusinë, është i paimagjinueshëm

Screen Shot 2015-03-12 at 22.29.19Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, ka identifikuar në mënyrë korrekte një problem serioz: paaftësinë ushtarake dhe diplomatike të Evropës, tejet i dukshëm edhe ndaj publikut, lidhur me përgjigjen e saj të dobët dhe të paorganizuar ndaj krizës në Ukrainë.

Por fatkeqësisht zgjidhja që ai propozon – një forcë ushtarake e BE-së – është jofunksionale, e pakëshillueshme dhe e pamatur. Buxhetet ushtarake evropiane, janë në rënie të vazhdueshme, në një kohë që kërcënimet janë shumëfishuar, dhe madje edhe forcat më të afta ushtarake të Evropës, si për shembull ajo e Britanisë së Madhe, është duke u reduktuar ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, Evropa shpenzon 190 miliardë euro në vit për mbrojtjen, dhe kolektivisht krenohet me 1.5 milionë trupa që ka në dispozicion.

Kjo shifër është thuajse e barabartë me ushtrinë e SHBA, dhe mëse 2 herë më shumë, sesa forca ushtarake e Rusisë.

Megjithatë ka kaq shumë dyfishime rolesh dhe harxhime të kota, në aspektin e forcës dislokueshme, saqë aftësitë e Bashkimit Evropian mbeten relativisht të zbehta. Më e keqja është se çdo përgjigje e përbashkët ushtarake apo diplomatike, kërkon unanimitetin e 28 vendeve anëtare, të cilat sikurse vë në dukje ish-diplomati i BE, Havier Solana, kanë perceptime të ndryshme mbi kërcënimet e interesave dhe të sigurisë.

Edhe Solana, është duke bërë thirrje për një komandë të përbashkët të BE-së, ndonëse jo tekstualisht për një ushtri më vete. Aty ku Junker dhe Solana gabojnë, është se i shikojnë këto gjëra si një lloj shmangie. Por ato janë fakte thelbësore. Ideja e një ushtrie të BE-së, gjithnjë duke iu kundërvënë presidentit rus Vladimir Putin është qesharake, sepse unanimiteti midis qipriotëve, grekëve, italianëve dhe austriakëve, mbi nevojën për të luftuar Rusinë, është i paimagjinueshëm.

Kjo është edhe arsyeja, se përse trupat ushtarake të BE-së, dhe konkretisht batalionet e reagimit të shpejtë, që kanë qenë funksionale që nga viti 2007, nuk kanë hyrë kurrë në veprim. C’është më e keqja, që një ushtri e BE të ketë realisht ndonjë kuptim, do të detyronte marrjen e trupave në dispozicion dhe pajisjet nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, një aleancë që ka më shumë gjasa të ndërmarrë veprime ndaj krizave të ndryshme. Dhe sado që zyrtarët e BE thonë se kjo forcë do të jetë thjesht plotësuese e NATO-s, konkurrenca do të jetë e pashmangshme.

Evropa ka diskutuar që nga viti 1950, mbi krijimin e një ushtrie të përbashkët (Franca e shkatërroi atë projekt), dhe për një dekadë, Agjencia Evropiane e Mbrojtjes u ngarkua të koordinonte veprimtarinë e industrive të mbrojtjes në kontinent. Por arritjet e saj nuk janë domethënëse. Kjo nuk është shenjë e mirë, për çdo përpjekje të re për të formuar një forcë të pan-evropiane, e cila do të kërkonte sakrifikimin e sovranitetit kombëtar, mbi vendimin për të çuar ushtarët në zona të rrezikshme.

Një rekomandim më praktik u dha këtë javë nga ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samanta Pauer, sipas së cilës do të ishte më mirë që vendet evropiane të përmbushin angazhimet e tyre në kuadër të NATO-s. Grupi i punës i kryesuar nga Solana ka ofruar kohët e fundit ide të mira mbi këtë çështje, duke përfshirë krijimin e një tregu të vetëm për industritë e mbrojtjes të Evropës.

Por ajo që Europa ka më shumë nevojë, është vullneti politik për t’i dhënë NATO-s aftësitë ushtarake që kërkon dhe jo një shtresë të re burokratësh me helmeta në stafin e komandës së përhershme në Bruksel. Në përgjithësi, propozimet e Solanës dhe Junkerit luajnë pikërisht me llojin e zhgënjimit, që aq shumë evropianë ndjejnë për projektet e mëdha të BE-së. Në mesin e një krize ekonomike të zgjatur dhe thelluar nga një monedhë e përbashkët, gjëja e fundit që evropianët kërkojnë, është konflikti për ngritjen e një ushtrie të përbashkët. /”Bloomberg View”/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button