Histori

PRO&KUNDER / Ernesto Che Guevara, doktori që u bë martir i revolucionit

Che Guevara ishte qenia njerëzorë më e plotë e kohës sonë (Zhan Pol Sartri)

Screen Shot 2015-07-28 at 13.40.59nga Jerry A. Sierra

Revolucioni kuban ishte 5-vjeçar në vitin 1964, kur Ernesto Che Guevarës iu ofrua një shpërblim financiar për të folur në Universitetin e Havanës. Guevara ishte njëri prej të paktëve të huaj që erdhi me vëllezërit Castro, në një jaht të quajtur “Gjyshja”, për të luftuar kundër diktaturës së Batistës.

Me zbarkimin në Kubë, shumica prej 81 burrave u kapën ose u vranë, dhe vetëm 16 prej tyre ia dolën të largohen në malet Sierra Maestra, ku fshatarët dhe fermerët  i ndihmuan, deri kur forcat e tyre u rritën aq shumë, sa u shndërruan në ushtrinë revolucionare që mposhti Batistën.

Tashmë në kohën kur trupat e tij marshuan në Havanë me trupat e Camilo Cienfuegos, në janar 1959, Guevara ishte hsumë popullor mes popullsisë kubane. Historitë për trimërinë dhe udhëheqjen e tij qarkullonin në të katër anët, dhe ai konsiderohej një prej figurave më të rëndësishme të revolucionit.

Në përgjigjen e tij ndaj ofertës së Universitetit të Havanës, Guevara shfaqi neverinë për paratë, një neveri që e ndante haptas me vëllezërit Castro dhe një numër revolucionarësh të tjerë. “Eshtë e pamendueshme për mua”, shkruante ai, “që një pagesë monetare duhet t’i ofrohet një zyrtari të Qeverisë dhe të Partisë Komuniste, për çdo lloj pune, cilado qoftë ajo. Mes pagesave të shumta që kam marrë, më e rëndësishmja është që unë konsiderohem pjesë e popullit kuban; nuk do të dija si ta ktheja këtë në dollarë dhe monedha”.

Fjala “Che” përdoret për “Ju” në Argjentinë, ashtu si “Hej, ti”! Ishte një term afeksioni, që u shndërrua në emrin e tij zyrtar, dhe një të cilin e përdorte përherë për të firmosur, me “c” të vogël.

I lindur në Argjentinë në 14 qershor 1928 (ishte 10 muaj më i vogël se Fidel Castro), Guevara studioi Mjekësi në Universitetin e Buenos Airesit, ku u angazhua gjithashtu kundër udhëheqësit argjentinas, Juan Peron. Më vonë ai shkoi në Guatemalë, dhe në vitin 1953 iu bashkua qeverisë së Jacabo Arbenz Guzman, i cili u rrëzua pas një grushti të mbështetur nga CIA.

Intelektual dhe idealist, në gjendje të fliste në mënyrë koherente për Aristotelin, Kantin, Marksin, Gidenë apo Faulknerin, ai dashuronte gjithashtu poezinë, dhe kishte njohuri të jashtëzakonshme për Keatsin dhe Sara De Ibanezin, shkrimtaren e tij të preferuar. Thuhet se poezinë “Nëse” të Kiplingut ai e dinte përmendësh.

“Nuk mendoj se ti dhe unë jemi shumë të afërt”, i shkruante Che në një letër Señora María Rosario Guevaras, “por nëse ti je në gjendje të dridhesh nga indinjata, sa herë që në botë bëhet një padrejtësi, atëherë jemi shokë, dhe kjo është më e rëndësishmja”. Ishte kjo ndjeshmëri e madhe ndaj padrejtësive, që farkëtoi pikëpamjet e tij politike dhe e shtyu të mosbesojë imperializmin, sidomos qeverinë amerikane.

Thuhet se Guevara ka luajtur një rol të rëndësishëm në konvertimin e Castros në komunizëm, shpesh herë duke i cituar Marksin, Engelsin, mao Cedunin dhe të tjerë.

Guevara vuante gjatë gjithë jetës nga Astma, një sëmundje që cdo njeri tjetër do e kish penguar të merrte pjesë në aksione guerilase, sic bëri ai, por ai qe i vendosur të mos lejonte që sëmundja e tij të pengonte idealet që kishte për një shoqëri të drejtë. Gjendja e tij mund të jetë arsyeja përse, si doktor, u specializua në alergjitë.

Gazetari Herbert L. Matthew shkruan për Guevarën në librin e tij, Revolucion në Kubë: “Përkushtimi i tij ndaj besimeve revolucionare ishte thellësisht fetar. Che kishte një besim prej misionari në mirësinë e lindur të njeriut, në aftësinë e punëtorëve për t’iu përkushtuar idealeve dhe kapërcyer egoizmin dhe paragjykimet. Ishte ana tjetër e monedhës së indinjatës së tij kundër padrejtësisë, dhe shfrytëzimit të të përulurve. Ai e shihte zgjidhjen në një formë të ekzaltuar të marksizmit, që do të sillte liri dhe vëllazëri. Njerëz të tillë janë lindur për të qenë martirë”.

Ndërkohë që jetonte në Meksikë, Guevara punonte në pavionin e alergjive të spitalit të përgjithshëm dhe e plotësonte pagën e tij si fotograf. Ishte këtu që takoi për herë të parë Raul Castron, i cili i tregoi për situatën në Kubë. Në fillim të korrikut 1954, Guevara u takua me Fidelin, dhe pasi biseduan për dhjetë orë resht një natë, ai u bashkua me Revolucionin Kuban.

Më tej Guevara do të bëhej doktori zyrtar i ushtrisë së rebelëve, si dhe një udhëheqës dhe strateg i rëndësishëm. Përpara se të largohej për në Kubë mbi jahtin “Gjyshja”, ai i tha të shoqes Hilda Gadea se ishte bashkuar me ekspeditën, për arsye se “ishte pjesë e luftës kundër imperializmit të Jenkive dhe faza e parë për lirimin e kontinentit tonë”.

Pasi kreu shumë punë të rëndësishme në qeverinë kubane pas Revolucionit (drejtoi Ministrinë e Industrisë nga 1961 deri në 1965), ai udhëhoqi një forcë prej 120 kubanësh në Kongo, por misioni përfundoi në dështim.

Pas kësaj, shkoi të luftojë në Bolivi, atje ku u kap nga ushtria boliviane dhe u ekzekutua në 9 tetor 1967.

Leave a Reply

Back to top button