Nuk përbën lajm fakti që rritja e ulët ekonomike ështn një ndihmë për forcat opozitare në politikë. Në vend që të flasë për rritjen e pandalshme të populizmit, Europa ka nevojë për një bashkëbisedim më produktiv, për arsyet përse normat e rritjes ekonomike kanë vazhduar të bien në shmë vende perëndimore. Kjo mund të mos jetë krejt e palidhur, me faktin që, kurrë më parë në histori, qeveritë nuk kanë qenë kaq dorëlëshuara dhe taksat kaq të larta
Alberto Mingardi*
Kur flasim për politikë, është gjithmonë tunduese që të përdorësh një “mega-tendencë” për të shpjeguar gjendjen e botës. Sot, më në modë është “ngjitja e populizmave”.
Fatkeqësisht, ky është një term, sa i rrëshqitshëm, aq edhe popullor. Eshtë përdorur për mbështetësit e Brexit të arsimuar në Oxford, si Boris Johnson dhe Michael Gove, por edhe për komedianin italian Beppe Grillo, për neomarksistin spanjoll, Pablo Iglesias, e deri për udhëheqësen e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen.
E vetmja gjë që ky “asortiment” lara-lara ka të përbashkët, është se establishmenti politik në vendet e tyre, mosbesues ndaj mesazhit të tyre politik, ka vendosur t’i etiketojë si “populistë”.
Nuk është e vështirë ta kuptosh arsyen. Për establishmentet politike, “ngjitja e populizmit” ofron një rrëfim disi rehatues. Ajo sugjeron se në lëvizje mund të jenë vënë forca të fuqishme historike – forca ndaj të cilave politikanët në pushtet janë të shurdhër, e në të njëjtën kohë të pafuqishëm për t’u rezistuar.
Një numër i madh intelektualësh, duke përfshirë ekonomistin francz, Thomas Piketty, thonë se për rritjen e populizmave, mund të fajësohet zgjerimi i hendekut në shpërndarjen e pasurisë. Komentatorë dhe vëzhgues që përpiqen t’u japin një kuptim sukseseve elektorale të udhëheqësve politië “mjeranë”, diagnostikojnë rrëmujat e tyre politike, si prova të luftës së klasave.
Duke vepruar kështu, ata e shndërrojnë krizën e legjitimitetit të establishmenteve politike, në një argument për të bërë më shumë nga ajo që dinë të bëjnë më mirë: rishpërndarjen e parave. Në këtë kuadër, rritja e populizmave është shndërruar në një sinjal, se shteti nuk po rishpërndan sa duhet.
* * *
Shembulli më i mirë – dhe më i fundit – është referendumi kushtetues në Itali, në 4 dhjetor, i cili solli një humbje të rëndë për kryeministrin, Matteo Renzi. Nëse Renzi – kohët e fundit edhe ai vetë një “kryengritës” – nuk mund t’i ndalte populistët, ata janë vërtetë lëvizje, të cilave u ka ardhur koha. Po a ishte vërtetë rritja e populizmit, që i shkaktoi humbjen Renzit?
Lëvizja populiste 5 Yjet ka vite që ka fituar terren, duke arritur 30 përqind të votave në sondazhe dhe fituar zgjedhje lokale, duke përfshirë edhe bashkinë e Romës. Pavarësisht se është një lëvizje e majtë, partia ka qenë në gjendje të tërheqë vota edhe djathtas. Dhe ashtu si Podemos në Spanjë, ajo e ka shtuar ritmin, teksa establishmenti politik perceptohet gjithnjë e më shumë si i korruptuar dhe parazit.
Në betejën e tij për të fituar referendumin, Referendumi huazoi disa prej shprehjeve kyçe të tyre dhe u përpoq të shpallë, se edhe ai po luftonte establishmentin dhe rreptësinë fiskale – por më kot.
Renzi e dinte që votuesit nuk do të ngazëlleheshin prej hollësive teknike të kushtetutës, dhe kështu ai e përshkroi votimin si një lloj zgjedhjeje të përgjithshme: Votoni Po nëse doni që qeveria ime të vazhdojë. Nuk është habi që shumica e italianëve u përgjigjën negativisht; që nga viti 1996, italianët kanë votuar kundër politikanëve në pushtet, sa herë që kanë mundur.
Italianët kanë kërkuar një udhëheqës reformist prej 20 vitesh – dhe janë zhgënjyer rregullisht. Këtu, Renzi nuk bën përjashtim.
Aritmetika elektorale luajti një rol në humbjen e referendumit nga Renzi (ai garoi i vetëm kundër të gjithë partive të tjera), por problemi i madh që ai ndeshi, ishte se nismat e tij politike, duke përfshirë shpenzimet e pakëta publike, nuk kishin mjaftuar për të nxitur rritjen ekonomike.
Me marrjen e detyrës në vitin 2014, Renzi premtoi reforma të fuqishme për shumë shpejt kuptoi se ato do i jepnin rezultatet shumë vonë, për të qenë të dobishme elektoralisht. Kështu që, ai provoi strategjinë e vjetër të ndërtimit të konsensusit përmes shpenzimeve. Ai filloi me një bonus mujor takse prej 80 Euro për ata që fitonin më pak se 26 mijë Euro në vit, shtoi vende të reja për mësues në shkolla publike, dhe u dha bonuse speciale pensionistëve si dhe një “kupon kulture” prej 500 Eurosh, italianëve që mbushnin 18 vjeç. Vetëm dy ditë para referendumit, ai premtoi të rrisë pagat e nëpunësve të qeverisë, pas një ngrirjeje prej shtatë vitesh. Në total, Renzi mund të ketë rritur shpenzimet publike me afro 1% të GDP-së.
Italia ka patur rritje ekonomike negative që nga viti 2007 dhe ka ngecur në vend ekonomikisht, që nga vitet ’90. Politikat e Renzit nuk mjaftonin për ta vënë ekonominë sërish në lëvije.
Ajo që ndodhi në Itali nuk është një rrëfim për pashmangshmërinë historike të populizmit. Ajo as nuk ilustron nevojën për të ndjekur politika më të guximshme rishpërndarjeje. Eshtë thjeshtë historia e dështimit të një udhëheqësi politik, i cili u përpoq të sigurojë konsensus popullor përmes një serie masash të vogla, dhe me kalimin e kohës i pati kundër votuesit, për shkak se nuk ofroi një vizion për ringjalljen e rritjes ekonomike.
Harrojeni për një moment joshjen e tendencave politike si “rritja e populizmave”, dhe do ju shfaqet një panoramë më komplekse.
Nuk përbën lajm fakti që rritja e ulët ekonomike përbën një ndihmë për forcat opozitare në politikë. Në vend që të flasë për rritjen e pandalshme të populizmit, Europa ka nevojë për një bashkëbisedim më produktiv, për arsyet përse normat e rritjes ekonomike kanë vazhduar të bien në shmë vende perëndimore. Kjo mund të mos jetë krejt e palidhur, me faktin që, kurrë më parë në histori, qeveritë nuk kanë qenë kaq dorëlëshuara dhe taksat kaq të larta.
Ka vetëm një problem me këtë lloj bashkëbisedimi: ai do të privonte shumëkënd në Kontinent, nga një rrëfim i dobishëm i asaj që ka shkuar keq nën drejtimin e tyre, si dhe nga një justifikim për rritjen e intervencionizmit, që ata mbrojnë.
* Alberto Mingardi është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit “bruno Leoni” dhe një akademik në Institutin Cato në Uashington
Politico – www.bota.al