Analiza

Pse paqja në Ukrainë varet nga Amerika

Nga Georgy Bovt
“Moscow Times”

Screen Shot 2015-02-20 at 4.27.33 PM

Kur negociatorët pragmatistë në Minsk i lanë dy ditë kohë hyrjes në fuqi të armëpushimit në Ukrainë, të dyja palët e shfrytëzuan këtë mundësi për të vazhduar luftën. Separatistët pro-rusë nisën një sulm të përgjithshëm mbi Debaltseve, në përpjekje për të  detyruar trupat e rrethuara të ushtrisë ukrainase të dorëzohen. Në shenjë hakmarrje, trupat ukrainase vazhduan granatimin e zonave të banuara të Donjeckut dhe Luhanskut.
Shumë vëzhgues parashikojnë se qetësia relative që filloi të djelën e shkuar, nuk do të shënojë fillimin e një paqeje më të gjerë. Kjo nuk do të çojë, as në diçka të ngjashme me Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 në SHBA, që i dha fund luftës në Bosnje dhe bashkë me të shënoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Si mund të shkojë tani rrjedhja e ngjarjeve ?
Marrëveshja e re e Minskut përfshin shumë “mina tokësore” për të shpresuar në suksesin e saj përfundimtar. Zbatimi pikë për pikë i paktit, në një masë të madhe do të varet nga zbatimi në kohë nga ana e parlamentit ukrainas, një organ i mbërthyer në rivalitete të ashpra mes fraksioneve, që ka dështuar të mbështesë marrëveshjet e mëparshme.
E gjithë klasa qeverisëse e Ukrainës duhet të mblidhet rreth presidentit Petro Poroshenko, në mënyrë që të përmbushen detyrimet, të cilat burojnë nga marrëveshja e Minskut. Megjithatë, fakt është se disa politikanë të njohur ukrainas shprehën mosdakordësinë e tyre me paktin, pothuajse që të nesërmen.
Shumë pasiguri ngërthehen në këtë situatë. Për shembull, Kievi ende refuzon ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Luhanskut dhe Donjeckut, republikat e vetë-shpallura popullore, duke iu referuar atyre si “terroristë”. Por suksesi i çfarëdolloj zgjedhjeje që mund të mbahen në këto rajone të veçanta, reforma kushtetuese, restaurimi i shërbimeve sociale në Donbas dhe çështje të tjera të ngjashme, do të varen pikërisht nga kontakte të tilla.
Përveç kësaj, marrëveshja e Minskut, përcakton se Kievi duhet më së pari të përmbushë një numër kushtesh, para se të mund të marrë sërish në fund të këtij viti, kontrollin e rreth 400 kilometrave përgjatë kufirit me Rusinë, një zonë që politikanët ukrainas e quajnë si “dritarja e luftës”.
Eshtë ndërkaq e gabuar të teprohet me besimin tek “bindja” e separatistëve, mbi të gjitha edhe për shkak se Kievi nuk po tregon shenja se do t’u japë atyre ndonjëherë një amnisti të pakushtëzuar dhe të plotë. Shumë vëzhgues argumentojnë se kur Igor Plotnitski dhe Alexander Zakarçenko – udhëheqësit e të ashtuquajturave Republikave të Luhanskut dhe Donjeckut – fillimisht refuzuan të nënshkruajnë marrëveshjen e Minskut, pasi sipas tyre, ajo ishte pjesë e një maskaradë që Vladimir Putin e kishte orkestruar për ta bërë atë të dukej, se ishte detyruar me forcë të ulej në tryezën e bisedimeve.
Kjo mund të jetë e vërtetë, por në të dyja rastet, ata burra kanë nën urdhërat e tyre 25-30 mijë separatistë, të cilët kanë marrë pjesë në luftë, kanë derdhur gjak, shokët e tyre kanë vdekur në fushëbetejë, dhe për këto arsye janë të mbushur plot me urrejtje për armikun. Dhe tani, krejt papritur atyre u kërkohet të “dorëzohen” dhe tërhiqen, duke ndaluar ofensivën që filluan në janar, kur ishin vetëm “5 minuta larg” nga disfata e përafërsisht një numri të njëjtë të ushtarëve ukrainas afër Debaltseves, sikurse ndodhi fundin e verës së shkuar pranë Ilovaiskut. Mund të provohet ndërkaq se është jo më pak e lehtë edhe për Kievin, për të përmbajtur ultra-nacionalistët e vet, që bëjnë thirrje për vazhdimin e luftës. Ruajtja e një armëpushimi bëhet gjithnjë e më e vështirë, kur konflikti përfshin jo një konfrontim ndërmjet ushtrive të rregullta, por  një betejë mes komandantëve në terren, që përfaqësojnë një shumëllojshmëri milicish, duke përfshirë njësitet e shumta gjysmë-guerile që luftojnë në anën e Kievit.
Tek e fundit, po të mos ishte përfshirja jozyrtare e Rusisë, përmes paisjeve ushtarake dhe “këshilltarëve”, do të ishte më e udhës që konflikti të konsiderohej thjesht një luftë civile.
Në çdo rast, të dyja palët tanimë mund të shohin të paktën një armëpushim të përkohshëm. Duke pasur parasysh të gjitha “zonat e minuara” në marrëveshjen e Minskut, do të ishte me fat nëse ajo do të zgjaste deri në verë.
Deri atëherë rrugët do të thaheshin, ushtritë do të mund të plotësonin radhët me përforcime, dhe do rifillonin konfliktin mes tyre. Në skenarin më të keq, palët ndërluftuese do ta thyejnë armëpushimin shumë më herët, pasi të kenë filluar tërheqjen e armëve të rënda. Në  mungesë të një zone të demilitariazuar, me trupa paqëruajtëse ndërkombëtare, nuk ka gjasa që dikush të mund të garantojë pajtueshmëri të plotë në këtë pikë. Por gjëja më e rëndësishme është që të dyja palët të ndalojnë granatimet ndaj njëra-tjetrës.
Dallimi kryesor ndërmjet marrëveshjes aktuale dhe asaj të arritur po në Minsk shtatorin e shkuar, qëndron mesa duket tek dy lojtarët e rinj të fuqishëm, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Fransua Holond, të cilët do të ushtrojnë presion mbi Kievin, që të zbatojë çdo pikë të paktit. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por po aq është edhe fakti se Evropa dalëngadalë po shfaq një lodhje në rritje nga kriza e Ukrainës.
Frustrimi vjen edhe bëhet më i madh, kur situata e brendshme atje do të varet nga mënyra sesi Kievi do të përdorë me efektivitet ndihmat financiare, 17 miliardë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe burime të tjera të planifikuara për muajin e ardhshëm, si dhe 40 miliardë dollarë të tjera, përgjatë 4 viteve të ardhshme.
Deri më tani, Kievi nuk ka bërë asgjë për të ringjallur ekonominë e vet, që ndodhet aktualisht në koma. Dhe kjo për shkak se varet nga veprimi i përbashkët nga ana e klasës politike në pushtet thellësisht e përcarë. Pa një “Maidan të tretë”, për t’i nxitur ata të veprojnë, sidomos atë pjesë të ekuacionit që duket po aq e dyshimtë sa pajtimi me marrëveshjen e Minskut, vështirë se situata mund të ndryshojë.
Ndërkohë ka një tjetër “minë tokësore”, që është potencialisht më e fuqishme se të gjitha të tjerët të marra së bashku: fakti se Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë drejtpërdrejti apo në ndonjë mënyrë tjetër në marrëveshjen e negociuar në Minsk. Dhe pa një pjesëmarrje aktive dhe efektive të Uashingtonit, është e pamundur të arrihet diçka e përafërt për Ukrainën, si me Marrëveshjet e Dejtonit dikur.
Dhe kjo nuk është vetëm për shkak se Poroshenko e mban veshin nga SHBA në çdo gjë që ai bën, apo edhe sepse ndihma e FMN-së nuk mund të fillojë, pa miratimin zyrtar amerikan, por edhe për shkak se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ukrainën si një ndër fazat e përballjes me Putinin. Për këtë të fundit, SHBA beson se dëshiron të ndryshojë rregullat globale të lojës, në një kohë që tashmë ka krijuar një precedent të rrezikshëm, arketipin e një evropiani alla Hugo Chavez dhe Ajatollah Khomeinit, të kombinuar.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA deri tani janë katandisur thuajse në atë pikë, që asnjëra palë madje nuk dëshiron as të shtrëngojë duart me njëra-tjetrën, apo më e rëndësishmja, të diskutojë ndonjë çështje thelbësore, përfshirë çështjet politike dhe ushtarake të cilat dikur ishin gjithmonë në tryezën e bisedimeve, madje edhe kur bashkëpunimi ekonomik mungonte. Sigurisht, si një udhëheqës i kujdesshëm dhe disi i pavendosur, presidenti amerikan Barak Obama, nuk do të shkojë të kërkojë telashe të reja, por të tjerët në Uashington janë tërësisht të gatshëm të përfshihen në një përleshje.
Tani për tani, Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura të ulen e të presin, duke ia lënë iniciativën evropianëve, të cilët nga ana e tyre duken shumë të entuziazmuar me urtësinë dhe qëndrueshmërinë e treguar kundër dërgimit të armëve perëndimore Ukrainës.
Por sa më pak Shtetet e Bashkuara, përfshihen në mënyrë konstruktive dhe i përkushtohen procesit të arritjes së një zgjidhjeje, aq më pak ka të ngjarë të kemi një paqe të qëndrueshme, se pikat e marrëveshjes së Minskut do të zbatohen, dhe se Kievi do të përmbushë detyrimet e tij. /Moscow Times/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button