Analiza

Pse Vatikani ka nevojë për Bankë dhe ç’janë këto skandale?

Pse Vatikani ka nevojw pwr Bankw dhe ç’wshtw kjo historia e skandalitAndrew Weiner

Historia e Vatikanit mund të lexohet më shumë si një libër i Dan Brownit, se sa si faqet e financës në gazeta, por ditët e tij më të këqia dhe më të çuditshme mund t’i ketë lënë pas krahëve tashmë. Pas një viti riorganizimi dhe reformash, që panë një rënie me 97 % të fitimeve, Selia e Shenjtë vendosi një grup të ri mbikëqyrësish që përfshin edhe një person, i cili ka fituar reputacion duke mbyllur llogaritë e paligjshme bankare të Koresë së Veriut.

Po çfarë është Banka e Vatikanit, dhe përse Kisha Katolike dhe 1.2 miliardë të krishterët që e ndjekin, kanë nevojë për institucionin e tyre financiar? E pagëzuar zyrtarisht me emrin Instituti për Punët e Fesë dhe e themeluar në vitin 1942, historia e bankës është e mbushur me skandale, fshehtësi dhe mospajtim me masat standarte perëndimore kundër mashtrimit. Në fakt, ta quash bank këtë institucion do të thotë ta tendosësh pak si shumë këtë term. Ai nuk lëshon çeqe dhe nuk jep hua, ka kritere shumë të rreptë dhe kontrolle të të kaluarës për klientët, dhe disa prej bankomatëve që përdoren vetëm prej klientëve të tij kanë dhe një opsion në gjuhën latine.

Në të vërtetë, instituti vepron më shumë si një institucion i veçantë “offshore” për ruajtjen e fondeve, se sa si një bankë tipike – në fakt, në vitin 2012 zyrtarët ia hoqën emrin “bankë”. Carlo Marroni, i “Il Sole 24 Ore”, një e përditshme financiare italiane ka shkruajtur se banka investon kryesisht ato pothuajse 8 miliardë euro që zotëron, në tregjet e monedhave dhe bonove – si dhe për një sasi të madhe floriri. Kur fitimi i deklaruar i bankës ra me më shumë se 80 milionë euro nga 2012 në 2013, 16.4 milionë e kësaj “humbjeje” u shkaktua prej “luhatjeve në vlerën e rezervave të floririt të Institutit”.

Papa Françesku e ka një prej prioriteteve të tij reformimin e bankës, dhe për momentin banka po i nënshtrohet një pastrimi total. Kur hyjnë në faqen e internetit të Institutit, vizitorët përshëndeten me një mesazh që të ngjan më shumë me një pranim faji dhe kërkesë falje. “Instituti për Punët e Fesë (IPF) është i angazhuar në një reformë gjithëpërfshirëse, për të nxitur standartet më të rreptë profesionalë dhe të pajtueshmërisë”, thuhet aty. “Ne po kryejnë një rivlerësim të zgjeruar të llogarive të klientëve tanë, me synim përfundimin e atyre marrëdhënieve që nuk janë në linjë me misionin e IPF”.

Bashkë me emërimin e biznesmenit francez Jean-Baptiste de Franssu si kreu i ri i Bankës, Vatikani shpalli të mërkurën se ka mbyllur 2000 nga 19 mijë llogaritë e saj. Konsulentë të mirëpaguar kanë krehur të gjithë llogaritë bankare për të spastruar dokumentacionin e papërshtatshëm dhe për të demistifikuar se kush i kontrollon llogaritë.

IPF u lidh me veprimtari kriminale sidomos në vitin 1982, përmes lidhjeve të tij me skandalin e Banco Ambrosio. Mbështetur nga Vatikani Banco Ambrosio, një bankë italiane, pësoi kolaps për shkak të 1.2 miliardë dollarëve hua të pasiguruara, dhe trupi i kryetarit të saj dikur i njohur si “Bankieri i Zotit” u gjet i varur në një urë të Londrës. Në atë kohë, New York Times shkruajti për “lajme të paverifikuar se figura të krimit të organizuar dhe një lozhë antimasonike e zbuluar së fundmi janë të përfshira në këtë skandal”. Vatikani nuk ka pranuar asnjëherë akuzat për veprime të gabuar, por dy vjet më vonë i pagoi 240 milionë dollarëve zotëruesve të llogarive në bankë.

Pas skandaleve të njëpasnjëshëm dhe nën trysni prej institucioneve partnerë për të bërë përpjekje kundër pastrimit të parave, IPF nisi të përpiqet të vetëreformohet në mesin e viteve 2000. Pasi emëroi një drejtor të ri në dhjetor 2009 me shpresën e marrjes së vulës së miratimit nga Task Forca e Veprimit Financiar, një organ global që vendos standartet për luftën ndaj pastrimit të parave, banka firmosi pranimin e rregullave të Bashkimit Europian kundër pastrimit të parave, duke premtuar që do i zbatonte deri në fundin e vitit 2010.

Përpara se të ndodhte kjo, qeveria italiane në shtator 2010 ngriu pothuajse 23 milionë euro asete të IPF, në vijim të një hetimi për pastrim parash. Dokumenta të gjykatës ngrinin akuzën se Banka e Vatikanit kish vepruar me synim “fshehjen e pronësisë, destinacionit dhe origjinës së kapitalit”. Në përgjigje të kësaj, papa i atëhershëm Benedikti krijoi Autoritetin e Informacionit Financiar (AIF) brenda Vatikanit, për të mbikëqyrur pajtueshmërinë me rregullat e BE. Ashtu si çështja Ambrosiano, Vatikani mohoi të ketë vepruar gabim dhe shmangu padinë, por akuzat mbeten një plagë në besueshmërinë e Bankës, që përmendet shpesh.

Kohët e fundit, telashet e IPF kanë ardhur njëri pas tjetrit. Në vitin 2012, Departamenti i Shtetit i SHBA e quajti Vatikanin një shtet “shqetësues” për pastrimin e parave. Banka refuzoi t’i shpjegojë JPMorgan Chase se përse, gjatë 18 muajve, 1.8 miliardë Euro hynë dhe dolën nga një llogari bankare. Një prej reformatorëve që erdhi për të udhëhequr bankën, u largua nga frika për jetën e tij. Ai i deklaroi Reuters-it se “kam paguar çmim për transparencën”. Në vitin 2012, u konstatua se banka kishte dështuar në përmbushjen e shtatë nga 16 rekomandimet kundër pastrimit të parave. Pesë anëtarët që përbëjnë AIF dhe mbikëqyrin marrëveshjet financiare të Vatikanit duhej të shërbenin deri në 2016, por dhanë dorëheqjen më herët me kërkesë të Papa Françeskut dhe janë zëvendësuar nga ekspertë të jashtëm, përfshirë edhe Juan Zarate, i cili njihet më mirë për ndihmën që i ka dhënë administratës Bush për të gjetur mënyra të reja për zbatimin e sanksioneve ndaj shteteve “horra” dhe grupeve terroristë. E habitshme, por pastrimi i Bankës së Vatikanit mund të rezultojë një detyrë po aq sfiduese. /Foreign Policy/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button