BotaMAIN

Pse Izraeli vazhdon të godasë Beirutin?

Lufta në Lindjen e Mesme është zhvendosur javët e fundit, jo vetëm nga fronti jugor në Gaza, por edhe në veri. Hezbollahu, një lëvizje politike dhe ushtarake libaneze, kishte filluar tashmë të lëshonte raketa në veri të Izraelit që vitin e kaluar, pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor. Po pse Netanjahu e kishte shtyrë në kohë kundërpërgjigjen ndaj armiqve në veri?

Një vit më parë, doshta nuk kishte burime të mjaftueshme, veçanërisht për sa i përket trupave për të menaxhuar dy fronte. Prandaj, prioriteti ishte fokusimi në luftën në jug, kundër Hamasit. Ndërkohë, e dimë tashmë që, edhe Irani, i cili drejton boshtin e rezistencës, iu bashkua luftës në dy operacione të ndryshme, njëri në prill dhe tjetri më 1 tetor.Reagimi i Izraelit pra, një ditë do të vinte.

Por të kthehemi në Liban. Para së gjithash, duhet bërë e qartë se, Hezbollahu nuk është Hamasi.

Edhe pse forcat izraelite e kanë goditur rëndë lëvizjen politiko-ushtarake libaneze, kjo e fundit vazhdon të mbetet më e mirëpajisur se Hamasi. Për më tepër, duhet shtuar edhe një fakt, Libani është një vend sovran dhe i pavarur me një qeveri. Ai nuk përjeton pasigurinë në të cilën ndodhet populli palestinez dhe kjo është edhe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar është edhe më i shqetësuar për pushtimin tokësor izraelit. Sulmet e ushtrisë së Tel Avivit janë përqendruar për momentin në jug të vendit, megjithëse dje, për herë të parë pas javësh, ata goditën sërish Bejrutin. Po pse?

Në ditët e fundit është folur shumë për sulmet izraelite kundër bazës UNIFIL në Liban. UNIFIL është misioni i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1978 nga Këshilli i Sigurimit, me qëllim garantimin e një armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit. Rreth 10,000 ushtarë nga 50 vende marrin pjesë në mision.

Pra, objektivi është ruajtja e armëpushimit. Megjithatë, sipas disa analistëve, zona është militarizuar gjerësisht nga Hezbollahu, me tunele nëntokësorepranë bazave të OKB-së. Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht misionin për sigurimin e një mburoje njerëzore për terroristët e Hezbollahut.

Madje ishte vetë Netanyahu që e pohoi këtë. Të dielën, më 13 tetor, dy tanke izraelite hynë në bazën e OKB-së dhe qëndruan aty për gati një orë. Ministri italian i Mbrojtjes, Crozetto, dënoi që në fillim sulmet izraelite, ku ndër të tjera u plagosën katër ushtarë të misionit. Ai e cilësoi sjelljen e Izraelit si krim lufte.

Giorgia Meloni ka bërë të ditur synimin e saj për të udhëtuar personalisht në Liban. Ndërkohë, Izraeli jo vetëm që nuk po i ndërpret veprimet në jug të vendit, por ka rinisur sulmet ndaj Bejrutit.

Pse?

Arsyeja pse Izraeli po vazhdon të bombardojë Bejrutin, edhe dje ka pasur një urdhër që forcat e mbrojtjes izraelite u dhanë civilëve në pjesën jugore të kryeqytetit, është çmontimi i Hezbollahut. Partia e Zotit, milicia Shidah e lidhur me Iranin, doli menjëherë në terren në mbështetje të çështjes palestineze pas masakrës së Hamasit, e cila ndodhi më 7 tetor. Pra, për më shumë se një vit, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer raketa e dronë, duke e bërë frontin verior shumë të nxehtë.

Një front që edhe ashtu ishte shumë shqetësues, sepse ekzistonte frika nga një degjenerim i rajonit në luftë.

Objektivat e Izraelit janë pikërisht magazinat e Hezbollahut dhe në të vërtetë një pjesë e madhe e bazave së grupit terrorist. Por mbi të gjitha lidershipi i tij, është çmontuar. Megjithatë, mbeten dyshime për strategjinëizraelite, e cila, sipas shumë njerëzve, nuk është më e përshtatshme për arritjen e objektivit. Depot që goditen janë të vendosura brenda ose nën ndërtesa civile, kështu që kostoja njerëzore që po paguan Izraeli për të arritur objektivin e tij është shumë e lartë.

Kjo gjeneron kritika nga grupet e të drejtave të njeriut, organizatat ndërkombëtare duke filluar nga OKB-ja dhe madje edhe miqtë dhe aleatët e Izraelit. Administrata amerikane mbetet në krah të aleatit të saj më të fortë në Lindjen e Mesme, por disa herë administrata e Bidenit ka qenë shumë e ashpër në deklarata ndaj Izraelit. E bëri këtë edhe ditët e fundit duke kërkuar që të ndalet bombardimi i Bejrutit, ndalim i cili në fakt ndodhi, por rifilloi sërish.

Problemi është se kjo strategji, e cila sipas shumëkujt, nuk do të jetë e suksesshme pasi celula të reja terroriste mund të krijohen lehtësisht në një të ardhme të afërt, është një strategji e cila në afat të shkurtër mund të ketë rezultatet e saj pozitive, por në afat të gjatë rrezikon të rikrijojë problemin. Rreziku është se Izraeli mund të mbetet edhe më i izoluar në skenën ndërkombëtare dhe ky padyshim do të ishte një problem i madh.

Pra, një gjë është e qartë: Prioriteti i Izraelit për momentin mbetet Hezbollahu. Prerja e kokës e lëvizjes politiko-ushtarake libaneze.

A do ia dalë? Nuk ka gjasa që të ketë sukses total.

Sepse ti mund të vrasësh udhëheqësit, por dikush tjetër vjen gjithmonë në vend të tyre. Lëvizjet terroriste janë shumë të ngjashme me mafian në këtë drejtim. Atëherë është e qartë se vazhdimi i goditjes dhe çarmatosjes së këtyre lëvizjeve vetëm se i dobëson ato, nuk ka dyshim, por më pas urrejtja në bazë mbetet dhe është vetëm çështje kohe para se gjërat të ndodhin përsëri.

Ndërkohë pritet edhe reagimi i  Izraelit ndaj Iranit, e cila do të duhet të vijë herët a vonë, sepse sulmi iranian më 1 tetor ishte një sulm i madh. Qindra raketa janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit dhe për këtë arsye është e qartë se herët a vonë Netanyahu do të vendosë të përgjigjet. / bota.al

Back to top button