Horizonti.al

Pushimet: Kur organizmi nuk do “të heqë prizën”

Punë, punë gjatë gjithë vitit, pasi i jeni dhënë tërësisht punës dhe familjes, doni fort që vera t’ju “rikalibrojë” dhe më në fund të argëtoheni. Por kur ajo më në fund vjen, nuk jeni në gjendje ta shijoni, sepse organizmi ju pengon. Një simptomë e fortë, ose një sërë simptomash alternative, mund të prishin pushimet tona.

Kemi qenë mirë gjatë gjithë vitit, kur duhej “të funksiononim” për t’i rënë mbrapa me mijëra detyrave të përditshme, dhe ja tani shfaqet një dhimbje koke e vazhdueshme, një kolit që e bën të rrezikshëm largimin nga shtëpia, një rrjedhje menstruale që nuk do të ndalet, një gastrit që kushtëzon ushqimin, një dhimbje shpine që na bllokon në shtrat ose në kolltuk. Ose një gjendje akute ankthi, një seri sulmesh paniku ose nervozizmi me ndryshime të vazhdueshme të humorit. Çfarë ndodh? Ky është një reagim i fortë psikosomatik, i cili, për t’u zgjidhur shpejt, duhet të lexohet në mënyrën e duhur.

Trupi nuk do

Në disa raste, simptomat shprehin një rebelim. Eshtë sikur trupi po  shpreh një refuzim të pandërgjegjshëm ndaj pushimeve. Ndoshta kemi nevojë për një relaks të vërtetë, por për të kënaqur bashkëshortët dhe fëmijët, jetojmë ditë shumë të pasura me aktivitet. Ose ndoshta duam të jemi vetëm, apo me dikë tjetër. Në fakt, për disa nisja me pushime nënkupton largimin nga situatat që i përfshijnë, dhe që kanë frikë mos i humbasin në këto javë.

Trupi nuk ia del

Në shumicën e rasteve, megjithatë, nuk bëhet fjalë për një rebelim, por për një vështirësi, ndonjëherë edhe një paaftësi për t’ia lënë veten pushimit dhe argëtimit. Pas shumë stresi që kemi kaluar, nuk jemi më të mësuar që të jepemi pas kënaqësisë dhe pushimit, nuk dimë më të rrijmë në kohë të lirë: jemi bërë kaq funksionalë sa që, kur nuk ka për të “funksionuar” në mënyrën e zakonshme, diçka tek ne ndjehet jashtë vendi.

Hyjmë në mënyrë të pandërgjegjshme në gjendje gatishmërie, sikur të duhet të kontrollojmë këtë “gjënë e re”, që është mundësia për t’u argëtuar dhe ndenjur jashtë binarëve të zakonshëm.

Në të vërtetë kemi vetëm nevojë për më shumë kohë: koha që i nevojitet sistemit nervor për t’u përshtatur me mjedisin dhe ritmet e reja. Por pushimet e shumëkujt zgjasin shumë pak, dhe kur më në fund po përshtatemi, ja vjen dita që duhet të kthehemi.

Shkëputja mes punës intensive dhe kohës së lirë mund të kapë mekanizmat psiko-trupore, që nuk ia dalin të qëndrojnë pas ritmeve frenetike dhe kohës së paktë të lirë.

Trajtoje veten më mirë

Të dy rastet nuk duhen nënvlerësuar. Zbulojnë një tendencë tonën për të qenë në hije, apo sepse nuk legjitimojmë sa duhet nevojat tona, apo sepse nuk arrijmë t’i njohim më, jo vetëm kur duhet të programojmë pushimet dhe të nisemi, por edhe në përditshmërinë tonë, gjatë vitit. Nëse duam të dalim nga këto situata, duhet që të vetëdijësohemi: të kuptojmë më mirë se çfarë bën vërtetë për ne, çfarë nuk na pëlqen, dhe të bëjmë të pamundurën që ata përreth nesh të na kuptojnë dh endihmojnë. / bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button