Magazine

Progresi njerëzor do të jetë gjithnjë e më pak njerëzor, për të mbetur progres

Progresi njerëzor pra, për të qenë progres, do të kërkojë të jetë gjithnjë e më pak njerëzor. Por këtë nuk e thotë Enzensbergeri. Nuk kritikon një ide, kufizon të konstatojë që ndoshta shumë shpesh, ai që e quajmë gjenialitet përgjegjës për progresin, kishte në vetvete diçka moralisht qesharake apo të ligë. A është e ndaluar të reflektosh mbi këtë?

Nga Alfonso Berdineli

Të besosh a të mos besosh tek progresi? Problemi nuk është besimi, është vetë progresi. Kur e kemi shpikur? Me çfarë rasti? Progres material, moral, apo social? Dimë pak a shumë se kur ne, ekzemplarët e homo sapiens sapiens kemi filluar të bëjmë përpara: që nga fillimi, thuhet. Djalli dhe ëngjëlli i përmirësimit, i vetëperfeksionimit, i luftës për t’u mbrojtur nga natyra dhe për ta kontrolluar atë, kanë qenë brenda nesh që prej momentit kur u shfaqëm mbi Tokë. Por nëse është i qartë fillimi, nuk dihet fundi, rezultati, pika përtej të cilës nuk mund të shkohet. Apo do të shkojmë edhe përtej? Çfarë pamje do të ketë kapërcimi i pandalshëm i çdo limiti? A ka një limit? Kush e ka vendosur?

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, poeti i madh dhe shkrimtari gjerman, Hans Magnus Enzensberger botoi: “Mauzoleumi: Tridhjeteshtatë balada për historinë e progresit”. E dyta e këtyre poemave, që doli pak vite më vonë, dhe që është edhe më e njohur, titullohet “Fundi i Titanikut”. Ishin vitet kur optimizmi libertarian dhe revolucionar (si edhe progresist) i shpërthyer pas viteve 1960, kishte filluar të binte. Vite kur perëndimi bënte llogaritë me vetveten: me kolonializmin dhe imperializmin e vet; me armatimet bërthamore dhe “ekuilibrin e terrorit” mes SHBA dhe BRSS; me regjimet revolucionare të Botës së Tretë dhe fuqizimin e tyre; me krizën e antropologjisë morale, filozofike, politike të njeriut të bardhë; me iluminizmin që mund të përmbyset gjithmonë në një obskurantizëm të ri; dhe në fund me shkencën, që në progresine saj, shpall njëkohësisht lirinë nga nevojat dhe detyrimet katastrofike. Ishin vitet kur Elsa Morante shkruante “Bota e shpëtuar nga të rinjtë” dhe “Historia”, në të cilët Pasolini botonte artikuj të përmbledhur më pas tek “Letra luterane”. Ishin vite kur shihnim filma si “Doctor Strangelove”, “2001: Space Odyssey” dhe “A clockëork orange”.

Kontributi i Enzensbergerit në këtë autoanalizë të përgjithshme kritike të historisë dhe kulturës perëndimore u përqëndrua tek dy poemat e sipërcituara, mes atyre jo shumë veprave që bënë epokë në poezinë europianë të gjysmës së dytë të Nëntëqindës. Enzensberger i përkiste familjes së poetëve-filozofë, pamfletistëve dhe kritikëve socialë që, nga Leopardi tek Bodleri e deri tek valery, Eliot, Brecht kanë karakterizuar epokën e lavdishme të poezisë moderne.

Tridhjeteshtatë baladat janë në realitet një sintezë kritiko-biografike, portretet e një serie protagonistësh në historinë e progresit: shpikës dhe inxhinierë, shkencëtarë, mjekë, politikanë, mendimtarë utopistë, arkitektë. Një galeri individësh gjenialë, ekstravagantë, maniakë, shpesh herë të pushtuar prej impulseve sistematikisht shkatërrimtarë dhe vetëshkatërrues. Një portretizim shqetësues, shpesh tragjikomik, apo edhe patetik.

Për të kuptuar se nga çfarë lënde përbëhen idetë, Enzensbergeri zgjedh që të shohë në karakterin dhe jetën e atyre që i kanë konceptuar. Çfarë efekti kanë patur idetë, mbi ata, të cilët i kanë mbajtur brenda vetes në çdo ditë të jetës së tyre? Gutenbergu për shembull jeton mes “turrave të zjarrit / luftërave të njëqind viteve”. Por edhe “progreseve / në miniera dhe në mullinj, në metalurgji / dhe në armë”. Dhe në mesin e gjithë kësaj, ai koncepton artin “e shkrimit artificial: diçka metalike”, një aromë plumbi që, nga Katërqinda erdhi në Nëntëqindën.

Me Makiavelin është më i ashpër Enzensberger: e qorton për mërzinë dhe meskinitetin, “shijen e parvenysë”, “lotët e vetëmjerimit”, faktin që ka qenë shkrimtari në hije i një vrasësi politik të pamëshirshëm si Cesare Borgia, dhe për faktin që kishte parashikuar lexuesit e tij të ardhshëm: Napoleonin, Frankon, Stalinin dhe të gjithë ne që jemi mirënjohës për “frazat e tij lapidare”, gënjeshtrat e tij të mallkuara, shkencën e tij të re pra, shkencën politike.

Jacques de Vaucanson shpiku në mesin e Shtatëqindës një rosë mekanike që mrekulloi Didëronë, në origjinë të shumë makinave të tjera komplekse e të animuara, me një numër gjithnjë e më të madh sistemesh të brendshme mekanike. Më pas, Lazzaro Spallanzani, në po të njëjtin shekull studioi tretjen tek kufomat “duke i shkulur një maceje stomakun, menjëherë pasi kish ngrënë”.

Më tej, Bakunini që bënte thirrje për të kërkuar një gjë të vetme, “ndjenjën e indinjatës” dhe që për këtë arsye u persekutua, burgos, brodhi nëpër Europë, dhe në fund u lumturua vetëm prej “zhurmës së revoltës”. Deri tek Alan M. Turing, shpikësi i një “automati universal, në gjendje që të simulonte çdo lloj automati tjetër”. Çfarë njeriu ishte Turing? Duket e qartë që “nuk lexoi asnjëherë as edhe një gazetë të vetme, dorezat e leshit që mbante i punonte vetë dhe një herë “ndoshta gabimisht u helmua me cianur”, dhe pasi ia kishin sjellë në majë të hundës mjetet e transportit, “bënte kilometra të tërë në këmbë”. Makina e Turingut, shpikja legjendare e Nëntëqindës, solli lindjen në vitet Tridhjetë të të gjithë makinave llogaritëse të ardhshme, kompjuterëve dhe pajisjeve elektronike. Sot, mes funksioneve automatike të llogaritjeve dhe mendjes njerëzore, po ndodh një konkurrencë, të cilës i parashikohet tashmë fundi: homo sapiens është më pak i shpejtë dhe më pak eficient se sa makinat që di të konceptojë, prodhojë dhe nxjerrë në treg. Njeriu jo vetëm është “vjetëruar”, por është edhe një burim i lodhshëm gabimesh, ngadalësimesh dhe vuajtjesh të padëshiruara.

Progresi njerëzor pra, për të qenë progres, do të kërkojë të jetë gjithnjë e më pak njerëzor. Por këtë nuk e thotë Enzensbergeri. Nuk kritikon një ide, kufizon të konstatojë që ndoshta shumë shpesh, ai që e quajmë gjenialitet përgjegjës për progresin, kishte në vetvete diçka moralisht qesharake apo të ligë. A është e ndaluar të reflektosh mbi këtë?/IlFoglio

Përgatiti: Ermal Gjinaj / bota.al

Leave a Reply

Back to top button