Nga Mauro Indelicato
“Il Giornale”
Më 22 maj, një shpërthim tronditi qytetin Enerhodar. Është qyteti ku ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, rreth 20 kilometra në jug të Zaporizhzhya-s. Këtu rusët mbërritën që në muajin mars, duke pushtuar si zonën urbane ashtu edhe vetë centralin bërthamor.
Sipas autoriteteve “të reja” lokale të vendosura nga Moska, duke nisur nga data 12 qershor do të shpërndahen dokumentet për marrjen e nënshtetësisë ruse. Prandaj, rajoni duket sikur është plotësisht në duart e Kremlinit. Megjithatë, shpërthim i 22 majit nuk ishte as aksidental dhe as një rast i izoluar.
Përkundrazi, ishte një sulm ndaj Andriy Shevchyk, kryebashkiakut të emëruar nga rusët. Një shenjë kjo e qartë se si Moska duhet t’i kushtojë vëmendje, jo vetëm fronteve ku po luftonende, por edhe atyre ku ka luftuar tashmë.
Mes protestave, sulmeve dhe sabotazheve
Andriy Shevchyk është sot jashtë rrezikut për jetën, dhe i mbijetoi bombës së vendosur nën shtëpinë e tij. Megjithatë, tani ai dhe administratorët e tjerë të emëruar nga Rusia, kanë filluar të kenë shumë frikë për jetën e tyre. Ditët e fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyka folur për më shumë se 3 mijë vendbanime, qytetet dhe fshatra, që kanë rënë në duart e trupave ruse.
Në secilën prej tyre, Kremlini ka ndërmarrë hapa për emërimin e këshillave të rinj të pushtetit lokal. Shpeshherë ata përzgjidhen nga radhët e partive pro-ruse tashmë të pranishme në peizazhin politik të Ukrainës së para luftës. Kjo është një mënyrë për t’i lënë formalisht administratat lokale në duart e banorëve vendas, me synim zbehjen disi të idesë së të qenit thjesht një forcë pushtuese në këto territore.
Por as kjo skemë, nuk ka shmangur revoltën e shumicës së banorëve dhe protestat e tyre.
Në Kherson, qyteti i parë i madh ukrainas që u pushtua nga rusët, janë zhvilluar disa demonstrata që kur rusët morën nën kontroll centralet e zonës në muajin mars.
Ndërkohë të martën, Kievi raportoi se të paktën 600 aktivistë, përfshirë protestues, gazetarë dhe intelektualë pro-ukrainas nga ky qytet, u arrestuan dhe burgosën në dhomat e torturës.
Natyrisht, Moska si zakonisht e hodhi poshtë këtë pretendim. Gjithsesi nga Kherson nuk ka pasur sinjale pozitive për Rusinë.
Protestat e zhvilluara në mars, sollën edhe vonimin e rezolutave për aneksimin e rajonit ngafederata ruse. Një plan parashikonte kryerjen e aneksimit, përmes një “referendumi”, si ai që u zhvillua në Krime në vitin 2014. Por për momentin ai është shtyrë për një datë të mëvonshme.
Për këtë arsye, Kremlini po përpiqet të përdorë mënyra të tjera, sikurse është futja në përdorim e rublës ruse, që ka nisur që nga 1 maji, apo shpërndarja e kartave telefonike SIM me numra rusë. Një mënyrë kjo për ta pranuar sa më shpejt të jetë e mundur aneksimin si një fakt.
Por sa më shumë shtohen sinjalet në këtë drejtim, aq më shumë rritet numri jo vetëm i demonstratave, por edhe i episodeve dhe i sabotimeve apo sulmeve. Siç ishte edhe ai ndaj udhëheqësit pro-rus të Enerogdar në rajonin Zaporizhzhya.
Apo si sulmi i ndodhur muajin e kaluar që shkatërroi një urë hekurudhore jo shumë larg Melitopolit, një tjetër qytet i pushtuar nga rusët. Protesta, përplasje në rrugë, por edhe sabotimet dhe bomba të vendosura ndaj administratorëve të rinj. Janë të shumta aktet e ndërmarra nga ata që nuk e kanë pranuar pushtimin rus.
Sikurse raportuan në “Corriere della Sera” gazetarët Guido Olimpio dhe Andrea Marinelli,mjafton shumë pak për t’i shkaktuar dëme të mëdha Moskës:një copë metali e vendosur mbi binarët e një linje hekurudhore, një pajisje rudimentare e vendosur në një pikë strategjike, por edhe një frazë e përhapur në Telegram për të nxitur protesta të reja.
Në këtë mënyrë, ukrainasit mund të vazhdojnë t’i shkaktojnë jo pak probleme Kremlinit, duke e detyruar Moskën të devijojë forcat që janë shumë të rëndësishme për të vijuar përparimin në Donbass, në zonat tashmë të pushtuara, në një përpjekje për t’i mbajtur ato vazhdimisht nën kontroll.
Strategjia ukrainase guerile e para-luftës, po e shqetëson seriozisht Moskën
Veprimet e ukrainasve në territoret e pushtuara, nuk janë as sporadike dhe as të rastësishme. Përkundrazi, ato janë pjesë e planeve strategjike të hartuara që para shpërthimit të konfliktit. Kievi kishte trajnuar prej muajsh grupe diversantësh, tek të cilët mund të mbështetej në rastin e një pushtimi rus në shkallë të gjerë.
Këto plane janë hartuar që në vitin 2014, kur nisën përleshjet e para të luftës në Donbass. Duke e ditur pamundësinë e mbajtjes së të gjitha territoreve me fillimin e sulmit rus, ukrainasit kanë krijuar kushtet, që prania e tyre të ndihet edhe në ato zona ku Moska ka ngritur tashmë flamurin e saj.
Ndonjëherë ata shfaqen në ekipe të vogla speciale, herë të tjera individualisht. Të gjithë zbatojnë disa rregulla të thjeshta por themelore:shkaktojuni armiqve dëmin më të madh të mundshëm, por me koston më të ulët, kryeni sulme “brenda mundësive tuaja”, pa u përfshirë në akte ku mund të identifikoheni lehtësisht, dhe mbani gjithmonë nën presion forcat e Moskës.
Qëllimi është që rusëve t’u “nxihet jeta”, dhe më pas të shpresohet (nëpërmjet mjeteve politike ose ushtarake) që një ditë të rimerret kontrolli i atyre territoreve, ose të paktën t’i tregohet Moskës se përpara se të aneksojë rajone të tëra, duhet të përballet me rezistencënserioze të ukrainasve. Rreziku për Kremlinin është ai i të pasurit një luftë brenda luftës, e cila është shumë e vështirë të menaxhohet për një periudhë afatgjatë.