HistoriMAIN

Pse Romanovët u lanë në baltë nga monarkitë kryesore të Evropës?

Nga Helen Rappaport

Natën midis 16-17 korrikut  të vitit 1918, në bodrumin plot lagështi të një shtëpie në Ekaterinburg në ultësirën e Uraleve, bolshevikët vranë në mënyrë brutale 7 anëtarët e familjes së fundit perandorake të Rusisë.

Fundi tragjik i Romanovëve, një dinasti që kishte sunduar Rusinë për më shumë se 300 vjet, ishte larg të qenit një ekzekutim i saktë dhe i shpejtë. Nuk pati asnjë proces të rregullt gjyqësor, asnjë shans për ta apeluar vendimin, dhe kurrfarë mëshire ndaj 5 fëmijëve të pafajshëm të ish-carit dhe careshës së Rusisë, Nikollës dhe Aleksandrës.

Olga 22-vjeçe, Tatjana 21, Maria 19, Anastasia 17 dhe Aleksei 13-vjeç u masakruan të gjithë brutalisht bashkë me prindërit e tyre në një akt të hakmarrjes revolucionare, që është edhe sot drithërues. Por ajo që i bën edhe më të tmerrshme vrasjet, është jo-efikasiteti i togës së rojave bolshevike që i kryen ato.

Nikolla vdiq më shpejt, por pjesa tjetër e familjes së tij, dhe 4 shërbëtorët që i shoqëruan në Ekaterinburg, patën që të gjithë një vdekje të tmerrshme. Ekzekutuesit profesionistë, do ta kishin përfunduar detyrën e tyre të tmerrshme brenda disa sekondash.

Ndërkohë në rasti konkret u deshën 20-minuta të shtënash të panumurta, ulërima nga dhimbjet, gjakderdhje, para se të goditjet me bajoneta t’u jepte fund vuajtjeve të të plagosurve. Pas çaste më vonë, të 11 kufomat u hodhën në pjesën e pasme të një kamioni “Fiat”, dhe u çuan pyllin Koptjaki, 15 km larg Ekaterinburgut, dhe atje u hodhën në një gropë të cekët plot me baltë.

Që kur ndodhi vrasja e Romanovëve, qeveria bolshevike e Vladimir Leninit nisi të përhapte një rrjet dezinformimesh, ku nuk merrej vesh nëse ishte vrarë apo jo e gjithë familja, sidomos gratë. Kjo shkaktoi lindjen e një mitologjie të tërë mbi atë që ndodhi realisht, si pasojë i të cilës faktet e vërteta u errësuan gjithnjë e më shumë, nën një mjegull teorish konspirative.

Njerëzit nisën të shpresonin se në një farë mënyre një apo edhe e gjithë familja, mund t’i kishte mbijetuar mrekullisht asaj kasaphane. Por shfaqja e Ana Andersonit në Berlin në vitin 1920, me pretendimin se ishte vajza më e vogël e carit dhe careshës, Anastasia, shërbeu vetëm sa për të larguar vëmendjen nga pikëpyetjet e shumta që rrethojnë ende rrethanat e asaj masakre.

Duke eksploruar 18 muajt e fundit të asaj familje, dhe ato që ndodhën në prapaskenë për t’i ndihmuar Romanovët, në funksion të një libri të ri që shkrova, ishte tronditëse të shihja se shumë nga provat e supozuara, bazoheshin në hamendje dhe madje keqinterpretim të fakteve.

Shumë shpesh, njerëzit e kanë besuar variantin sipas së cilit në fund Romaniovët u lanë në baltë nga mbreti i Britanisë së Madhe, Xhorxhi V. Besohet gjerësisht se ky i fundit u ofroi të afërmve të tij azil në Britani, para se më pas të tërhiqej.

Edhe tani lexuesit më pyesin vazhdimisht:”Po pse i tradhtoi Xhorxhi V, kushërinjtë e tij Romanov?”. Xhorxhi mund të ketë qenë një burracak, për shkak se ndryshoi mendje për strehimin e Romanovëve në Britani. Por ky do të ishte një shpjegim tejet i thjeshtëzuar i asaj që ndodhi.

Dhënia e azilit ndaj tyre ishte një gjë, ndërsa nxjerrja e tyre nga Rusia diçka tërësisht tjetër. Dhe kërkimet e mia, më treguan se dështimi për të shpëtuar Romanovët, nuk erdhi për shkak të hezitimit të mbretit britanik. Në fillim të vitit 1914, marrëdhëniet midis Nikollës II dhe Mbretit Xhorxh V, kishin qenë të afërta dhe të përzemërta.

Kërcënimi në rritje i fuqisë detare gjermane, vetëm sa i kishte forcuar marrëdhëniet e mira mes tyre, të krijuara bashkë me Francën nën Antantën e Trefishtë të vitit 1907. Të dy monarkët kishin lidhje familjare, përmes familjes mbretërore daneze:nënat e tyre, Dagmar dhe Aleksandra, ishin motra, pra Xhorxhi dhe Nikolla ishin kushërinj të parë mes tyre.

Dhe shumëkush mund të priste që lidhje të tilla të ngushta familjare, të sillnin një reagim të menjëhershme pozitiv nga Britania. Por deri në fillim të vitit 1917, Britania dhe Rusia ishin në vitin e katërt të një konflikti të egër kundër Gjermanisë.

Kërkesat politike të kohës së luftës, kishin përparësi ndaj besnikërisë së vjetër dinastike. Rusia u trondit nga dy revolucione në vitin 1917. Kur ndodhi i pari në shkurt, dhe nën presionin e bolshevikëve për një paqe të veçantë me Gjermaninë, shqetësimi parësor i qeverive aleate ishte mbajtja e një Rusie të demoralizuar dhe të rraskapitur në Luftën e Parë Botërore.

Dhe nxjerrja jashtë Rusisë e ish familjes perandorake, nuk ishte një prioritet. Pasi u arrestua në mars, Nikolla dhe familja e tij u vendosën në arrest shtëpiak në Pallatin e Aleksandrit pranë kryeqytetit rus Petrograd. Ata shpresonin në një lloj internimi brenda vendit.

Por Qeveria e Re e Përkohshme e Rusisë, e refuzoi shpejt dëshirën e Nikollës për një jetë të qetë në pronat e Romanovëve në Krime. Qeveria donte ta mbronte familjen dhe lejonte qëndrimin e Romanovëve në Rusi, por kjo mund të inkurajonte një kundër-revolucion.

Qeveria e Përkohshme, donte nga ana tjetër të ruante marrëdhëniet e saj të brishta me punëtorët dhe ushtarët e Sovietit të Petrogradit. Kjo organizatë politike rivale, radikale, nuk po kërkonte asgjë më pak sesa gjyqi, dhe duke nënkuptuar ekzekutimin e Carit, ishte kundër lejimit të largimit të Romanovëve nga Rusia, për të jetuar ditët e tyre në “rehatinë” e supozuar të ekzilit.

Romanovët duhej të paguanin një çmim të lartë për despotizmin e tyre. Një keqkuptim i zakonshëm është se Mbreti britanik Xhorxh V u ofroi azil Romanovëve. Kjo nuk është e vërtetë. Ndërsa Xhorxhi mund të ketë dëshiruar instinktivisht të ndihmojë të afërmit e tij mbretërorë, qeveria e tij nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim.

Lëvizjen e parë e kreu Pavel Miljukov, ministri i jashtëm i Qeverisë së Përkohshme ruse. Ai kërkoi me ngulm që qeveria britanike t’i ofronte azil Romanovëve. Kaluan shumë ditë para se qeveria e Dejvid Lloid Xhorxh të kthente përgjigje.

Qeveria britanike e mbështeste ende Rusinë, por dokumentet e reja arkivore konfirmojnë se në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm, qeveria britanike nuk ishte më e etur të merrte Romanovët në Britani, sesa Mbreti Xhorxh. Vetë ky i fundit u fut në panik nga oferta që mori.

Po pse ndërroi mendje mbreti britanik? Xhorxh V, kishte frikë se sjellja në Angli e familjes së Carit, dhe debatet mbi këtë fakt, mund të shkaktonin trazira ne mesin e klasës punëtore britanike, që simpatizonte shumë regjimin e ri revolucionar në Rusi.

Për më tepër caresha Aleksandra ishte një gjermane, dhe në atë kohë armiqësia ndaj Gjermanisë ishte aq e fortë, sa që familja mbretërore britanike e ndryshoi mbiemrin e saj nga Saxe-Coburg-Gotha në Uindsor po në korrik të atij viti.

Pra frika nga humbja e fronit të vet, në një kohë tensionesh të mëdha politike, e shtynë mbretin të hiqte dorë nga mbështetja fillestare për dhënien e azilit për kushëririn dhe familjen e tij. Por Xhorxhi nuk ishte i vetëm në këtë qasje.

Studimi im tregon se shumë nga të afërmit evropianë të Romanovëve, besonin se Nikolla dhe Aleksandra ishin rrëzuar nga froni për shkak të marrëzisë së tyre, dhe rrezikuar në këtë mënyrë fronet e familjeve mbretërore në të gjithë kontinentin.

Gjithsesi, u kërkua me urgjencë një strehim alternativ: Danimarka neutrale, ishte shumë pranë Gjermanisë. Norvegjia dhe Suedia ofruan ndihmë për evakuimin nga Rusia, por nuk pranuan t’i mbanin Romanovët. Edhe Franca dhe Zvicra ia refuzuan azilin.

Pra Romanovët ishin një “patate e nxehtë” politike, të cilën nuk donte ta mbante asnjë qeveri gjatë kohës së luftës. Mbreti Alfonso i Spanjës, rezulton të jetë i vetmi i afërm mbretëror, që bëri përpjekje të dëshpëruara për t’i nxjerrë Romanovët nga Rusia, që nga marsi i vitit 1917, deri sa ata u vranë në korrikun e 1918-ës.

Por në Rusi fati i Romanovëve, nuk ishte asnjëherë çështja politike më e ngutshme në vitin 1917. Kur u transferuan në Siberinë Perëndimore, në Tobolsk në gushtin e 1917-ës, dhe më pas Ekaterinburg në prillin e vitit 1918, ata ishin jashtë vëmendjes së Moskës.

Kjo çoi në një lloj vetëkënaqësi fatale për sigurinë e tyre, dhe në braktisjen e përpjekjeve për t’i larguar ata nga Rusia. Ndërkaq, grupimet e shumta monarkike në Rusi, ishin të paafta për t’u bashkuar dhe organizuar ndonjë plan të zbatueshëm të arratisjes të tyre. Edhe kur u përpoqën, ata kishin probleme me fondet, dhe vështirësi për të realizuar një arratisje pa shkaktuar gjakderdhje.

  • Shënim: Dr.Helen Rappaport, është eksperte mbi historinë perandorake viktoriane, dhe më vonë e Rusisë. Një nga librat e saj më të njohur është “Katër motrat:Jetët e humbura të dukeshave të mëdha Romanov”.

“History Extra” – Bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close