Analiza

Pse SHBA nuk është si Roma e lashtë

Screen Shot 2015-04-29 at 20.19.15

Pse SHBA nuk është si Roma e lashtë

Nga Joseph S. Nye
Ngërçi në Uashington, a mos është ndoshta një shenjë se Amerika do të ketë fundin e Perandorisë Romake? Sipas disa analistëve, ushtrimi i fuqisë ushtarake përtej oqeanit, ka kosto që çojnë tek dobësimi i ekonomisë, duke kontribuar në një rënie, për shkak të një “hiper-ekspansioni perandorak”.
E megjithatë, rastin amerikan nuk e përfshin kjo teori, për faktin e thjeshtë se në dekadat e fundit, shpenzimet mbi mbrojtjen dhe diplomacinë kanë qenë në fakt në rënie të vazhdueshme si përqindje e PBB-së.

Megjithatë, rënia e SHBA-së mund të mos jetë lidhur me atë “hiper-ekspansionin perandorak”, por me arsye të politikës së brendshme.

Në fund të fundit, rënia e Romës nuk u var nga lindja e një tjetër perandorie, por nga bjerrja e përgjithshme në shoqërinë, ekonominë dhe institucionet e saj, e cila e bëri të paaftë për të mbrojtur vetveten nga pushtimi i një luzme fisesh barbare. Roma u kalb nga brenda, sapo populli i vet e humbi besimin në kulturën dhe institucionet e saj, dhe kur, ndërsa elitat ishin të angazhuara në një luftë për pushtet, korrupsioni ishte në rritje dhe ekonomia nuk mundi të rritej ashtu si duhej.

Është e mundur që Shtetet e Bashkuara të humbasin aftësinë për të ushtruar ndikimin e vet në ngjarjet ndërkombëtare, për shkak të luftës brenda institucioneve dhe çështjeve kulturore? Kultura nuk është e palëvizshme, dhe kritikët shpesh ankohen, mbi zakonet e brezave aktualë.

Nëse është e vërtetë që SHBA ka shumë probleme sociale, përkeqësimi nuk duket i qëndrueshëm. Në disa aspekte, situata po përmirësohet, si shkalla e kriminalitetit dhe shtatzënisë së adoleshentëve. Dhe përsa kohë ka përplasje mbi çështje të tilla kulturore si martesa midis të njëjtit seks dhe aborti, sondazhet tregojnë një rritje të përgjithshme të nivelit të tolerancës.

Shoqëria civile është e fortë, dhe sondazhet tregojnë një pjesëmarrje ende të lartë javore të besimtarëve në kishë, rreth 37 përqind, vetëm pak më poshtë sesa një dekadë më parë. Betejat e mëdha kulturore të së shkuarës kundër skllavërisë, prohibicionizmit dhe makartizmit, në emër të të drejtave civile, ishin probleme shumë më të rënda, sesa ato që diskutohen tani. Njerëzit e mveshin të shkuarën me një aureolë të artë, dhe ky fenomen e bën diçka të lehtë për të folur për rënien.

Megjithatë, pasiguria në raport me institucionet amerikane është shumë më e theksuar. Shumë vëzhgues besojnë se bllokimi i sistemit politik amerikan është

dukuria që do të na sjellë shkatërrimin. Nëse është e vërtetë se sot bllokimi partizan po bëhet një dukuri e shpeshtë, pyetja është: kur, në fakt, gjërat shkojnë më keq se në të shkuarën?

Kushtetuta e SHBA bazohet tek pikëpamjet liberale të shekullit XVII, për të cilat pushteti mbahet më mirë nën kontroll, përmes fragmentimit dhe balancimit të tij, në vend se përqëndrimit të tij në pak duar.

Qeveria e SHBA është e projektuar për të qenë e paefektshme, në mënyrë që të paraqiste më pak kërcënim për lirinë. Sikurse vëren “The Economist” e Londrës: “Struktura politike amerikane është projektuar për të bërë të vështirë nxjerrjen e

ligjeve në nivelin federal, jo për ta bërë më të lehtë. Etërit e saj themelues, ishin të bindur se një vend i madhësisë së Amerikës, mund të qeveriset më mirë në nivel lokal se kombëtar… Pra, sistemi themelor funksionion, por ky nuk është një justifikim i vlefshëm, për të injoruar të gjitha ato aspekte ku ai mund të reformohet” – sikurse janë vendet e garantuara në Kongres, falë manipulimit te zgjedhjeve dhe procedurat e bllokimit në Senat.

Por, pavarësisht zgjerimit të ndarjes ideologjike nga vitet ‘70 e këtej, paraliza nuk është e plotë.
Ekonomia e Romës së Lashtë nuk sillte produktivitet, shoqëria e saj ishte e ndarë

nga lufta e brendshme dhe institucionet e saj lundronin në një korrupsion të shfrenuar dhe në prishjen e përgjithshme të moralit, çka e bëri atë të paaftë për të mbrojtur vetveten.

Pavarësisht të gjitha problemeve tona, faktet e bëjnë të vështirë të mbështetësh një analogji të plotë me situatën në Shtetet e Bashkuara. Kultura amerikane ka ndarjet e veta, por problemet mbeten gjithësesi të menaxhueshme, dhe janë më pak të rrezikshme sesa në periudhat e tjera të së shkuarës sonë. Shoqëria jonë mbetet e hapur ndaj botës, dhe më e aftë se të tjerat për të rinovuar veten, përmes emigracionit.

Ekonomia amerikane mbetet inovative, duke përdorur teknologjitë e reja në treg, për shkak të kulturës së saj sipërmarrëse, të pjekurisë së sipërmarrjeve të industrisë, dhe traditës së saj të lidhjeve të ngushta, ndërmjet industrisë dhe universiteteve më të mira në botë. SHBA renditet e para në botë, përsa i përket kërkimit dhe zhvillimit, dhe është në pararojë të zhvillimeve të reja në kibernetikë, nano dhe bio-teknologji, por edhe në sektorin energjitik, të cilat së bashku do të jenë vendimtare për këtë shekull.

Problemet e vërteta gjenden tek pabarazia dhe përgatitja e fuqisë punëtore të së ardhmes, por kjo nuk e ka penguar rritjen

ekonomike. Problemet më të vështira, kanë të bëjnë me institucionet politike. Ngërçi ishte pjesë e sistemit federal që nga fillimi, por në Uashington në vitet e fundit është përdorur gjithnjë e më shpesh.

Në të njëjtën kohë, sistemi federal siguron diversitet dhe risi potenciale për shtetet dhe qytetet e saj.
Një rol më pak aktiv i qeverisë në Amerikë, do të thotë se shumica e inovacionit zhvillohet jashtë kufijve të Washington DC. Gjithashtu në vitet e fundit, pavarësisht nga shpeshtimi i grindjeve, të shumta për problemet më serioze – nga defiçiti tek kostot e sistemit shëndetësor – situata është përmirësuar, në vend se të përkeqësohej.

Amerika ka shumë probleme, por ne nuk jemi si Roma. /”Huffingtonpost.it”/
Shënim: Joseph S. Nye, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA, profesori i Harvardit.

Leave a Reply

Back to top button