Analiza

“Pse shërbimet e fshehtë nuk duhet të flejnë gjumë”

xhihadistetKoordinator i Bashkimit Evropian për luftën kundër terrorizmit qysh prej vitit 2007, belgu Gilles de Kerchove analizon për gazetën franceze Libération, fenomenin e të rinjve evropianëve që nisen të luftojnë në rradhët e Shtetit Islamik. Ai detajon aksionin e shteteve anëtare për të penguar të rinjtë e rinj myslimanë që t’i bashkohen kësaj lëvizje terroriste dhe shmangur që kur të kthehen në vëndet e tyre të organizojnë atentate në territorin e Bashkimit Evropian .

Cili është numuri i personave që largohen nga Bashkimi evropian për të shkuar dhe luftuar në Siri e në Irak?

Nuk ka asnjë dyshim që ky numër është mbi 3000 vetë, mbi bazën e të dhënava që shtetet anëtare pranojnë të ndajnë midis tyre. Unë nuk disponoj të dhëna të fundit, sidomos qysh me fillimin e bombardimeve ajrore nga ana e koalicionit: a i kanë nxitur më shumë të rinjtë që të shkojnë në luftime apo të kthehen në vëndet e tyre? Sepse kanë shkuar të luftojnë kundra Asadit dhe sot ata jo vetëm luftojnë me grupe të tjera të rezistencës, por mbi kokat e tyre u kanosen bombardimet …

A ka vende më të prekur se sa të tjerët nga këto nisje?

Gjermania, Belgjika, Hollanda, Suedia, Franca, Anglia, Spanja, Danimarka dhe Austria. Në terma relative Belgjika dhe Danimarka janë në vijën e parë, në numër absolut Franca.

Në të kaluarën kemi parë evropianë të shkonin të luftonin jashtë vendit …

Ka pasur xhihadistë në Afghanistan, në Somali, në Jemen, por asnjëherë në raporte të tilla. Kjo është e lidhur me lehtësinë e aksesit në fushën ku zhvillohen luftimet: nuk kushton shumë të shkosh në Turqi dhe deri vonë të kaloje kufirin sirian. Drejtuesi i një shërbimi informativ evropian ka treguar se ka më tepër ngjashmëri tipografike midis lagjeve të qyteteve tona të mëdha evropiane dhe atyre të Alepit se sa me shpellat e Afganistanit apo me shkretëtirën e veriut të Malit, gjë që luan një rol për t’u tërhequr në konfliktin sirian. Krahas kësaj, motivimet janë më të forta në Siri për ata që ndajnë retorikën e Al Qaïda-s: në disa hadite të Profetit, “al-sham” (Siria e madhe) është vendi ku do të zhvillohet beteja e fundit kundër të pafeve, aty ku do të kthehet Mahdi. Elementi i fundit është roli i internetit që nuk ekzistonte në konfliktet e mëparshëm.

3000 luftëtarë në 20 milion myslimanë evropianë, kjo nuk përfaqëson gjë të madhe.

Problemi shtrohet me kthimin e tyre. Sigurisht që nuk dimë se sa nga këta 3000 persona do të kthehen si dhe numrin e atyre që janë, ose do të jenë plagosur dhe vrarë në vend. Ndërmjet atyre që do të kthehen, nuk e dimë se sa prej tyre do të bien në dhunë. Por numri i tyre është shumë shqetësues: në 3000 veta, të supozojmë që gjysma do të kthehen dhe do të bien në dhunë 10%, pra do të kemi 150 persona të cilët kanë mësuar përdorimin e armëve dhe të lëndëve plasëse, do të radikalizohen, do të zhvillojnë një rrjet shokësh lufte në të gjithë botën dhe do të rrisin nivelin e tyre të tolerancës ndaj dhunës. Eshtë mjaft e rëndësishme për të mos lejuar drejtuesit e shërbimeve informative që të flejnë.

A mund t’i krahasojmë këta të rinj që marrin pjesë në Xhihad me të rinjtë që bashkoheshin me brigadat ndërkombëtare në Spanjë?

Ky debat ka më tepër se një vit që është bërë në Belgjikë, kur ish ministri i brendshëm propozoi të mbështeteshim në një ligj që lejon të ndalohen njerëzit që shkojnë të luftojnë jashtë vendit. Qeveria nuk arriti të binte dakort për këtë propozim, sepse disa kanë përmendur precedentin e Brigadave ndërkombëtare.

Nga ana konceptuale secili të lejohet të shkojë të luftojë për idealet e tij. Por këtu është diçka tjetër: nëqoftëse disa në fillim të luftës në Siri udhëhiqeshin nga ndjenja fisnike, të tronditur nga fakti që komuniteti ndërkombëtar nuk po bënte mjaft për t’i ardhur në ndihmë pranverës siriane.

Sot nuk kemi më këtë rast: 80 deri 90 % e personave që nisen i bashkohen Shtetit Islamik, një grup i deklaruar terrorist nga Kombet e Bashkuara, me një barbari të pashoqe. Nuk mund të flitet më për romantizëm, idealizëm, bujari, por për kriminalitet, barbari, mizori.

Qysh prej sa kohësh Shtetet evropiane informojnë njëri-tjetrin për këto lëvizje xhihadiste evropiane?

Shtetet e BE-së janë mobilizuar brenda vendit qysh në fillim të nisjes së luftëtarëve. Në nivel evropian, unë kam njoftuar shtetet anëtare qysh në janar të vitit 2013 në kuadrin e një raporti që unë përgatita mbi pasojat e pranverave arabe mbi sigurinë. Në mars të vitit 2013, kam bërë një analizë të thellë të fenomenit dhe në maj një propozim për një plan veprimi evropian me 22 masa, plan i cili u miratua me unanimitet nga ministrat e brendshëm. Qysh prej asaj kohe nuk ka pasur një mbledhje ku kjo pikë të mos jetë diskutuar dhe unë të mos kem bërë propozime apo vlerësime.

Çfarë mund të bëjmë për të luftuar kundra këtij fenomeni  ?

Qasja nuk mund të jetë vetëm represive. Nëse rregullohet problemi i Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, shteron burimi i rekrutimit. Këtë po bën në këtë çast komuniteti ndërkombëtar, si në planin diplomatik, politik, humanitar, ashtu edhe ushtarak. Duhet gjithashtu të shterojnë burimet e financimit të Shtetit islamik që vijnë nga jashtë, në veçanti nga vëndet e Gjirit, dhe të trajtohet çështja e televizioneve satelitore që bëjnë thirrje për xhihad ditë e natë. Në Evropë, aksioni ynë duhet të jetë shumëformësh: ne duhet sëpari të kuptojmë fenomenin, mënyrat e përdorura të rekrutimit, rrugët e huazuara. Nuk duhet të ngurrojmë të ndërhyjmë deri në nivelin më të lartë të procesit të radikalizimit duke u mbështetur në Rrjetin e Sensibilizimit nga Radikalizimi (RSR) i ngritur nga Komisioni me qëllim që të identifikohen praktikat e mira të vendeve të ndryshme dhe të frymëzohemi nga ato. Franca, me shtytjen e Manuel Valls, kur ai ishte ministër i brendshëm, dhe më pas të Bernard Cazeneuve, modifikoi qasjen e saj për problemin duke zbatuar një politikë të vërtetë parandaluese, që mobilizon administratat vendore, dhe që duket shumë efikase. Danimarka ka propozuar që luftëtarët mund të kthehen pa u ndjekur veçse që ata të pranojnë të regjistrohen në një program rehabilitimi, si në Arabinë Saudite.

Sigurisht që kjo supozon që të kemi programme të mira.

Informacioni lejon që të identifikohen personat kandidatë për t’u nisur në zonën e luftimit. Por duhet në mënyrë absolut që BE-ja të pajiset me një sistem regjistrimi të emrave të pasagjerëve PNR (Passenger name recorder) mbi modelin amerikan që lejon të përpunohen në mënyrë informatike të gjitha të dhënat personale të pasagjerëve të avioneve, me qëllim që të zbulohen lëvizjet e personave të dyshimtë. Për fat të keq, kjo dosje aktualisht është e bllokuar nga Parlamenti evropian, i cili ka frikë nga cënimi i lirive publike.

Me t’u identifikuar duhet që ne t’i ndalojmë që këta persona të largohen nga territori evropian, siç ka vendosur Franca, por jo Belgjika. Anullimi i një pasaporte mund të bëhet mbi bazën e informacioneve të bashkërenduara (sigurisht nën kontrollin e gjykatësit) dhe jo mbi bazën e provës në kuptimin juridik të termit, çka ndryshon gjithshka.

Nëqoftëse personi niset gjithsesi, ai kryen një krim duke lejuar që të regjistrohet menjëherë në SIS (Sistemi i Informacionit Shengen) dhe do të lejonte ndalimin e tij në kthim. Ai për këtë arsye të vetme mund të dënohet. Kjo është njëlloj nëse ju dëshironi të drejtoni makinën pa patentë.

Kjo politikë parandaluese është pa dyshim më efikase, sepse gjatë kthimit do të jetë më e lehtë të provohet para një gjykatësi që një person ka qenë në luftim në rradhët e Shtetit isalmik, të paktën që të ketë lënë gjurmë elektronike. Pa llogaritur që për momentin, shumë vënde nuk kanë në kodin penal nen që lejon të ndiqet dhe të dënohet dikush që ka luftuar jashtë vendit. Për këtë arsye Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nën drejtimin e Barak Obamas, miratoi në shtator rezolutën 2178, që i detyron të gjitha vëndet të pajisen me një arsenal të tillë. Por kjo nuk zgjidh gjithshka sepse ato që kthehen nuk paraqesin të njëjtën shkallë të rrezikshmërisë. Duhet pra të diferencojmë trajtimin që u rezervohet atyre.

Së fundi duhen ndihmuar shtetet e treta si ato të Ballkanit perëndimor apo të Afrikës së Veriut që përballen me të njëjtin fenomen. Një vend si Tunizia ka më tepër se 3000 shtetas në Siri dhe ka mundur të pengojë 9000 persona të tjerë të nisen.

Problemi qëndror i islamit të Evropës a nuk është që xhamitë janë financuar nga vëndet e Gjirit, sidomos nga Arabia Saudite, e cila përhap kështu një version radikal të këtij besimi ?

Unë jam i mendimit se edhe në se duhet të kemi një diskutim me Arabinë Saudite, diskutim që unë tashmë e kam filluar, duhet gjithashtu të luftojmë kundër promovimit të një salafizmi të dhunshëm nëpërmjet rrugëve të ndryshme si: interneti, télévizioni, predikuesit e lëvzshëm.

Nicolas Sarkozy kishte arsye kur ai propozonte të zhvillonte një islam të Evropës dhe jo një islam në Evropë që kalon nga strukturimi i kultit mysliman, përmirësimin e cilësisë të mësuarit të besimit fetar në vëndet myslimane, nëpërmjet promovimit të zërave alternative më të moderuar.

Për internetin Komisioni organizoi një takim interesant me platformat e mëdha të internetit, si Google, Facebook apo YouTube, për diskutuar se si të hiqet gjithshka që bën thirrje për dhunë. Komisioni ka vendosur gjithashtu të ndihmojë shtetet anëtare të elaborojnë një politikë komunikimi për të shpjeguar se çfarë bëhet për të ndihmuar sirianët, për shëmbull, por gjithashtu për të inkurajuar zërat e moderuar të islamit të Evropës për të denoncuar kthimin në drejtime kriminale. /Liberation/

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button