Analiza

Pse SHBA s’duhet të hezitojë. Eshtë superfuqia e vetme që ruan ekulibrat globalë

Nga Robert Kagan
Autor i “Bota që krijoi Amerika”

Gjeopolitika

Konkurrenca mes fuqive të mëdha është rikthyer. Ose më mirë, na kujtoi se ishte gjithmonë aty në sfond, duke përgjuar. Ky nuk është një zhvillim i i vogël në çështjet ndërkombëtare, por kjo nuk nënkupton fundin e rendit botëror, sikurse e njohim ne.
***
…. Historikisht, luftërat mes fuqive të mëdha, fillojnë duke përdorur si argument shtetet tampon, ku sferat e influences ngërthehen, sikurse ishte Ballkani para Luftës së Parë Botërore, për shembull, ku u përplasën ambicjet e Rusisë dhe Austro-Hungarisë…
***
… Në shekullin e XIX-të, Rusia u pushtua nga Napoleoni, dhe kjo pas thënies që mendohet se ka formuluar Katerina e Madhe, e që në mënyrë të përmbledhur përcakton vizionin rus: “Unë s’kam mënyrë tjetër për t’i mbrojtur kufijtë e mi, përveçse duke i zgjeruar ato”. Por sot kjo nuk është e vërtetë. Rusia nuk po përballet me asnjë kërcënim për pushtim nga Perëndimi. Zaten, kush do ta niste një pushtim të tillë? Gjermania, Estonia apo Ukraina? …

Pse SHBA s’duhet të hezitojë. Eshtë superfuqia e vetme që ruan ekulibrat globalë

Nga Robert Kagan
Autor i “Bota që krijoi Amerika”

Konkurrenca mes fuqive të mëdha është rikthyer. Ose më mirë, na kujtoi se ishte gjithmonë aty në sfond, duke përgjuar. Ky nuk është një zhvillim i i vogël në çështjet ndërkombëtare, por kjo nuk nënkupton fundin e rendit botëror, sikurse e njohim ne.

Ndikimi i vërtetë i këtij rikthimi do të varet nga ajo sesi Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen këtyre ndryshimeve. Amerika ka nevojë të njohë rolin e saj qendror, në ruajtjen e tanishme të rendit ndërkombëtar, dhe duhet të përdorë fuqinë e saj ende të frikshme, si dhe ndikimin për ta mbështetur këtë rend, kundër sfidave të pashmangshme. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, konkurrenca është e natyrshme. Për nga vetë natyra e tyre, fuqitë e mëdha kërkojnë dominimin rajonal dhe sferat e influencës. Më së pari, ato e bëjnë këtë pasi ndikimi mbi të tjerët është ai që e përcakton një fuqi të madhe. Ato janë, si rregull, vende të mbushura me krenari kombëtare dhe ambicje perandorake.
Por, duke jetuar në një botë hobsiane me fuqi të tjera të mëdha, ato janë të shqetësuara edhe mbi sigurinë e tyre, dhe fillojnë të kërkojnë mbrojtje në thellësi, nëpërmjet krijimit të shteteve tampon në periferinë e tyre. Historikisht, luftërat mes fuqive të mëdha, fillojnë duke përdorur si argument shtetet tampon, ku sferat e influences ngërthehen, sikurse ishte Ballkani para Luftës së Parë Botërore, për shembull, ku u përplasën ambicjet e Rusisë dhe Austro-Hungarisë.
Por sot fuqitë e mëdha po rriten në një mjedis shumë të ndryshëm ndërkombëtar, kryesisht për shkak të rolit unik, që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. SHBA-ja ka qenë jo thjesht një fuqi rajonale, por më tepër se një fuqi rajonale në çdo rajon strategjik. Ajo ka shërbyer si ruajtësi i ekuilibrave rajonale në Evropë, Azi, dhe Lindjen e Mesme.
Rezultati ka qenë se, në kontrast të thellë me epokat e shkuara, fuqitë e sotme të mëdha nuk përballen me kërcënime themelore të sigurisë së tyre fizike. Kështu, për shembull, Rusia objektivisht nuk ka gëzuar kurrë më parë një siguri më të madhe, sesa që prej vitit 1989 e këtej.
Në shekullin e XX-të, Rusia u pushtua dy herë nga Gjermania, dhe pas luftës së dytë, i druhej një tjetër pushtimi, pavarësisht kapacitetit mbrojtës (tek e fundit dhe Franca, kishte të njëjtën frikë). Në shekullin e XIX-të, Rusia u pushtua nga Napoleoni, dhe kjo pas thënies që mendohet se ka formuluar Katerina e Madhe, e që në mënyrë të përmbledhur përcakton vizionin rus: “Unë s’kam mënyrë tjetër për t’i mbrojtur kufijtë e mi, përveçse duke i zgjeruar ato”.

Por sot kjo nuk është e vërtetë. Rusia nuk po përballet me asnjë kërcënim për pushtim nga Perëndimi. Zaten, kush do ta niste një pushtim të tillë? Gjermania, Estonia apo Ukraina?

Nëse Rusia përballet me kërcënime, ato vijnë nga jugu, në formën e militantëve islamikë, apo nga lindja, në formën e një Kine mbi 1 miliardëshe, që qëndron përtej kufirit të një Siberie të zbrazur. Por, për herë të parë në historinë e saj të gjatë, Rusia nuk do të përballet me një kërcënim strategjik nga krahu i saj perëndimor.

E njëjta gjë mund të thuhet për Kinën, e cila gëzon sigurinë më të madhe se në çdo kohë, gjatë 3 shekujve të fundit. Roli amerikan në Azinë Lindore, e mbron atë nga pushtimi nga ana e kundërshtarit të saj historik, Japonisë, ndërsa asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha përgjatë periferisë së Kinës, nuk kanë as forcën dhe as dëshirën tani për tani apo në të ardhmen e parashikueshme, për të nisur ndonjë sulm në territorin kinez.

Prandaj, as rusët dhe as kinezët s’mund të pretendojnë, se një sferë e ndikimit është e nevojshme për mbrojtjen e tyre. Ata mund ta mendojnë si të nevojshme, për shkak të ndjesisë së tyre të krenarisë, apo si një mënyrë për të rivendosur në vend nderin e plagosur. Ata mund të kërkojnë një sferë të zgjeruar të influencës, për të përmbushur ambicjet e tyre, për t’u bërë fuqi më e frikshme në skenën ndërkombëtare.

Dhe ata mund të kenë shqetësime, se kombet e lira në periferi të tyre mund ta kalojë “infeksionin liberal” mbi popujt e tyre, çka mendohet se ua minon pushtetin autokratik. Çështja për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Azi dhe Evropë, është nëse ne duhet të tolerojnë një rikthim tek sjelljet me sfera influencash mes fuqive rajonale, të cilat nuk po kërkojnë siguri, por janë në kërkim të statusit, fuqi që veprojnë më pak nga frika, dhe më shumë nga ambicja.

Në fund të fundit, kjo çështje nuk ka të bëjë me idealizmin, angazhimin tonë për “rregullat bazë” të rendit ndërkombëtar, apo kundërvënien tonë parimore ndaj agresionit territorial. Po, ka parimet të rëndësishme në këtë rrafsh:fqinjët nuk duhet të pushtojnë fqinjët e tyre, për të rrëmbyer territorin e tyre.

Por, para se të merremi me problemin e parimit, ne duhet të kuptojmë sesi sjellje të tilla, ndikojnë në stabilitetin themelor të botës. Në këtë pikë, kujtesa historike është shumë e qartë. T’i rikthehesh një bote të sferave të influencës – një botë që ka ekzistuar para epokës së dominimit amerikan – do të thotë të risjellësh në skenë konfliktet mes fuqive të mëdha, gjatë shekujve të kaluar. Fuqitë e mëdha të revizionuara, nuk janë kurrë të kënaqura. Sfera e tyre e ndikimit, nuk është kurrë aq e madhe sa të kënaqë krenarinë e tyre, ose nevojën e tyre për t’u zgjeruar, për rritjen e sigurisë. Fuqia e “ngopur” për të cilat Bismarku fliste rrallë – madje edhe Gjermania e tij – në fund s’mund të ngopet.

Sigurisht, fuqitë e mëdha në rritje, shprehin gjithmonë ndonjë ankesë historike. Çdo popull, me përjashtim ndoshta të amerikanëve fatlumë, ka arsye të jetë i pakënaqur mbi padrejtësitë e ndryshme, ushqimi i armiqësive kundër rivalëve të vjetër, duke kërkuar t’i kthehet një të kaluare të lavdishme, që i ishte vjedhur nga armiqtë, për shkak të humbjes ushtarake ose politike. Burimi i botës me ankesa të tilla është i pashtershëm Megjithatë, këto ankesat rrallë zgjidhen vetëm përmes ndryshimeve të vogla kufitare. Japonia, kombi që ankohej se nuk kishte hapësirën e nevojshme gjeografike në vitet ‘30, nuk u ngop kur gllabëroi rajonin kinez të Mançurisë në vitin 1931. Gjermania, viktima e pakënaqur e Versajës, nuk e ngopi veten me aneksimin e rajonit gjermanishtfolës të Sudeteve nga Çekosllovakia. Dhe, sigurisht, sfera historike e ndikimit të Rusisë nuk përfundon në Ukrainë. Ajo fillon në Ukrainë, duke u shtrirë në Balltik, Ballkan, dhe në zemër të Evropës Qëndrore.

Ironia tragjike është se, në procesin e gdhendjes së këtyre sferave të influencës, fuqitë ambicioze në rritje, pa dallim krijuan kërcënimet e vërteta, të cilat i përdorin për të justifikuar veprimet e tyre. Japonia bëri pikërisht këtë në vitet ‘30. Në vitet ‘20, pas Traktatit Detar të Uashingtonit, Japonia ishte një fuqi relativisht e sigurtë, kur përmes një kombinimi të ambicjes dhe paranojës, e lëshoi veten në një kërkim të një sfere të zgjeruar të influencës, duke frymëzuar kështu armiqësinë ndaj fuqisë së madhe, së cilës japonezët dikur i druheshin.

Dikush mund të shohë një dinamikë të ngjashme me sjelljen e Rusisë sot. Askush në Perëndim, nuk ka menduar të përmbajë Rusinë, derisa Rusia e bëri veten një fuqi, që duhej të përmbahej. Nëse historia sjell ndonjë farë mësimi, sjellje të tilla thjesht përfundojnë, kur fuqitë e tjera të mëdha vendosin se kanë duruar boll. Ne i njohim këto momente, si luftërat mes fuqive të mëdha.

Koha më e mirë dhe më e lehtë për të ndaluar dinamika të tilla, është që në fillim.
Nëse SHBA do të ruajë një rend botëror dashamirës, ajo s’duhet të lejojë që sferat e ndikimit, të shërbejnë si pretekste për agresion. SHBA duhet t’i bëjë gjërat të qarta tani – para se situata t’i rrëshqasë nga duart – se ky nuk është rendi botëror që ajo do të pranojë. Dhe ne duhet të jemi të qartë, se çfarë përgjigje kërkohet.

Fuqitë e mëdha sigurisht që konkurrojnë nëpër sfera të shumta ekonomike, ideologjike, politike dhe ushtrarake.

Konkurrenca në shumicën e sferave është e nevojshme, dhe madje edhe e shëndetshme. Në kuadër të rendit liberal, Kina mund të konkurrojë ekonomikisht dhe me sukses me Shtetet e Bashkuara; Rusia mund të lulëzojë në rendin ndërkombëtar ekonomik, e mbështetur nga fuqitë liberale, edhe nëse ajo vetë nuk është e tillë.

Por konkurrenca mbi sigurinë është e ndryshme, sepse Rusia nuk mund të konkurrojë me Perëndimin ideologjikisht apo ekonomikisht, në kushtet kur Putini u është drejtuar mjeteve ushtarake. Duke vepruar kështu, ai sulmoi sigurinë dhe stabilitetin që qëndrojnë në thelbin e rendit liberal. Situata e sigurisë parathotë çdo gjë tjetër, pa atë nuk funksionon asgjë. Demokracia dhe prosperiteti nuk mund të lulëzojnë pa siguri.

Mbetet e vërtetë edhe sot, sikundër ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore, se vetëm Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet dhe avantazhet unike gjeografike, për të garantuar këtë siguri. Nuk ka asnjë ekuilibër të qëndrueshëm të pushtetit në Evropë apo Azi, pa Shtetet e Bashkuara. Dhe ndërsa ne mund të flasim për fuqinë e butë dhe fuqinë e zgjuar, ato kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë një vlerë e kufizuar, kur përplasen me fuqitë e papërpunuara ushtarake.

Përkundër të gjithëve, që flasin lirshëm për rënien e Amerikës, është fusha ushtarake ku SHBA mbetet me përparësitë më të qarta.

SHBA ruan kapacitetin, së bashku me aleatët e saj të fuqishëm, për të penguar sfidat ndaj rendit dhe sigurisë. Por pa një gatishmëri të SHBA-së për të përdorur fuqinë ushtarake dhe vendosur ekuilibrin në rajonet e largëta të botës, sistemi do të rrudhej nën konkurrencën e pakufizuar ushtarake të fuqive rajonale. /“Brookings Institution”/

Shënim: Robert Kagan është një studiues i njohur amerikan i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Libri i tij më i fundit titullohet “Bota që Amerika prodhoi”.
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button