Analiza

Pse grekët duhet të votojnë në favor të masave të kursimit

Screen Shot 2015-07-05 at 14.23.45

Nga Daniel Gros

Bruksel – Vendet e kërrusura nga një histori e gjatë defiçitesh, inflacioni dhe stanjacioni ekonomik, kërkojnë shpesh ndihmë nga jashtë. Një mënyrë për ta bërë këtë, është barazimi i kursin të këmbimit monedhës vendase me atë të një partneri të qëndrueshëm. Por përvoja ka treguar se këto “kamardare shpëtimi” mund të jenë një burim problemesh të mëtejshme, kur ato nuk janë më të besueshme.

Rreth 15 vjet më parë, populli grek mendoi se mund të bënte më mirë:në vend se të bashkëngjiste kursin e këmbimit, vendosi të shfuqizojë monedhën kombëtare dhe adoptojë euron. Fillimisht u duk si zgjedhja e duhur. Për gati dhjetë vjet me rradhë, vendi u rrit si kurrë më parë. Kredi të mëdha u morrën nga jashtë, të cilat mundësuan një rritje të madhe në shpenzimet e konsumatorëve dhe pagave.

Por pasi përfundoi festa, Greqia e gjeti veten përballë një problem serioz të borxhit, që nuk është zgjidhur deri më sot. Por kjo dukej pritur. Gati 10 vite para së Greqia të behej pjesë e bashkimit ekonomik dhe monetar evropian, një tjetër komb u mashtrua se kishte gjetur një mënyrë të sigurtë, për të siguruar stabilitet ekonomik.

Ishte viti 1991, kur Argjentina futi një monedhë të re kombëtare, që me ligj kishte të njëjtën normë këmbimi me dollarin amerikan, me një kurs këmbimi të fiksuar dhe “të pakthyeshëm”. Në fillim, ky vendim duket se dha fryte mjaft pozitive. Vendi rifilloi të rritet, dhe besimi tek investitorët garantoi ardhjen e flukseve të mëdha të kapitalit të huaj.

Por, pas rreth 10 vjetësh, muzika ndryshoi. “Partneri” tregtar i Argjentinës pësoi një zhvlerësim, të shoqëruar me rritjen e dollarit dhe rënien e çmimeve të mallrave. Vendi nuk arrinte të eksportonte. Përkundrazi,  shtoi defiçitet e jashtme, dhe rritja ekonomike pësoi një ngadalësim të konsiderueshëm. Për më tepër, politika fiskale nuk ishte mbajtur nën kontroll, duke shkaktuar një rritje të borxhit publik. Fillimisht, investitorët ndërkombëtarë ishin të gatshëm ta financonin qeverinë, por titujt në rrezik filluan të shtohen teksa gradualisht edhe defiçitet u bënë kronike.

Në këtë pikë, fiksimi i “parevokueshëm” i kursit të këmbimit filloi ta humbasë kredibilitetin, dhe çmimet u bënë të paqëndrueshme. Argjentina u detyrua t’i drejtohej për ndihmë financiare Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe disa vendeve mike (si SHBA-ja).

Plani i parë i shpëtimit, parashikonte një rikthim të rritjes ekonomike, rënie të borxhit tatimor dhe disa reforma strukturore. Nuk u arrit asnjë nga këto synime, ndërsa ekonomia vazhdoi të rrënohej nga ndikimi i masave të rrepta fiskale, të cilat nuk u kompensuan dot nga rritja e eksporteve, për shkak se baza e eksportit nuk ishte e mjaftueshme, dhe pagat nuk u reduktuan shumë.

Një vit më vonë, ishte planifikuar për t’u zbatuar një plan i ri ndihme, i pasuar nga një ristrukturim masiv “vullnetar” i borxhit. Por asnjë nga këto hapa, nuk u dëshmuan të mjaftueshme për të rifituar besimin e investitorëve ndërkombëtarë, të cilët nuk ishin bindur se qeveria do të arrinte të shlyente borxhin, përballë rezistencës sociale në rritje dhe një ekonomie që vazhdonte të zvarritej.

Gjithashtu kursimtarët në vend, kishin humbur besimin tek qeveria e tyre, duke vendosur të tërheqin depozitat e tyre bankare. Qeveria vendosi kontrolle ndaj kapitalit, por ekonomia pësoi një goditje të mëtejshme dhe tensionet sociale shpërthyen.

Në atë pikë, qeveria u rrëzua dhe administrata që e pasoi njoftoi pezullimin e pagesave për aksionerët e huaja, dhe fundin e epokës së fiksimit të kursit të këmbimit. Në gati 10 vjet, Argjentina ka lëvizur, nga barazimi i monedhës vendase me normë fikse këmbimi me dollarin amerikan, tek një falimentim që ndodhi mes viteve 2001-2002.

Greqia është Argjentina e re?

Deri në vitet 2011-2012, përvoja greke dukej e destinuar të kishte të njëjtin fat me Argjentinën. Në dekadën e parë të euros, qeveria kishte kryer shpenzimet të tepërta, dhe vendi kishte humbur konkurrencën në krahasim me Gjermaninë, ashtu siç i kishte ndodhur Argjentinës me Brazilin. Greqia u detyrua t’u kërkojë kreditorëve të saj privatë, të heqin dorë nga një pjesë e asaj që u takonte.

Pasi këto kërkesa u plotësuan, në vitin 2012, situata dukej e stabilizuar, kjo edhe falë një mbështetjeje financiare të paparë. Por edhe pas vitit 2012, gjendja ekonomike nuk dukej e përmirësuar, përkundër stabilitetit relativ.

Sektori i eksportit nuk ka qenë kurrë një pikë e fortë e Greqisë (si Argjentina), dhe vendi eksporton pak produkte konkurruese, shitjet e të cilave mund të rriteshin duke përdorur reduktimin e pagave.

Zgjedhja e një qeverie “kundër masave shtrënguese”, e riaktivizoi rrethin vicioz të pasigurisë politike dhe largimit të depozitave bankare jashtë vendit.

Javën e shkuar, kur kryeministri Cipras ndërpreu negociatat me kreditorët ndërkombëtare, dhe qeveria thërriti referendumin popullor, shpresonte në mbështetjen e Bankës Qëndrore Evropiane. Por kur kjo ndihmë nuk erdhi, e pa të nevojshme mbylljen e bankave dhe kontrollin e kapitalit.

Çfarë do të ndodhë?

Përvoja e Argjentinës, duhet të shërbejë si një paralajmërim:u deshën vetëm 36 ditë për të kaluar nga imponimi i kontrolleve të kapitalit deri në fund. Kur njerëzit shohin që kursimet e tyre zhduken, rendi publik vihet nën një provë të vështirë. Kur askush nuk paguan më taksa, qeveria s’mund të vazhdojë më punën. Përfundimisht, presidenti i ri argjentinas u detyrua ta lërë shtëpinë e tij me helikopter.

Si të shmanget i njëjtin fat për Greqinë? Zgjidhja më e mirë do të ishte arritja e një marrëveshje të re, që do të lejojë rihapjen e bankave, me kontrolle më pak të rrepta mbi eksportin e kapitalit. Megjithatë, një zgjidhje e tillë duket e pamundur, pavarësisht propozimeve të shumta nga Athina, të cilat tradhtojnë nervozizmin në rritje të qeverisë së Syriza-s.

Dallimi kryesor, ndërmjet Argjentinës dhe Greqisë, është politik: në Argjentinë, barazimi me dollarin u vendos nga një elite, që nuk ishte parë ndonjëgherë më sy të mirë në vend. Përkundrazi, në Greqi, popullsia duket se e mbështet anëtarësimin në eurozonë, madje edhe me çmimin e vazhdimit të masave të kursimit. Madje kjo prirje duket të jetë më e fortë tek qytetarët, dhe jo tek qeveria aktuale. Elektorati ka ndjesinë se rikthimi tek dhrahmia, do të ishte pak a shumë si të braktisësh tërësisht Evropën. Nga pikëpamja ligjore, ky nuk është një këndvështrim i saktë.

Vendi mund të shpallë falimentin ndaj partnerëve evropianë të cilëve u ka borxhe, dhe madje edhe të rikthehet tek dhrahmia, pa humbur zyrtarisht anëtarësimin e saj në BE. Por në realitet, Greqia mund të bëhet de fakto një anëtare i “kategorisë b”, nëse ajo lë eurozonën. Ndjenja e përkatësisë ndaj Evropës, mund të bëjë diferencën. Kjo mund të bindë shumicën e grekëve, të zgjedhin një program të ri masash shtrënguese, duke shmangur që Greqia të jetë teatri i të njëjtës tragjedi, që ndodhi në Argjentinë.

“Huff.post.it” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button