Ndërkohë që shanset për daljen e Greqisë nga Eurozona shtohen, gazeta Bild shkruan se në rast falimentimi, kostoja për çdo qytetar gjerman do ishte shumë e lartë.
Nëse negociatat dështojnë, Gjermania do mbajë përsipër 85.2 miliardë euro borxhe greke.
Në këtë mënyrë Gjermania është kreditori me shumën më të madhe të borxhit.
E thënë ndryshe, çdo gjermani do i kushtojë 1055 euro falimentimi i Greqisë.
Më të prekurit do jenë luksemburgasit.
Atyre do u kushtojë 1637 euro falimentimi i Greqisë. Holandezëve do u kushtojë 1099 euro, francezëve 989 euro dhe letonezëve 250 euro.
Por çfarë duhet të bëjë Greqia për të fituar besimin e kreditorëve.
“Një hap mund të jetë shkurtimi i ndjeshëm i shpenzimeve për armatimin,” tha shefi i KE, Jean-Claude Juncker.
Buxheti për mbrojtjen në Greqi është monstruoz, tha një politikane gjermane, Claudia Roth.
“Pse nuk i shet Greqia tanket,” pyet gazeta Bild.
Sipas të dhënave të NATO-s, Greqia shpenzoi në vitin 2013 rreth 4.27 miliardë euro për mbrojtjen, një rënië e lehtë në krahasim me një vit më parë, kur shpenzonte 4.38 miliardë euro.
Në vitin 2010 shpenzoheshin plot 5.97 miliardë euro.
Në total bëhet fjalë për 2.3 përqind të buxhetit. Në BE, vetëm Britania shpenzon më shumë, 2.4 përqind. Gjermania shpenzon vetëm 1.3 përqind.
Sipas Bild, shumica e shpenzimeve bëhen nga frika e grekëve nga Turqia, e cila për ironi është në NATO.
Së fundmi Greqia është angazhuar në shpenzime ushtarake edhe për kufirin me Shqipërinë.
Edhe pse vendi është në krizë, Greqisë i pëlqen të ekspozojë ushtrinë e saj në parada, thekson Bild.
Më 25 mars pati një paradë të tillë.
3.1 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të tilla parada në një vit./Mapo