Kulture

Psikologjia e Ngjyrave

colors

Bashkë me notat dhe çelësin e muzikës si dhe shkronjat e alfabetit, ngjyrat sigurojnë blloqet ndërtuese të emocioneve tona. Nuk ndodh pa arsye që ne të themi “ndjehemi blu” ose “shohim të kuqe”. Çdo ngjyrë është lidhur në mënyrë të hollë me një rrjet eksperiencash dhe shoqërizimesh. Disa nga këto janë shumë karakteristike: një e verdhë e veçantë mund të na kujtojë kuzhinën e gjatë e të verdhë të gjyshes së vdekur ose një palë çizme që ne mbanim kur ishim fëmijë. Por të tjerat mbajnë mbi vete kuptime më shumë universale. Duke eksploruar shoqërizimet që ne kemi rreth ngjyrave mund të arrijmë të kuptojmë veten dhe po aq e rëndësishme, kjo na krijon një mundësi t’u tregojmë të tjerëve se kush jemi.
E VERDHA
SHPRESE
E verdha është e kujdesshme dhe plot besim. Nuk është në anën mbrojtëse. Vepron si një mburojë kundër dëshpërimit dhe ndjesive të poshtërimit. Është e etur për vëmendjen tonë, si një fëmijë i lumtur i gëzuar të jetë në qendër të gjërave. Me kohë energjia e saj mund të jetë shtypëse, por si ambasadori i saj më i famshëm – limoni – ka pak gjëra që nuk do t’i përshkallëzojë. Poeti Gjerman Johann Wolfgang von Goethe e dashuronte të verdhën, duke e konsideruar atë si ngjyrën e një sjelljeje të butë plot me shprese ndaj jetës. Ai zotëronte një koleksion prej njëzet jelekësh të verdhë, të cilët ai gjithmonë i çiftonte me pantallona të bardha – pasi donte shumë edhe qetësinë.
PORTOKALLIA
VITALITET
Portokallia është paksa më e pjekur, e fuqishme dhe kërcënuese sesa fqinja dhe simotra e saj, e verdha. Ajo pothuaj kalon në diçka frikësuese. Ka shumë prej saj në llavën e brendshme të diellit. Megjithatë në dozën korrekte, duket si një përqëndrim i një energjie dhe vitaliteti që shumë shpesh na mungon në mendjet dhe përditshmërinë tonë. T’ia japësh gjithë dhomës, makinës, flamurit ose veshjes këtë ngjyrë mund të jetë me rrezik, pasi mund të kalojë në ekstremitet dhe në obsesion, dhe megjithatë ta mohosh zgjuarsinë rastësore të ngjyrës duket të jetë gjithashtu gabim. Ne duhet të dimë sesi të ndërtojmë në momente të caktuara atë që portokallia përfaqëson në një jetë të mirëbalancuar.
E KUQE E LEHTË
AVENTURË
Një e kuqe e ndritshme dhe e lehtë është aventuriere, e zgjuar, madje dhe pa ndjenja. Nuk shqetësohet se çfarë mendojnë të tjerët. Dhe është  e nevojshme dhe jep forcë kur, siç ndodh në shumicën e rasteve, ne jemi jashtëzakonisht në ankth prej opinionit të njerëzve të tjerë. E kuqja e lehtë nuk është e ashpër, thjesht e pavarur. Është më e interesuar të ndiqet sesa të jetë një pasuese. Është ngjyra e flamurit tuaj kur ju ndjeni se mund t’i kundërviheni botës (ose një pjese të saj që ka rëndësi për juve).
E KUQE E ERRËT
FUQI
Kur Napoleoni e kurorëzoi veten Perandor të Francës në 1804, ai veshi një pelerinë kadife në të kuqe të shkëlqyer. Kjo është ngjyra e froneve, e kardinalëve, e fuqisë dhe pompozitetit, e ceremonive dhe e festimeve. Autoriteti simpatizon të kuqen e errët dhe e kuqja e errët favorizon idenë e maturisë. Është pohuese dhe e sigurt, dhe mund të funksionojë si një kujtesë e një sjellje më shumë kërkuese e këmbëngulëse kur, përmes fatkeqësisë apo gabimeve tona, ne ligështohemi. I drejtohet fragmentit të sjelljes së Napoleonit, të varrosur në shpirtin e gjithsecilit.
MANUSHAQE
DYKUPTIMËSI
Manushaqja është e kuqe që është pothuajse transformuar në blu. Ka marrë pak nga të dyja, i kujton të dyja, e kjo e bën atë misterioze, të papërcaktuar dhe sugjestionuese. Artistët e Rilindjes së Hershme pëlqenin të përshkruanin engjëjt, të zënë me detyra mëshirëdhënëse midis qiellit e tokës, ndërsa mbanin veshur pelerina manushaqe. Ngjyra evokonte për ta idenë e një pafundësie “përtej” që nuk ishte kërcënuese apo e rrezikshme, dicka që mezi e prisnim, por që mbetej gjithmonë jashtë pamjes.
BLU E LEHTË
QARTËSI
Bluja e lehtë është pashmangshmërisht ngjyra e qartë e një qielli mëngjesi – me një përshtypje të qetë, të veriut ose të malësisë. Është një ngjyrë për të qenë aktivë. Është e papërkulshme, e gëzueshme, gati të marrë dhe të përballojë të gjithë gjërat që juve i keni lënë mënjanë. Hijet, konfuzioni, dyshimet dhe mendimet e pavendosura gjejnë një skutë të fshihen kur shfaqet bluja e lehtë. Nuk është kurrë mizore, thjesht e mbushur me vullnet të mirë si një fllad. Është llogjike, e qartë. Admiron të thjeshtën, fjalinë e drejtëpërdrejtë.
BLU E ERRËT
DISIPLINË
Kjo ngjyrë është ngjyra e rregullit dhe disiplinës. Na tregon neve të mos dorëzohemi, të kërkojmë për rezerva të elasticitetit. Është e vendosur, e besueshme. Bluja e errët nuk e kalon kufirin. Kapet pas detyrës kyçe, ndaj pikës kryesore. E mban parasysh gjithmonë qëllimin. Më shumë e fuqishme sesa e vështirë; kurajoze sesa e ashpër, është e civilizuar dhe e orientuar. Është fuqi në anën tonë, mbrojtëse dhe ndihmuese. Është ngjyra e një babai të mirë e të vërtetë.
JESHILE E LEHTË
MENDJE E SHËNDOSHË
Jeshilja e lehtë ka ndjesinë e freskët dhe natyrale të mendjes së shëndoshë. Thirret kur ne jemi mirënjohës sesa ziliqarë. Kur ne nuk kemi nevojë t’i ulim të tjerët për t’u ndjerë mirë për vetveten dhe kur ne jemi më shumë të interesuar të gjejmë se si të bëjmë gjërat të shkojnë mirë, sesa të ankohemi kur ato nuk shkojnë si duam. Ne mund ta përdorim këtë ngjyrë që të fokusohemi në fuqinë tonë për të bërë diçka – sesa të fajësojmë të tjerët për dështimet tona ose të dyshojmë në forcat tona.
JESHILE E THELLË
REALIZËM
Sferat zbutëse të jeshiles së thellë më gri kanë të bëjnë me realizmin. Kjo fjalë ka ndonjëherë shoqërizime të pafata, sikur të ishte e kundërta e shpresës, por në fakt, është diçka si maturia, shpresa realiste. Ky emocion na tregon ne se gjërat janë të vështira, por që e keqja do të kalojë, se ajo që kemi mund të jetë e mirë sa duhet, se ne do të menaxhojmë dhe bashkëpunojmë pavarësisht zhgënjimeve të paevitueshme dhe kompromiseve. Kjo është shpresa e atij që ka arritur një njohuri të duhur mbi shqetësimet e jetës – por nuk është dorëzuar. Na kthen neve tek durimi dhe moderimi si edhe vetëpëmbajtja.
KAFE E LEHTË
RELAKSUESE
Kjo është një ngjyrë që nuk dëshiron të tërheqi vëmendjen ndaj vetes. Është e ndërgjegjshme për kohët e shkuara dhe e ndjen tërheqjen e tyre. I pëlqen qetësia. Është medituese dhe e butë. Por nuk na vë në gjumë. Kafja e lehtë është mikja jonë kur ne duam të qetësohemi dhe të mënjanojmë stimulimin e jashtëm, me qëllim që të dëgjojmë zërat më të qetë të botës së brendshme –  gjysëm kujtimet, shoqërizimet në tentativë, fillimet e momenteve delikate të një mendimi të ri.
KAFE E THELLË
DINJITET
Dinjitet do të thotë të mos fillosh të përpiqesh të impresionosh. Je i sigurt për vetveten – për atë që je, dhe kujt i përket. Mund të jetë ngjyra e një tavoline të vjetër, me një orë me tik-tak të lehtë në sfond. Koha është e ngadaltë dhe mëse e mjaftueshme, nuk ka pse të nxitohesh, apo të shpejtohesh. Kafja e errët nuk është ngjyrë hektike – është hija e rehatisë ose dheut të errët në një ditë me lagështirë. Jo pompoze, por thellësisht e mirë dhe plot besim. Është solide dhe që mund t’i besosh.
E ZEZË
AUTORITET
E zeza është ngjyra shumëvjeçare e modës dhe sofistikimit në botën moderne. Është e fuqishme, pa iluzione. Flirton me cinizëm. Është më pak naivja, më pak fëmijërorja e ngjyrave. Neve na duhet e zeza kur duam të ruajmë qetësinë; ne kemi parë shumë tashmë për t’u mbartur tej. Është një kujtuese e ndjesisë së të qënit paksa i ashpër, paksa kërkues dhe i vendosur.
e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button