Analiza

PROFIL / Kështu krijohet një ikonë. Presidenti Xi ndryshon Kinën

Ky është Xi heroi, Xi shefi i madh – shumë më tepër në një linjë me Vladimir Putinin e Rusisë, sesa me imazhin e kuptueshëm të kultivuar për udhëheqjen kolektive të Kinës, që nga lideri suprem Ten Hsiao Pin. Ka vetëm 2 vite në zyrë, por fytyra e Xi-së është e gjithëpranishme, duke ia kaluar madje edhe asaj të Tenit e duke ringjallur kësisoj kujtimet e Mao Ce Dunit

Screen Shot 2015-02-14 at 09.54.55

I rrethuar nga ushtarët në një garnizon në Makao, presidenti kinez Xi Jinping, mbante mbi sup një pushkë stërvitore me lazer, gjatë një inspektimi që zhvilloi 20 dhjetorin e shkuar. Sipas pamjeve, që transmeton televizioni shtetëror, ai godet çdo herë në shenjë, duke nxitur duartrokitje të zjarrta.

Ky është Xi heroi, Xi shefi i madh – shumë më tepër në një linjë me Vladimir Putinin e Rusisë, sesa me imazhin e kuptueshëm të kultivuar për udhëheqjen kolektive të Kinës, që nga lideri suprem Ten Hsiao Pin. Ka vetëm 2 vite në zyrë, por fytyra e Xi-së është e gjithëpranishme, duke ia kaluar madje edhe asaj të Tenit e duke ringjallur kësisoj kujtimet e Mao Ce Dunit, portreti i qeshur i të cilit, shikon ende para sheshit Tiananmen në Pekin.

Ndërsa qeveria e tij e rimodeloi ekonominë e dytë më të madhe në botë, duke filluar të shfaqë muskujt që sa vinte e fryheshin. Kina e Kuqe është bërë Kina e Xi-së. Kjo pjesërisht me dashje, dhe pjesërisht për shkak të karizmës së tij. Xi, 61-vjeç, ishte zgjedhja e pleqve të partisë dhe liderëve në ikje e sipër, të cilët dëshironin një udhëheqës të aftë të trajtonte çështjen akute të pabarazisë në rritje që ka vendi, dhe ripërtërirë ekonominë drejt fazës së udhëhequr nga tregu.

“Ata donin një njeri të fortë:dikë që do të mund të linte në shtëpi interesat vetjake, dhe që mund të spikasë në skenën ndërkombëtare” – tha Endrju Natan, profesor i shkencave politike në Universitetin amerikan të Kolumbias. “Ai e ka atë lloj personaliteti dhe ndjenjën e misionit”- shton Natan.
Xi reflekton një stil lidershipi, që po fiton terren në disa nga ekonomitë në zhvillim më të mëdha të botës. Një figurë e fuqishme dhe karizmatike, që përzien nacionalizmin dhe autokracinë për të fituar popullaritet, ndërsa imponon axhendën e tij ekonomike dhe politike. Ashtu si Putini në Rusi, apo Rexhep Taip Erdogani në Turqi, statusi mitik do t’i jepte Xi-së mbështetjen popullore për të rimodeluar vendin, ndërsa po trajton çështje të tilla jopopullore si ndotja mjedisore dhe spekullimet me pronën.

Qytetarët e lodhur
Detyra e Xi-së, u bë shumë më e vështirë me rritjen ekonomike, që vitin u kaluar u ngadalësua në 7.4 përqind, norma më e dobët në 24 vitet e fundit. Kina regjistroi një sufiçit tregtar rekord në janarin e këtij viti, ndërsa importet pësuan rënien më të madhe të 5 viteve, e shkaktuar kjo nga çmimet në rënie të mallrave, si dhe kërkesa e brendshme e dobët.
“Si qenie njerëzore, ne e kemi më të lehtë të identifikohemi me një udhëheqës që mund t’i besojmë, sesa me një diçka abstrakte. Mao e kuptonte këtë shumë mirë”- shprehet Xhun Drejer, profesor i shkencave politike në Universitetin e Majemit. “Xi po e përdor kultin e tij të personalitetit, në përpjekje për të mobilizuar një publik disi të lodhur pas tij, ndërsa përpiqet në punën e vështirë të ristrukturimit të Kinës”- shton ai.
Libri i Xi-së, një përmbledhje e fjalimeve dhe shkrimeve nën titullin “Qeverisja e Kinës”, është shitur mbi 3 milionë kopje, që prej publikimit shtatorin e shkuar, si dhe është përkthyer në 5 gjuhë të huaja. Pothuajse çdo bos i partisë, deri në nivel fshati, zotëron një kopje të tij. Ideja e tij e shumë- lavdëruar e “Ëndrrës kineze”, është përmendur plot 115 herë në libër, ku përfshihen edhe foto të tij duke pastruar plehrat për të parandaluar përmbytjen nga lumi, përgatitjen e ushqimit në një shtëpi pleqsh apo dhe shpërndarjen e batanijeve për fshatarët, gjatë një dimri të ashpër.
Kulti i personalitetit
“Kulti i personalitetit po rikthehet shumë fuqishëm”- thotë Zhan-Pier Kabestan, drejtor i studimeve qeveritare dhe ndërkombëtare në “Universitetin Baptist” të Hong Kong, i cili e vëzhgon politikën kineze prej më shumë se 30 vjetësh. Ngjitja e Xi-së, është një mënyrë për partinë “për të gjetur simbole, ikona të reja që mund të mbajnë shoqërinë së bashku dhe personifikojnë Ëndrrën e Kinës”.
Qëkur u zgjodh shefi i partisë në nëntor të vitit 2012, Xi nisi marrjen e masave më të ashpra kundër korrupsionit, që ishin parë ndonjëherë prej themelimit të Republikës Popullore në vitin 1949, duke marrë përsipër kryesimin e paparë të shtatë komisioneve, për hartimin e reformave në ushtri, financa, ekonomi dhe përsa i përket sigurisë kibernetike.

Në pleniumin e tretë të partisë në nëntor të 2013-ës, Xi publikoi reforma rrënjësore, kryesisht në ekonominë e vendit, bazuar në parimin se tregu duhet të luajë “një rol vendimtar” në ekonomi. Dokumenti 60-pikësh, përfshinte iniciativa të ndryshme, duke filluar nga lehtësimi i politikës kufizuese që i lejonte familjet e reja të bënin vetëm një fëmijë, deri tek për ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore kryesore.

Këngë për gjeneralen
Xi ndihmohet në përpjekjet e tij për të mbajtur lart popullaritetin nga gruaja e tij, sopranoja Peng Lijuan, me gradë gjeneral-majore në Ushtrinë Popullore Çlirimtare. Çifti i parë, një koncept letrar në leksikun politik të Kinës, është fotografuar shpesh në vizita shtetërore, duke përshëndetur me dorë nga shkallët e avionëve, ose kur janë në shoqërinë e çifteve të tjera presidenciale. Një këngë pop, dedikuar historisë së tyre të dashurisë, e shkruar nga 4 muzikantë në krahinën qendrore të Henanit, u shndërrua në një hit nëntorin e kaluar në rrjetet sociale në internet, duke mbledhur një audiencë prej më shumë se 20 milionë njerëzish në vetëm 5 ditë.
Gratë e dy paraardhësve të Xi-së, Hu Xhintao dhe Zhang Zemin, ishin më pak të ekspozuara në media, dhe nuk hynë kurrë në ndërgjegjen publike. Vetëm pak vetë, i mbajnë ende mend emrat e tyre. Peng, 52-vjeçe, u emërua Ambasadore Vullnetare për Tuberkulozin dhe HIV/AIDS nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në qershor të vitit 2011, ndërsa marsin e vitit të shkuar u emërua ambasadore e UNESCO-s për edukimin e grave.
E shkuara perandorake
Ngritja e Xi-së është shoqëruar gjithashtu me forcimin e ideologjisë, duke përfshirë shtimin e kontrollit mbi median dhe censurën ndaj internetit, duke paralajmëruar studentët dhe artistët për të patur një pamje të jashtme më “korrekte”, dhe ndaluar të drejtat e avokatëve, aktivistëve dhe dijetarëve liberalë.
Qëllimet e tij ekonomike dhe politike, lidhen shpesh me retorikën e vjetër të Kinës, si një qendër tregtare dhe teknologjike e Azisë. Gjatë një vizite në Kazakistan në shtator të vitit 2013, Xi propozoi ringjalljen e “Rrugës së Mëndafshit”, rrugë e lashtë tregtare që lidhte Kinën dhe Evropën, duke u zotuar të investojë më vonë 40 miliardë dollarë përgjatë kësaj rruge. Propozimi i tij për një Zonë të Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, një pakt rajonal për të rivalizuar inisiativën e SHBA-së me Partneritetin Trans-Paqësor, u miratua nga udhëheqësit në takimin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi- Paqësor në Pekin nëntorin e shkuar.
Kulti ka sjellë edhe një vëmendje të jashtëzakonshme nga ana e mediave. Aq sa cilësohet një ditë e rrallë, kur Xi nuk arrin të dalë në titujt kryesorë të gazetave shtetërore, madje edhe kur bëhet fjalë për ngjarje të trishta. Kur dhjetorin e shkuar, Xi u zgjodh “Person i Vitit 2014” nga Instituti Biografik Rus, lajmi ishte në krye të agjensive të mëdha kineze të lajmeve.

Lajme të dashura
Sipas një studimi të publikuar korrikun e kaluar nga Kian Gang, drejtor i Projektit të Mediave në Kinë në “Universitetin e Hong Kongut”, emri i Xi-së është shfaqur 4.186 herë në 8 faqet e para të së përditshmes “Populli”, përgjatë 18 muajve të parë të tij në pushtet. Kjo shifër është shumë herë më shumë, sesa shfaqja e emrave të paraardhësve Hu dhe Zhang.
“Xinuen Lianbo”, programi kryesor i lajmeve të mbrëmjes në televizionin CCTV, i kushton më shumë kohë aktiviteteve të Xi-së, sesa atyre të kryeminisrit Li Keqiang dhe 5 anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike të Komitetit të Përhershëm të marrë së bashku. Në epokën e udhëheqjes kolektive së Zhang dhe Hu, presidenti zakonisht kishte vetëm 2 ose 3 minuta, më shumë se secili nga anëtarët e tjerë.
Ndërsa Mao kishte një kontroll thuajse të plotë mbi mediat, përpjekjet e Xi-së për të ndërtuar staturën e tij, varen nga më shumë se 800 milionë përdorues kinezë të rrjeteve sociale sikurse dhe është “QQ Tencent”. Pavarësisht prirjes së shtetit, për të mbikëqyrur përmbajtjen e internetit, uebi është një forum kyç për urbanizimin e shpejtë të popullsisë, që ndihet e frustruar nga çdo gjë, nga korrupsioni e deri tek çmimet e pasurive të patundshme.
Fjalimet e Xi-së
Xi luan me audiencën, duke përdorur fraza të njohura që qarkullojnë internetit në fjalimet e tij e tij, si “Man Pin De” (gung-ho!) dhe “Dian Zan” (bëj propagandë tek) që përsëriten gjerësisht në titujt. I njohur si “Xi Dada” ose Xhaxha Xi-ja në vendlindjen e tij, dhjetëra vetë e ndjekin pas atë dhe gruan e tij.
“Kulti rreth Xi-së, u formua pjesërisht për shkak të sfondit të tij personal, dhe pjesërisht për shkak të kulturës kineze, që mbështetet tek një adhurim i perandorëve apo udhëheqësve të fuqishëm”- thotë Zhang Lifan, një historian kinez nga Pekini, që më parë ka punuar në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, ndërsa babai i tij ishte i persekutuar gjatë Revolucionit Kulturor të Maos, pasi mbante postin e zv.ministrit. “Hyjnizimi i Xi-së, reflekton një ndjenjë krize në gjirin e partisë. Sa më lart ai ngjitet deri në altar, aq më dhunshëm do të rrëzohet poshtë”.
Gabimet e Maos
Imazhi i kudondodhur i Maos, dhe kontrolli suprem mbi partinë, shkaktoi gabime katastrofike politike, sikurse edhe ishte “Hapi i Madh Përpara” që mbolli urinë masive dhe reçesionin ekonomik. Gabimet e tij gjatë “Revolucionin Kulturor” u njohën zyrtarisht në vitin 1980 gjatë sundimit Ten Hsiao Pinit, dhe partia hodhi poshtë rolin udhëheqës.
“Kulti i personalitetit nuk është zhdukur kurrë në Kinën komuniste. Ajo thjeshtë sapo është përditësuar në një version të ri”- thotë Brus Xhillej, profesor i shkencave politike në “Universitetit Shtetëror të Portlandit” në SHBA, i specializuar në politikën krahasuese të Kinës dhe Azisë. “Spin-

doctor-ët e partisë, e dinë se sot kanë të bëjnë me një audiencë shumë më të sofistikuar. Prandaj kulti i personalitetit komunikohet në një mënyrë që tingëllon, si një tallje në raport me shqetësimet moderne kineze. Xi portretizohet si një njeri modern, efikas, i shëtitur dhe demokratik.

Megjithatë, nuk është e lehtë të tregohet sesa të thella janë në realitet rrënjët e popullaritetit të Xi-së, dhe sesa ai është më tepër rezultat i censurës së medias. Kur një djalë 9-vjeçar i shkroi presidentit dhjetorin e shkuar, duke sugjeruar se “Xi Dada, duhet të humbë disa kg”, letra u hoq nga faqet e lajmeve të agjensive mëdha, për shkak se tingëllonte keq.

APEK-u blu
Krahasuar me Hu-në, një udhëheqës të cilit për shkak të shprehjes së pandryshueshme të fytyrës u krijua epiteti:”Kush është Hu?”, Xi shfaqet si një figurë të qetë dhe e sigurtë në publik. Gjatë një darke, që ai dhe gruaja e tij organizuan nëntorin e shkuar në “Kubenë e Ujërave” në Pekin, për udhëheqësit e APEK-ut, Xi siguroi një qiell jashtëzakonisht të qartë mbi kryeqytet, pasi qeveria kishte urdhëruar mbylljen e fabrikave të mëdha dhe penguar qarkullimin e një pjese të automjeteve, për të ulur ndotjen e ajrit. ‘Gjëja e parë që bëja në mëngjes ditët e fundit, ishte kontrolli i cilësisë së ajrit”-tha ai në mandarishten e tij të përsosur, duke premtuar se do të përpiqet të bëjë “APEK-un Blu”, ngjyra normale e qiellit.
Në marxhinat e takimit mes tyre, presidenti Xi dhe ai amerikan Barak Obama njoftuan arritjen e një marrëveshje mbi ndryshimin e klimës, në të cilën Kina ra për herë të parë dakord për të ndaluar rritjen e emetimeve të karbonit, duke filluar nga viti 2030. Agjencia Zyrtare kineze e Lajmeve, tha se Xi do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në SHBA në muajin shtator. Pas sjelljes së tij të sigurtë, është fakti se imazhi publik Xi-së është jetik për përpjekjet e tij për të reformuar ekonominë dhe frenuar korrupsionin, pa nxitur pakënaqësinë popullore.
Goditja ndaj korrupsionit
Goditje ndaj këtij fenomeni, filloi brenda javësh nga zgjedhja e tij si bosi i partisë, dhe zuri sipas të dhënave zyrtare në lak më shumë se 100 mijë “miza dhe tigra”, apo zyrtarë të nivelit të lartë dhe të ulët. Ish-shefi i sigurisë kombëtare, Zhu Jongkang, ish-zv.komandanti i përgjithshëm Xu Çaihu dhe ish-shefi i dikurshëm i kabinetit të Hu-së, Ling Jihua të gjithë kanë mbetur në lak. Liu Han, ish-kryetar i “Sichuan Hanlong Group”, u ekzekutua në datën 9 shkurt pasi u shpall fajtor për drejtimin e një operacioni në stilin mafioz, që përfshinte vrasje dhe grabitje. “Reformë do të thotë të dëmtosh interesin vetjak. Prandaj ato kërkojnë më shumë pushtet të konsoliduar dhe gjithashtu më shumë represion”- thotë Nathan i Universitetit të Kolumbias. Sipas tij Xi “është provuar shumë i aftë në izolimin një nga një të kundërshtarëve të tij, diçka që edhe Mao e bënte gjithashtu shumë mirë”.
“Bloomberg”

 

Leave a Reply

Back to top button