Shendeti

Pse disa viruse janë të padëmshme dhe të tjerët vdekjeprurës?

Nga Liz Fuller-Wright & Catherine Zandonella

Viruset e tejkalojnë numrin e njerëzve që ka sot bota në raportin 400 trilion me 1. E megjithatë pandemitë janë ngjarje relativisht të rralla. Pse kështu? Pse disa viruse shkaktojnë kaq shumë dëme, ndërsa shumica janë të padëmshme, dhe madje edhe të dobishme?

Këto pyetje e nxitën virologun A.J Te Veltuis, t’i bashkohej fakultetit të biologjisë molekulare të Universitetit të Prinstonit në janar 2021. “Unë punoj me viruset ARN, dhe e kam bërë këtë për një kohë shumë të gjatë. Jam veçanërisht i interesuar të mësoj se pse disa viruse të rinj, kur kalojnë te njerëzit, shkaktojnë befas sëmundje të rënda, ndërsa kur ishin tek lakuriqët e natës apo në specie të tjera, dukeshin gati të padëmshme”.

Te Veltuis studion mekanizmat themelorë se si riprodhohen viruset dhe si depërtojnë ato në sistemin tonë imunitar. Po ashtu ai po punon mbi krijimin e maskave ​​të reja që çaktivizojnë viruset, antivirale që ndalojnë riprodhimin e viruseve, dhe po përpiqet të kuptojë se si mund të lindin variante të të njëjtit virus – si Omicron ose Delta – duke shkaktuar më shumë dëme

se sa të tjerët.

Ai e vë theksin tek roli kryesor që luajnë programet e vaksinimit në mbarë botën. “Njerëzit e pa vaksinuar po shërbejnë si një rezervuar, nga i cili virusi që shkakton Covid-19 mund të kapërcejë sërish tek njerëzit e vaksinuar. Mjerisht, ai është një model i përsosur përzgjedhjeje për variantet e reja”- thotë ai.

Në fillim të pandemisë, studiuesit eksperimentuan mbi ekzemplarë të gjallë të SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, duke rrezikuar jo pak veten. Te Veltuis zbuloi një mënyrë për ta ndryshuar atë. Ai redaktoi gjenomin e llojit të ri SARS, në mënyrë që bashkë me kolegët e tij në mbarë botën, të mund të studionin virusin pa e ekspozuar veten dhe të dashurit e tyre ndaj sëmundjes vdekjeprurëse.

Për ta bërë këtë, eksperti përfitoi nga fakti se ky është një virus shumë kompleks, me një plan të përpunuar dhe i koduar në një sekuencë të gjatë të ARN-së (kushëriri me një fije floku të ADN-së). Gjenomi i gjatë mund të mendohet si një tren, me një lokomotivë, dhe me një varg të gjatë makinash të lidhura së bashku pas tij.

Kur virusi synon t’u japë udhëzime qelizave që po pushton, ai duhet të nxjerrë në pah pjesën më të rëndësishme të gjenomit të tij, në mënyrë që të bashkohet me “lokomotivën”. Studiuesit në laboratorin e Te Veltuis e përdorën atë veti për të izoluar një pjesë të gjenomit, duke prodhuar një mikrovirus që nuk mund të infektojë dot qelizat e reja, por mund të jetë ende i dobishëm për testimin e barnave antivirale dhe studimin e mutacioneve të reja.

“Ai nuk është më vdekjeprurës, pasi i nevojiten të gjitha pjesët e tjera që të krijojë një grimcë të plotë virusi infektiv”- thekson Veltius. Shumë kohë përpara pandemisë aktuale, Te Veltuis studioi koronaviruset si dhe lloje të ndryshme të gripit, duke krahasuar një grip sezonal (H1N1) me dy pandemi:Gripin Spanjoll të vitit 1918 dhe Gripin e Shpendëve (H5N1).

Ndërsa gripi sezonal zakonisht shkakton simptoma të lehta, dy gripet e tjerë mund të shkaktojnë një reagim të tepruar nga sistemi imunitar, që i mbush mushkëritë me lëngje (pneumoni). Siç e mësoi bota në fillim të vitit 2020, familja e viruseve të koronavirusit ka një model të ngjashëm.

Ndërsa shumica e koronavirusëve shkaktojnë vetëm simptoma të lehta të ftohjes së zakonshme, disa mund të shkaktojnë pneumoni, përfshirë SARS-CoV-2. Te Veltuis dhe ekipi i tij zbuluan se shkaktari molekular që e kthen gripin në pneumoni, është një molekulë e vogël virale ARN-je.

Ata mundën ta zbulojnë atë në laborator, tek një kafshë e infektuar me gripin e vitit 1918 dhe tek tamponët e pështymës nga pacientët në spital. Me studimin e vazhdueshëm, Te Veltuis, shpreson të krijojë një test të shpejtë për të parashikuar gripin e formës së rëndë, duke rezultuar përfundimisht në një trajtim më të shpejtë dhe më të mirë.

Po ai dëshiron të bëjë një hap më tej. Ekipi i tij tani po punon për të zbuluar mekanizmin që qëndron pas këtij shkaktari, me synim prodhimin e një ilaçi që e çaktivizon këtë proces, duke e shndërruar nga një kërcënim shëndetësor serioz në një shqetësim të vogël.

Marrë me shkurtime NGA “Medicalxpress” – Bota.al

Back to top button