Analiza

PROVOKIMI/“Në Irak me ISIS. Perëndimi është bërë ekstremist”

Ashtu si deputeti i M5s Di Battista, edhe Massimo Fini shpjegon se pse terrorizmi islamik është përgjigja legjitime ndaj luftës asimetrike të dronëve. “Të gjitha luftërat perëndimore e viteve të fundit kanë qenë asimetrike dhe kanë inkurajuar, bile imponuar metoda terroriste kundërshtarëve tanë”.  “Perëndimi demokratik, pas ka mundur totalitarizmat e Nëntëqindës, është bërë nga ana e tij totalitar dhe pretendon që të eksportojë vlerat e veta”

Massimo Fini
për Il Fatto Quotidiano

drone1Po si është e mundur që Itali sapo një njeri ngre ndonjë pyetje paksa serioze, edhe pse jokomode, duhet që të mbytet nga kori i indinjimit bipartisan siç po i ndodh deputetit të M5s Alessandro Di Battista (“i shpifur”, “i rrezikshëm”, “injorant”, “armik i brendshëm” deri në “trap”, të mbështetur nga Francesco Merlo)?
Megjithatë Di Battista ngre një pikëpyetje vendimtare për të kuptuar lindjen, rritjen dhe afirmimin e radikalizmit islamik: përballë një armiku të padukshëm apo të paarritshëm, pse e bombardon me robotë të teledrejtuar nga mijëra kilometra largësi apo me bombardues që, pa një kundërajrore, nuk mund të goditen, çfarë mbetet nga një rezistencë? Apo të pësojë pasivisht dhe t’i jepet terrorizimit?
Problemi nuk është i ri dhe e merr emrin e “luftës asimetrike” që ndodh kur disproporcioni teknologjik i armatimeve midis dy kundërshtarëve është i tillë që njëri mund të godasë dhe tjetri vetëm të pësojë apo t’i kundërvihet me trupin e tij. Të gjitha luftërat perëndimore e viteve të fundit kanë qenë “asimetrike” dhe u kanë inkurajuar, bile u kanë imponuar, metoda terroristëve kundërshtarëve tanë.
E para qe në Afganistan. Historikisht, afganasit nuk kanë qenë asnjëherë terroristë, aq më pak kamikazë. Terrorizmi është i huaj për traditën e tyre. Janë luftëtarë, gjë që është ndryshe. Në vitin 2006 pati një mbledhje të rëndësishme midis komandantëve talibanë dhe Mulla Omarit. Pakashumë, komandantët i thanë liderit të tyre: “Shiko se nuk mund të luftojmë vetëm me teknikat e gueriljes. Sapo hyjmë në luftim, vijnë bombarduesit e NATO-s dhe për një armik që vrasim humbasim 15 nga njerëzit tanë. Nuk mund të vazhdohet më kështu”.
Me pak fjalë, i kërkuan Mullait autorizimin për të përdorur edhe terrorizmin. Në fillim, Omari ishte kundra dhe kjo për dy motive. E para, sepse, pikërisht, terrorizmi është i huaj për kulturën afganase dhe atij, gardianit fanatik të traditës së vendit të tij, gjëja nuk i pëlqente aspak. Motivi i dytë ishte akoma edhe më pragmatik. Atentati terrorist, edhe pse i kufizuar në objektiva ushtarake apo politike, provokon pashmangshmërisht edhe viktima civile. Dhe për gjithçka tjetër kishin nevojë talibanët përveç armiqësimit me popullsinë. Por në fund u detyruan që të cedonin përballë provave. Lindi kështu terrorizmi afganas.
Ne sot skandalizohemi nga mizoria e luftëtarëve të ISIS-it (të cilët i quajmë “terroristë” sepse të gjithë ata që na luftojnë, për sytë tanë, janë terroristë, vetëm ne nuk jemi) që u presin kokat armiqve dhe vrasin edhe fëmijët (që i groposin të gjallë më duket një legjendë propagandistike e tipit të vjetër që thoshte se komunistët hanin fëmijë). Por në luftën e parë të Gjirit, bombardimet amerikane kanë vrarë 160000 civilë, midis të cilëve 39812 gra e 32195 fëmijë (të dhëna që janë jashtë çdo dyshimi: të Pentagonit) që nuk janë më pak fëmijë se fëmijët e kurdëve dhe shiitëve apo se fëmijët tanë, por askush në Perëndim nuk u skandalizua.
Nëqoftëse do të më duhej të zgjidhja në këtë luftë tmerresh, do të zgjidhja atë të ISIS-it. Sepse të paktën luftëtari implikohet personalisht, ndërsa piloti që telekomandon dronin nga Nellis në Nevada nuka ka kurrfarë rreziku dhe, pasi ka shkaktuar masakrën e bukur të tij, kthehet në shtëpi ku bashkëshortja bukuroshe amerikane i ka përgatitur një darkë të mirë.
Sot skandalizohemi prej persekutimit të jazidëve. Megjithëse të besimit fetar sufi, jazidët janë kurdë irakenë dhe për dhjetë vjet më radhë Turqia dhe Saddam Hussein, në bashkëpunim midis tyre, i kanë masakruar kurdët irakenë dhe, për pasojë, edhe jazidët, fillimisht me mbështetjen e plotë të amerikanëve që i janë frikësuar gjithmonë se mos indipendentizmi kurdo – iraken ndizte atë të kurdëve të Turqisë, aleatja e madhe në rajon (në Turqi kurdët janë 12 milion njerëz), më pas i ushqyer drejtpërsëdrejti nga Shtetet e Bashkuara që furnizuan edhe të famshmet “armë të shkatërrimit në masë” në funksion antiiranian dhe, pikërisht, antikurd.
Por në Perëndim të gjithë e kthenin kokën menjanë. Kur ndodhi në vitin 1989 masakra në fshatin Halabya (5000 kurdë të “gazuar” njëherazi) e dhashë lajmin tek “Europeo”. Por askush, të paktën në Itali, nuk e përcolli. Saddam Hussein ishte mik.
Në “ekskursin” historik të tij, aspak i “shkruar keq: siç shkruan Merlo, Di Battista kujton se ëshjtë qysh nga viti 1920 që perëndimorët, fillimisht anglezët e francezët, pastaj edhe amerikanët, përcaktojnë kohën e mirë dhe të keqe në Lindjen e Mesme e tjetërkund. Pikërisht Iraku është një krijim i habitshëm i anglezëve dhe në vitin 1930 vunë bashkë në një shtet tri komunitete që nuk e shikonin dot me sy njëri tjetrin: kurdë, sunitë dhe shiitë.
Por le të qëndrojmë në kohëra më të vonshme. Ka 15 vjet që Perëndimi demokratik është në sulm ndaj botës arabo – myslimane. Në vitin 2001 ka ndodhur pushtimi i Afganistanit që ka shkaktuar një luftë që po zgjat prej 14 vjetësh, më e gjata e shekujve të fundit, dhe një numër viktimash civile të pallogaritshëm (të pallogaritur pasi për afganët, duke mos qenë arabë dhe aq më pak kristianë apo hebrenj, nuk e vrasim mendjen fare). Pasi kanë mundur “zotërinjtë e luftës” dhe i kanë dhënë luftës civile, talibanët kanë vendosur rendin dhe ligjin, megjithëse një ligj të egër, në në vend. Por nuk qenë demokratë dhe kështu që duhej të zhdukeshin.
Në vitin 2003 ka ndodhur pushtimi i Irakut që ka shkaktuar nga 650 deri në 750 mijë të vdekur. Por Saddam Hussein ishte një diktator që nuk na pëlqente. Iraku duhej të bëhej demokratik.
Pasi amerikanët janë larguar, në vend ka shpërthyer lufta civile midis sunitëve dhe shiitëve. Shkaktoheshin qindra të vdekur në javë, por gjëja demokratëve perëndimorë të ndjeshëm nuk u interesonte më. E megjithatë është pikërisht nga kjo situatë, e kombinuar me konfliktin sirian, që lind ISIS-i, një internacionale e radikalizmit islamik ku, përveç irakenëve dhe sirianëve, konvergjojnë libianë, libanezë, somalezë, por edhe europianë. Por rrezikshmërinë e ISIS-it demokratët perëndimorë nuk e kanë kuptuar.
Unë e denoncoja qysh në një artikull të 21 qershorit: “Lufta në Irak: kurth për Perëndimin”. “Kokat e mëdha” perëndimore (por edhe Papa Bergoglio) e kanë pikasur vetëm disa javë më parë. Në periudhën 2006 – 2007 ka ndodhur sulmi, nëpërmjet Etiopisë, ndaj Somalisë ku Gjykatat Islamike kanë mundur “zotërinjtë e luftës” vendas dhe si në Afganistan vendosin rendin dhe ligjin, megjithëse një ligj të egër, në atë vend. Por Gjykatat nuk qenë demokratike. Duhet të eliminoheshin. Tani Somalia është në luftë civile të plotë.
Në vitin 2011 ka qenë sulmi ndaj Libisë së diktatorit Khadaffi, me të cilin patëm bërë allishverishe deri një ditë më parë. Por duhej çuar demokracia dhe tani Libia është në kaosin më total. Fakti është që Perëndimi demokratik, pasi ka mundur totalitarizmat e Nëntëqindës, është bërë vetë totalitar dhe pretendon të eksportojë vlerat dhe modelin ekonomik të vet në të gjithë universin botë. Është ajo që në një libër e kam quajtur “Vesi i errët i Perëndimit”. Dhe është pikërisht ky pretendim për homologim universal (femra myslimane duhet të asimilohet në atë perëndimore e kështu me radhë) që evokon një radikalizëm islamik i cili reagon me një ideologjizëm po aq totalitar.
Edhe një mysliman i moderuar me furinë për t’u ndjerë i shkelmuar nga Perëndimi transformohet në ekstremist. Përsa i përket profesorucit Merlo, ekspert i madh i gjeopolitikës, megjithëse nuk e di të kem lexuar ndonjë reportazh të tijin nga jashtë, do të doja që ta shpjegonte se pse përcaktimi i kurdëve, shiitëve dhe sunitëve si tri komunitete thellësisht të ndryshme midis tyre është një “gabim prej lapsi blu”. Presim mësime të mëtejshme.
Përgatiti për bota.al:
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button