Shendeti

Puna me orare të zgjatura dhe rënia e flokëve. Ja çfarë thonë studimet për lidhjen mes tyre

Të punosh më tepër se 52 orë në javë shton riskun për rënien e flokëve. Studimet kanë treguar se puna me orare të zgjatura e dyfishon këtë risk, sidomos tek meshkujt. Arsyeja kryesore është stresi në punë. Ndryshimet hormonale gjatë stresit ndalojnë zhvillimin e folikujve të flokut në skalp duke bërë që floku i humbur të mos rigjenerohet.

Studimi është realizuar në Korenë e Jugut, në “Universitetin e Mjekësisë” në Sungkyunkëan, me rreth 13 mijë meshkuj të punësuar dhe mes tyre, shumica punonin me orare të zgjatura. Ata u ndanë në persona që punonin normalisht deri në 40 orë në javë, persona që punonin shumë deri në 52 orë në javë dhe ata që punonin jashtëzakonisht shumë me mbi  52 orë në javë.

Arsyeja e këtij studimi ishin plot studime të mëparshme për të njëjtën temë, të cilat nuk kishin arritur në rezultate shumë të qarta. Disa thoshin se folikujt dëmtoheshin si pasojë e dëmtimit nga sistemi imunitar i trupit në kushtet e stresit. Ndërkohë ishin zbuluar se mosha, statusi civil, edukimi, të ardhurat, duhanpirja dhe rutina në punë gjithashtu ishin faktorë që ndikonin në këtë aspekt.

Rritja e riskut për rënien e flokëve në këtë studim, rezultoi të ishte 3% më e lartë tek ata që punonin shumë dhe 5% më e lartë tek ata që punonin jashtëzakonisht shumë, krahasuar me grupin që punonin normalisht. Shkencëtarët u munduan të gjenin dhe shkaktarin kryesor, i cili rezultoi të ishte stresi, i cili përmes nxitjes së inflamacionit ndalonte rritjen e flokut, nxiste ciklin katagjen dhe dëmtonte folikulin e tij.

Drejtuesi i studimit, Kyung-Hun Son tha se: “Reduktimi i orëve të punës për të parandaluar alopecinë (rënien e flokëve), është trajtimi më i mirë sidomos në meshkujt e rinj, mes të 20-ave dhe të 30-ave, në të cilat kanë nisur shenjat e humbjes së flokëve. Ne kemi nevojë për politika promovuese për orare normale të punës për të reduktuar jo vetëm këtë fenomen, por çdo pasojë negative që sjell stresi”.

Back to top button