Analiza

Pse Europa duhet ta marrë mbrojtjen në duart e veta

Nga Jean Claude Juncker

Bohuslav Sobodka

Sulmi në Urën e Londrës të shtunën na kujton edhe një herë se, qoftë në Britani, Belgjikë apo Francë, ka nga ata që duan të kërcënojnë mënyrën tonë të dashur të të jetuarit. Bashkimi Europian është shtëpia e disa prej shoqërive më të lira, më të hapura dhe më tolerante në botë. Ne gëzojmë më shumë mundësi dhe liri këtu, sesa çdo brez që ka jetuar para nesh. Europa, shumë shpesh skenë e luftërave dhe dhunës, është bërë një bastion i paqes dhe stabilitetit, në një botë të paqëndrueshme. Por nuk mund dhe nuk duhet të marrim të mirëqenë, asnjë nga këto.

Më shumë se 60 milionë njerëz, sot janë zhvendosur për shkak të luftës. Tensionet vazhdojnë të rriten në kufirin tonë lindor. Terroristët përpiqen të bëjnë kërdinë, ndërsa luftëra për pushtet kanë pllakosur në pjesë të Afrikës Mesdhetare dhe asaj Nën-Sahariane. Ndryshimi i klimës, mungesa e burimeve dhe rritja e popullsisë, do ta përkeqësojnë këtë situatë në vitet që vijnë.

Falë diplomacisë së saj udhëheqëse, politikave të zhvillimit dhe lidhjeve tregtare, BE-ja ndihmon botën të bëhet më e qëndrueshme. “Fuqia e butë” e saj promovon paqen, rritjen gjithëpërfshirëse, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në mbarë botën. Por nëse ekziston një padrejtësi që nuk mund të ndalohet me anë të ligjit, ne nuk duhet të hezitojmë të përdorim masat paqeruajtëse.

Evropianët e pranojnë këtë. Në pothuajse çdo vend anëtar, duke përfshirë Republikën Çeke, siguria është një nga shqetësimet kryesore. Qytetarët tanë presin që qeveritë e tyre të bëhen bashkë, për t’i mbrojtur ata. Mesazhi i tyre është i qartë: Përfitoni nga mjetet që BE ka për të ofruar, dhe na jepni siguri.

Lajm i mirë është se shtetet anëtare të BE-së janë të bashkuar, sa i përket nevojës për të bërë më shumë në fushën e mbrojtjes, një politikë e cila ka qenë tabu për shumë dekada.

Është koha që Evropa të marrë mbrojtjen dhe sigurinë e saj, në duart e veta. Askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për ne. Kjo javë shënon një hap tjetër në këtë drejtim, teksa krerët e BE takohen në Pragë, në Konferencën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, për të vendosur mbi një rrugë veprimi.

Partneriteti ynë me NATO-n mbetet thelbësor për të ardhmen tonë. Njëzet e dy shtete anëtare të BE janë gjithashtu anëtare të NATO-s. Republika Çeke ka një histori që duhet ta bëjë krenare, për angazhimin ndaj misioneve të NATO-s, veçanërisht në Afganistan, Irak dhe Kosovë. Ekziston një klimë e paprecedentë bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe NATO-s, në fusha të tilla si përballimi i kërcënimeve hibride, zhvillimi i aftësive dhe studimeve për mbrojtjen, rritja e sigurisë kibernetike dhe rritja e përpjekjeve për ndërtim kapacitetesh.

Paralelisht me këtë, ne po bëjmë më shumë vetë. BE-ja jo vetëm që duhet të plotësojë NATO-n, por edhe të reagojë në mënyrë të pavarur dhe të duhur, ndaj kërcënimeve të jashtme. Për këtë qëllim, tani po zbatojmë Strategjinë Globale të BE-së, e cila parashtron vizionin tonë për veprime të përbashkëta, për të përballuar sfidat e mëdha, brenda dhe jashtë kufijve tanë. Praga do të jetë një mundësi për të përcaktuar më tej, se si traktatet e BE-së mund të lejojnë një bashkëpunim më të madh.

Për një kohë të gjatë, Europa ka qenë “fajtore” se është mbështetur në fuqinë ushtarake të të tjerëve. Kjo nuk është më e përballueshme. Shkalla dhe kompleksiteti i sfidave të sigurisë në Europë është i tillë, që asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë me sukses, i vetëm.

BE duke përjashtuar Britaninë, shpenzoi vetëm 1.32% të buxhetit të saj në vitin 2016, për mbrojtjen. Kjo është vetëm gjysma e asaj që investon SHBA, dhe megjithatë nuk jemi efikasë, as sa gjysma. Le të mos harrojmë se Rusia investoi më shumë se 5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen gjatë vitit të kaluar, ndërsa Kina e rriti më shumë se dyfish buxhetin e saj të mbrojtjes, gjatë dekadës së kaluar.

Kur është fjala për mbrojtjen, BE-ja ka përshtatur një qasje rastësore. Kjo ndikon në ndërveprimin e forcave tona. Në BE ekzistojnë 178 sisteme të ndryshme armësh, krahasuar me 30 në SHBA. Ne kemi 17 lloje të ndryshme të tankeve kryesore luftarake, ndërsa SHBA ka vetëm një. Dhe ka më shumë prodhues të helikopterëve në Evropë, sesa qeveri në gjendje për t’i blerë ato.

Jo vetëm që kjo kufizon aftësinë tonë për të vepruar së bashku, por është gjithashtu e kushtueshme për tatimpaguesit. Për çdo 10 Euro të shpenzuara për kërkime dhe teknologji të mbrojtjes, 9 Euro shpenzohen në nivel kombëtar, pa ndonjë koordinim. Duke bashkuar forcat dhe duke organizuar prokurimin e tyre së bashku, mund të kursejmë nga 25 miliardë euro dhe 100 miliardë euro – para që mund të investoheshin diku tjetër.

Zgjidhja e këtyre çështjeve është thelbësore për propozimet e Komisionit Evropian, për një Fond të Mbrojtjes Europiane. Buxheti i BE nuk mund të zëvendësojë shtetet anëtare në mbrojtje. Ideja është të mbështesë vendet e BE-së për të punuar së bashku, me qëllim zhvillimin dhe blerjen e pajisjeve të mbrojtjes, që janë të rëndësishme, si dhe për të siguruar vlerën e parave që shpenzohen. Bashkëpunimi duhet të jetë rregulli, jo përjashtimi. Kjo do të sigurojë gjithashtu një nxitje për industrinë tonë, për kërkimin dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Shtetet anëtare do të vendosin prioritetet, qofshin ato drone, siguria kibernetike, kapacitete për furnizim në ajër të avionëve, apo komunikim satelitor. Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Mbrojtjes janë këtu për të siguruar vlerë të shtuar, duke bashkuar të gjitha përpjekjet evropiane në një mënyrë më të koordinuar, më sistematike dhe më efikase.

Një Bashkim Evropian i Mbrojtjes do të ndihmojë në mbrojtjen e BE-së, që është pikërisht ajo që presin qytetarët e saj. Komisioni Evropian sot do të nxjerrë një dokument reflektimi mbi të ardhmen e mbrojtjes evropiane, duke paraqitur ide të ndryshme se si kjo mund të zhvillohet deri në vitin 2025. Ne do të dëshironim që të gjithë të angazhohen në këtë debat. Në Pragë këtë javë do të hidhet hapi i parë, në këtë udhëtim të rëndësishëm në të cilin po nisemi së bashku.

Z. Juncker është kryetar i Komisionit Evropian. Z. Sobotka është kryeministër i Republikës Çeke. / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button