Analiza

Pse Papa Francesku po bën revolucion. Për Vatikanin dhe botën

Ernesto Cardenal*

Në kohën e papëve Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, peshkopët dhe priftërinjtë e teologjisë së çlirimit u zëvendësuan prej elementëve konservatorë nga e djathta ekstreme. Cdo gjë që kish të bënte me këtë teologji u shtyp. Në të njëjtën kohë, qeveria e SHBA e luftoi këtë teologji duke u bërë apel fondamentalistëve që predikonin një ungjill individualist dhe konservator. Ata luftuan grupet guerilase për çlirim me forca kundërspiunazhi, si dhe një represion mizor që krijoi shumë martirë

Pope Francis

Në mars të vitit 2013, më pyetën në një intervistë: Cfarë mendoj për Papën argjentinas?
Isha i befasuar që nuk kishin zgjedhur një papë europian dhe që i sapozgjedhuri ishte një kardinal për të cilin nuk kisha dëgjuar më parë. Kardinalët ekzistues ishin emëruar peshkopë nga Papa Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, dhe ata ishin të gjithë konservatorë dhe reaksionarë. Nuk prisja ndonjë gjë të re nga kjo zgjedhje e fundit. Në fakt, as nuk kisha fare interes në të.
Por që nga momenti kur papa i ri doli në ballkonin e tij, vura re disa ndryshime. Ai doli i veshur me një rrobë të thjehtë ngjyrë të bardhë, duke refuzuar veshjen papnore me stoli të arta. Në ballkon, përpara se të jepte bekimin tradicional papnor, ai u përkul para turmës, duke kërkuar bekimin e tyre.
Në vend të një prej emrave tradicionalë të papëve, ai zgjodhi Françeskun. Leonardo Buff kishte shumë të drejtë kur tha më vonë se ky nuk ishte thjeshtë një emër, por një projekt për jetën që ai zgjodhi. Dhe në këtë rast, ai nuk ishte thjeshtë një papë i ri, por një projekt i ri për Kishën.
Po shohim një revolucion të vërtetë në Vatikan. Papa Francesku nuk dëshiron të jetojë si Papë. Ai ka refuzuar të qëndrojë në pallatin papnor, me 14 dhomat e tij. Ai ka refuzuar automobilin papnor. Ai u flet drejtpërdrejtë njerëzve në telefon. Përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë. Ai nuk dëshiron të thirret papë, por thjeshtë peshkop (Peshkopi i Romës).
Me aq sa di unë, Papa Françesku nuk ka folur për teologjinë e çlirimit. Por teologjia e çlirimit nuk është diçka ku ti beson – është dicka që ti e praktikon. Unë mendoj se emri “teologjia e çlirimit” nuk është aq i fortë sa do të duhej të ishte. Do të kuptohej më mirë nëse do ta quanim “teologjia revolucionare”.
Kjo teologji është teologjia e vërtetë e Ungjillit, që vjen nga një fjalë greke që do të thotë “lajm i mirë” dhe “shpall lajmin e mirë”. Kuptimi që i dha Jezusi ishte lajmi i mirë për të varfërit, për çlirimin e tyre. Gjë që është njësoj si revolucioni. Apo ndryshimi i botës. Kthimi i botës “përmbys”. Ose thënë më mirë, ndreqja e botës, për arsye se për momentin ajo është kokëposhtë.
Në kohën e papëve Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, peshkopët dhe priftërinjtë e teologjisë së çlirimit u zëvendësuan prej elementëve konservatorë nga e djathta ekstreme. Cdo gjë që kish të bënte me këtë teologji u shtyp. Në të njëjtën kohë, qeveria e SHBA e luftoi këtë teologji duke u bërë apel fondamentalistëve që predikonin një ungjill individualist dhe konservator. Ata luftuan grupet guerilase për çlirim me forca kundërspiunazhi, si dhe një represion mizor që krijoi shumë martirë.
Në të ashtuquajturin dokument i Santa Fesë, nën titullin “Një politikë e re amerikano latine për vitet 1980”, Presidenti Reagan këshillohej që të luftonte lëvizjet për çlirim duke promovuar kishat fondamentaliste amerikane në Amerikën Latine. Në vitin 1999, Shkolla e Amerikave, e cila stërviste ushtarë dhe u jepte atyre leksione represioni dhe torture, deklaroi se teologjia e çlirimit ishte mposhtur me ndihmën e ushtrisë së SHBA.
Gjatë vizitës së dytë të Papa Gjon Palit në Nikaragua, gazetarët në një fluturim të Alitalias e pyetën në lidhje me teologjinë e çlirimit, dhe Papa deklaroi se ajo nuk përbënte më rrezik, për arsye se komunizmi ishte mposhtur. Por, që nga thellësitë e Amazonës, Peshkopi Casaldaliga tha: “Sa kohë që ka të varfër, do të ketë edhe teologji të çlirimit”.
Për mua, zgjedhja e këtij Pape është një mrekulli. Papa Françesku po kryen një revolucion në Vatikan. Do të jetë edhe një revolucion për botën, për ta ndrequr atë, sepse tani është kokëposhtë. Revolucioni i Jezusit të Nazaretit: I fundit do të jetë i pari, dhe i pari do të jetë i fundit./HuffPost/
Prift Katolik në Nikaragua, poet dhe aktivist
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button