
Një rrjedhë uji të kripur me ngjyrë të kuqe të errët del herë pas here nga disa çarje të akullnajës Taylor, në Antarktidën Lindore.
Këto janë të famshmet “Blood Falls”, ose “Ujëvarat e gjakut”, të larta sa një ndërtesë 5-katëshe, që rrjedhin ngadalë drejt sipërfaqes së liqenit Bonney, duke krijuar një njollë të kuqe të ndezur në mes të peizazhit të bardhë akullnajor.
Fenomeni u zbulua në vitin 1911 nga gjeologu anglez Thomas Griffith Taylor, prej të cilit mori edhe emrin lugina Taylor.
Oksidimi, jo algat e kuqe
Për shumë kohë mendohej se kjo ngjyrë vinte nga alga të kuqe, por kërkimet e fundit, përfshirë ato të Universitetit Johns Hopkins (SHBA), kanë zbuluar shkaqet e vërteta.
Duke analizuar mostrat e ujit me mikroskopë elektronikë, studiuesit kanë gjetur nano-sfera mikroskopike të pasura me hekur, të cilat, kur oksidohen, marrin ngjyrë të kuqe.
Rreth dy milionë vjet më parë, akullnaja Taylor ka bllokuar nën vete një liqen shumë të kripur dhe të pasur me hekur.
Kur ky ujë nën akull fillon të ngrihet, kripa çliron nxehtësi, gjë që shkrin pjesërisht akullin dhe lejon që uji i liqenit të rrjedhë jashtë.
Në momentin që uji del në sipërfaqe dhe bie në kontakt me ajrin, hekuri që përmban oksidohet, duke krijuar efektin e ngjyrës së gjakut që i ka dhënë ujëvarës emrin e saj. / bota.al





