Analiza

Profecia e Henry Kissingerit

Rikthim tek realpolitika. Obama, Meterniku i ri?

Screen Shot 2015-04-10 at 21.42.20

Presidenti amerikan ka braktisur iluzionin e eksportimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kërkon të garantojë stabilitetin përmes ekuilibrit mes fuqive. Ashtu si princi austriak, nxitësi i rimëkëmbjes europiane. Dhe ashtu si dijetari i tij i preferuar: Henry Kissinger

“Vlera më e madhe e një marrëveshjeje me Iranin qëndron në perspektivën e përmbylljes, apo të paktën të ndryshimit, të tre dekadave e gjysmë armiqësi ushtarake kundër Perëndimit, dhe në përfshirjen e Iranit në një përpjekje për stabilizim në Lindjen e Mesme. Irani është një komb i madh, me një kulturë të lashtë, një identitet të fortë, një popullsi të re në moshë dhe të arsimuar. Nëse rishfaqet si partner, do të ishte një ngjarje me përmasa historike”. Ky gjykim vjen nga diplomati më i madh, ende gjallë: Henry Kissinger. Arkitekti i shkrirjes së akujve mes SHBA dhe Kinës, regjisori i udhëtimit historik të Richard Nixonit në Pekin në vitin 1972, duket se po mendon pikërisht “për atë kombin tjetër me një kulturë të lashtë”, që ai kontribuoi për ta transformuar nga një armik militant të perëndimit, në një partner të globalizimit.

Kur ka shumë pak kohë që ka dalë libri i tij më i fundit, “Rendi botëror”, në SHBA janë të shumtë ata që shfaqin bindjen se Henry Kissingeri është mësuesi i vërtetë i Barack Obamës. Që presidenti këshillohet apo e dëgjon, ky nuk është një mister. Në moshën 91 vjec, ish Sekretarit të Shtetit i janë besuar madje disa misione “joformalë” dhe shumë konfidencialë, në kontaktet me disa qeveri të huaja. Mbi të gjitha, doktrina e re Obama në Lindjen e Mesme duket se është frymëzuar nga ajo realpolitikë, e cila shoqërohet me vetëm tre emra: austriaku Meternik dhe francezi Talleyrand në Tetëqindën, Kissinger në Nëntëqindën. Me realpolitikën janë të lidhura dy kthesat më të fundit të Obamës. Nga njëra anë, hapja ndaj Al Sisit në Egjipt: një pranim indirekt se një udhëheqës autoritar mund të garantojë atë stabilitet që “pranverat

arabe” e kishin prishur, nga Kairo në Tripoli. Një kthesë jo e vogël, nëse e krahason me fjalimin e Obamës në Kairo në qershor 2009, që frymëzoi shpresat për një sezon demokracie dhe të drejtash të njeriut. Kthesa e dytë është ajo pothuajse-marrëveshje për bërthamoren iraniane: ende e pasigurtë, duke parë që republikanët në Kongresin e SHBA dhe frenimet e papritur në Teheran mund ta sabotojnë.

Tek New York Times, Ross Douthat ka folur për metodën Meternik, sa i përket negociatave me Iranin. (Dhe kur përmendet Meterniku, shfaqet gjithmonë studiuesi i tij më i famshëm, pikërisht Kissingeri). Obama duket se është dorëzuar para faktit që një Pax Americana e re në Lindjen e Mesme mund të funksionojë vetëm duke shfrytëzuar rivalitetet lokale, duke i kundërvënë mes tyre dhe duke i ekuilibruar, për të arritur

herë pas here ekuilibra të përkohshëm që sigurojnë një formë stabiliteti, ndonëse i brishtë dhe provizor. Prej këtu buron edhe baraz- distanca e tij nga sunitët dhe shiitët, nga Arabia Saudite dhe Irani, në shumë konflikte, që nga Siria, në Jemen. Duke braktisur edhe iluzionin e eksportimit të demokracisë, të drejtave të njeriut, të paktën në terma kohëshkurtër.

Eshtë një arsye për të lexuar me vëmendje “Rendin botëror”. Në këtë vepër monumentale, Kissinger riinterpreton historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u nisur nga Paqja e Vestfalisë që në vitin 1648 i dha fund luftërave fetare në Europë. Fija që përshkon librin e Kissingerit është kërkimi për një metodë, e cila të garantojë paqe dhe stabilitet përmes ekuilibrit mes fuqive dhe mosndërhyrjes në cështjet e brendshme të shteteve sovranë.

Duke rindërtuar historinë e Europës, duke nisur nga epoka në të cilën fanatizmat fetarë në Kontinentin e Vjetër nuk ishin më pak të përgjakshëm se sa xhihadi i kohëve të sotëm, Kissingeri e bën paqen e Vestfalisë një model ende të dobishëm, të pasur me mësime. Pikërisht që nga ai moment, njihet në mënyrë përfundimtare sovraniteti i shteteve. Me një konkluzion që sot, sigurisht, nuk është “politically correct”: nëse respekton vërtetë sovranitetin e fqinjit tënd, ajo që ndodh brenda kufijve të tij nuk të përket. Nuk është i pajtueshëm me detyrën e ndërhyrjes humanitare, pra. Etika dhe diplomacia nuk kanë shkuar asnjëherë në pikëpamjen kissingeriane. Të mëdhenj apo të vegjël, të fortë apo të dobët, të gjithë shtetet shihnin tek Traktati i Vestfalisë njohjen e ekzistencës dhe dinjitetit të tyre. Kjo

nuk nënkupton që si me magji nisi të mbretërojë aqja dhe harmonia. Pati luftëra të tjera. Të cilat në shumicën e rasteve u përcaktuan prej dy faktorëve. I pari, shfaqja e një fuqie të re në ngjitje, e vendosur që të afirmohet në dëm të fqinjëve të saj. I dyti, futja e një ideologjie “universale”, e vendosur që të impononte vlerat e saj. Tronditja më e madhe për rendin europian erdhi nga Revolucioni Francez – zëdhënës i vlerave universale – dhe në vazhdim prej Napoleonit. Në Kongresin e Vienës, në vitin 1815, iu shtua një tjetër element rregullave të Paqes së Vestfalisë: ekuilibri i fuqive. I konceptuar nga Richelieu, zbatuar nga Meterniku dhe Tayllerandi, ekuilibri i fuqive ishte një lojë delikate aleancash dhe kundëraleancash, që kishte për qëllim të shfaqjen e një aktori të vetëm shumë të fortë.

Anglia, në kulmin e forcës së saj, u bë një arbitër, duke zhvendosur herë pas here aleancat e saj për të mos lejuar dominimin e një fuqie kontinentale në dëm të të tjerave (Prusia, Austro-Hungaria, Franca, Rusia). Princërit e Vestfalisë dhe të ekuilibrit mes fuqive, vazhduan që të destabilizohen, sa herë që në skenë shfaqej një ideologji me pretendime universale, që e vetëkonsideronte legjitime ndërhyrjen në punët e brendshme të fqinjëve: fashizmi, nazizmi, komunizmi në shekullin XX. Sot, natyrisht që xhihadi nuk e njeh parimin e “Cuius regio, eius religio”: aplikon dënimin me vdekje ndaj jobesimtarëve, dëshiron të bashkojë nën të njëjtën teokraci të gjithë botën islamike, duke eleminuar kufijtë aktualë mes shteteve.

Doktrina Obama mund të arrijë të organizojë një ekuilibër mes fuqive, e në këtë mënyrë të

mundësojë edhe atë tërheqje graduale ushtarake që presidenti amerikan e ka dashur gjithmonë? Eshtë sërish Kissingeri që shprehet për këtë, në një editorial të shkruar bashkë me një tjetër ish sekretar shteti republikan, George Schulz.

Duke hedhur hipotezën që Irani nuk i respekton marëveshjet, apo që i respekton vetëm për dhjetë vite të parashikuar në të dhe më pas ndërton bombën atomike, Kissingeri ngre pyetjen nëse ekuilibri i fuqive është i zbatueshëm në një garë për armën bërthamore mes Iranit dhe fqinjëve rivalë (Arabia Saudite, Egjipti, Turqia). Ai kujton ekuilibrin e terrorit dhe të vetëpërmbajtjes gjatë luftës së ftohtë: atje protagonistët ishin shtete të qëndrueshëm, ndërkohë që në Lindjen e Mesme shohim luftëra të kryera nga grupe ushtarakë, terroristë, disa prej të cilëve lartësojnë martirizimin. Një skenar shumë i ndryshëm nga

stabiliteti që SHBA dhe BRSS garantuan dikur, nga frika e asgjësimit bërthamor reciprok. Një tjetër dyshim i Kissingerit: “Teoria tradicionale e ekuilibrit mes fuqive na mëson që duhet forcuar pala më e dobët, jo ajo që është në ngjitje”. Që është Irani.

Nxënësi Obama nuk ka përfunduar së kaluari provimet e profesor Kissingerit. Statisti është i bindur që “pasionet që nxisin Lindjen e Mesme, bashkë me armët e shkatërrimit në masë, mund ta detyrojnë Amerikën të përfshihet më shumë; Historia nuk do ta bëjë punën që na takon neve; Historia ndihmon atë që di të ndihmojë vetveten”.

I tiji nuk është një refuzim pa të drejtë apelimi. Sic mëson “Rendi botëror”, diplomacia lundron prej shekujsh në kompleksitet. Sipas Kissingerit, që doktrina Obama të ketë sukses, duhet që ta

shtyjë Iranin jo vetëm drejt vetëkufizimit ushtarak, por edhe drejt moderimit politik, që të pushojë së destabilizuar të gjithë vendet fqinjë, përmes forcave aleate të tij (Hamasi, Hezbollahu, grupet e militantëve shiitë). Duke iu përmbajtur, nga ana e tij, një paqeje si ajo e Vestfalisë.

Leave a Reply

Back to top button