Analiza

Pushteti i dobësuar i Vladimir Putinit

Nga Moises Naim

“Fortune”

Presidenti rus ndihmoi në ndërtimin e klasës së mesme në vend. Në fund ajo mund të shkaktojë rrënimin e tij

Screen Shot 2015-03-30 at 10.23.20

Deri kohët e fundit Vladimir Putin, është përfshirë zakonisht në listat e njerëzve më të fuqishëm në botë. Gjatë mbretërimit gati 16- vjeçar, marka e lidershipit të Putinit, plot krekosje, e fotove zhveshur gjatë gjuetisë për tigra, i ka sjellë atij një popullaritet të madh në Rusi dhe madje njëfarë admirimi qejfprishur jashtë vendit, një fakt që u bë i qartë edhe nga

përzgjedhja e tij në vitin 2007, si Personazhi i Vitit nga revista “Time”.
“(Ai) merr një vendim dhe e zbaton atë shpejt. Dhe pastaj të gjithë reagojnë. Ky është ai që quhet udhëheqës” – tha ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudi Xhuliani, gjatë një interviste për televizionin “Fox News” vitin e kaluar. Pas fjalimit të Putinit në vitin 2009 në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, drejtori ekzekutiv i një prej kompanive më të mëdha në botë, më tha: “ai është një bandit, por ne s’kemi asnjë mundësi tjetër, veçse të merremi vesh me të dhe besnikët e tij”. “Ai është thjesht tepër i fuqishëm” – shtoi ai. Të paktën kështu ka qenë deri para pak kohësh.

Tashmë kohët kanë ndryshuar. Putini vazhdon të fitojë pushtet të madh, por më pak se më

parë, dhe të shpresosh se fuqia e tij do të rritet mbetet një bast i vështirë. Shefi i Kremlinit është qartësisht më i kufizuar se çdo herë që nga koha kur mori detyrën, ndërsa sa më tepër ndodhin ndryshime për vendin e tij, aq më tepër posti i tij është më pak i sigurtë.

Në dallim nga Rusia e hershme e viteve 2000, kur Putini e çoi drejt një epokë transformuese dhe rimëkëmbjeje ekonomike, vendi sot është në një spirale në rënie. Ekonomia lëkundet në prag të recesionit, e goditur nga rënia e çmimeve të naftës (50 përqind të të ardhurave të qeverisë vijnë nga shitja e naftës dhe gazit), sanksionet e vështira ekonomike, ikja masive jashtë e kapitalit dhe zhdukja e investimeve të huaja.

Vetëm vitin e kaluar, rubla e humbi gjysmën e vlerës së saj, çmimet e ushqimeve u rritën 23

përqind, dhe inflacioni u rrit në total në 16.7 përqind. Kremlini u detyrua të përdorë burimet masive financiare për të shpëtuar disa nga kompanitë dhe bankat më të mëdha në vend. Kompania e njohur ndërkombëtare “Standard & Poor”, e uli në janar në mënyrë drastike normën e vlerësimit të vendit. Konflikti i vazhdueshëm me Ukrainën mund të shkaktojë shtimin e sanksioneve dhe rritjen e izolimit nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Dhe Rusia është e njohur për korrupsionin e saj alarmant. Sipas raportit të “Transparency International”, në vitin 2014, vendi renditej i 137 nga 172 vende të botës të marra në shqyrtim, lidhur me perceptimin e korrupsionit, në një grup me Iranin, Nigerinë, dhe Libanin. Megjithatë, mbështetja për Putinit qëndron habitshëm në nivele maksimale, rreth 85

përqind. Edhe në një shtet policor, ku censura mbyt çdo lloj sondazhi të lirë të opinionit publik, është e qartë se ai gëzon një mbështetje të gjerë. Aneksimi prej tij i Krimesë u mirëprit në Rusi, ku të gjithë ndjejnë se gadishulli i takon më të drejtë Rusisë, dhe beteja e tij përgjatë kufirit me Ukrainën riktheu krenarinë kombëtare. Vitet e çmimeve të larta të naftës, të cilat përfunduan vetëm në vjeshtën e shkuar, sollën për Rusinë një rritje dramatike përsa i përket zhvillimit ekonomik: Varfëria u zbeh, klasa e mesme u zgjerua, dhe tejmbushja e arkës së shtetit i mundësoi Putinit të financojë të gjitha llojet e iniciativave, që bën të ndjehet mirë një shoqëri ende të sapo rimëkëmbur, nga mungesa e dinjitetit dhe humbja e pozitës së saj si një superfuqi.

Brenda vendit, një popullaritet i tillë maskon një anë shumë të errët. Putini ia ka bërë në rastin më të mirë tejet të vështirë jetën kundërshtarëve të tij politikë. Kritikët shpesh detyrohen të heshtin, burgosen, ose më keq eleminohen. Edhe nëse Putini nuk është drejtpërdrejt përgjegjës për vrasjen e kreut të opozitës dhe kritikut, Boris Nemçov, ai ka kultivuar një atmosferë që dekurajon fuqimisht armiqësinë. Kremlini ka konsoliduar kontrollin mbi gati të gjitha mediat ruse dhe ka bllokuar, kufizuar apo çensuruar çdo lloj organi mediatik të pavarur si dhe internetin. Në një vend ku 90 përqind e qytetarëve i marrin lajmet nga televizioni, dhe ku 3 stacionet kryesore kontrollohen nga shteti, Putini ushtron një ndikim të madh në përpilimin e mesazhit që përcillet në familjet ruse. Ndërsa shijojnë rehatinë e të qënit klasë e mesme dhe

ngrenë dolli ndaj bamirësit të tyre, shumë nga këta rusë duket se kanë një apati në rritje lidhur shtetit policor në vend.
Por sa kohë mund të zgjasë ky konsensus kaq i gjerë, në një vend kaq ekonomikisht dhe shoqërisht të dobët? Për të shmangur stuhinë, Putini po ia del me sukses të shpërqëndrojë vëmendjen e publikut, me skenat teatrale ndërkombëtare që tregojnë përkushtimin e njerëzve të tij ndaj atdheut. Fatkeqësisht, një manovër e tillë vetëm sa do të thellojë krizën më shqetësuese ekonomike, duke e shkëputur më tej kombin nga ekonomia globale.

Edhe pas 16 vitesh pushtet absolut, Putini nuk është imun ndaj forcave që do të dëmtojnë barrierat që e kanë mbajtur atë në krye të vendit. Këto forca janë globale: në çdo kontinent dhe përtej çdo sektori të veprimtarisë njerëzore,

rendi i vjetër po humbet terren. Udhëheqësit, më parë të pakontestueshëm në qeveri, ushtria, organizatat fetare dhe biznese po pengohen nga aktorë të panjohur ose shpesh të papërfillshëm: “fuqi të vogla”. Mendoni për ISIS-in, partitë esktremiste në Evropë, dhe hakerat e vetmuar dhe destruktivë si Eduard Snoudeni. Transformimet e thella në shoqëri çojnë tek këto prirje. Ka më shumë në gjithçka – më shumë njerëz, vendeve, qytete, parti politike, dhe ushtri; më shumë mallra dhe shërbime, si dhe shumë kompani që i shesin ato; më shumë armë, ilaçe, studentë, kompjutera. Më shumë njerëz, që janë pjesë e klasës së mesme globale. Për shkak të revolucionit të “më shumë”, njerëzimi në përgjithësi është duke jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm, me nevojat themelore të trajtuara shumë më mirë se kurrë më parë.

Për më tepër, kjo “më shumë” në gjithçka tani lëviz më shumë, duke e bërë botën më të vështirë për t’u kontrolluar. Informacioni qarkullon më shpejtë dhe më gjerë.

Migrimi dhe urbanizimi kanë çrrënjosur dhe transformuar qytetet. Tregtia globale ka mbërritur kulmin dhe paratë lëvizin me shpejtësinë e internetit. Pushteti ka nevojë për një audiencë të robëruar, kështu që revolucioni i lëvizshmërisë e bën më të lehtë për subjektet e padëshiruara nga pushteti që të shmangin kontrollin e këtij të fundit, dhe lejojnë sfiduesit të anashkalojnë pengesat që mbrojnë funksionarët.

Për shkak të revolucioneve të të paturit më shumë dhe lëvizshmërisë më të madhe, mendimi dhe botëkuptimi i njerëzve, është duke u zgjeruar: Unë e quaj këtë një revolucion

mentaliteti. Ndryshimet në mentalitetin dhe qëndrimet ndaj pushtetit dhe autoritetit, pasqyrojnë një rritje të konsensusit global, mbi rëndësinë që ka pavarësia individuale, si dhe korresponduese e intolerancës popullore kundër autoritarizmit.

Rritja e globalizimit u mundëson njerëzve në pjesë të ndryshme të botës të shohin sesi jetojnë të tjerët dhe bashkë me të aspiratën për të jetuar vetë më mirë. Dhe Rusia nuk i ka shpëtuar këtyre tendencave. Pasi ish-Sekretarja e Shtetit Kondoleza Rajs, u takua me sipërmarrësit e rinj në Moskë në vitin 2007, ajo shkroi në “Uashington Post”, se ndërsa ishin vetëm një pakicë e vogël e njerëzve në Rusi, ata përfaqësonin “një klasë të mesme urbane në zhvillim, që zotërojnë apartamentet e tyre, furnizohen tek Ikea, dhe ushqejnë fëmijët e tyre

në McDonald’s. Ata … kanë pritshmëri të ndryshme për të ardhmen”.
Klasa e mesme lulëzoi nën regjimin e Putinit, dhe derisa ekonomia rritej, ajo parashikohej të vazhdonte të rritej në numër dhe të rriste standardet e saj të jetesës. Anëtarët e saj tanimë janë mësuar vende pune të mirë-paguara dhe lukse të caktuara, të tilla si mallrat e importuara, pajisje elektronike moderne, makina, dhe strehim më të mirë, shëndet dhe arsim.

Kjo është e detyruar të ndryshojë për keq. Ndërsa papunësia dhe inflacioni rritet dhe ekonomia rudhet, kushtet e përkeqësuara janë të detyruar të ushqejnë pakënaqësinë popullore, dhe madje edhe trazira. Gjatë një prezantimi të kohëve të fundit, mbi rëndësinë e medias së pavarur, njëra nga këngëtaret e grupit muzikor

punk në Moskë “Pussy Riot”, shumë kritike ndaj Putinit tha: “Shumë rusë nuk e dinë se çfarë është duke bërë qeveria”.
Problemet e vërteta për Putinin do të fillojnë kur fjala pashmangshmërisht të marrë dhenë. A është Vladimir Putin një nga krerët e shtetit më të fuqishëm në botë? Pa dyshim. A është fuqia e tij në rritje, dhe pozita e tij e sigurtë? Sigurisht që jo. A është ai një udhëheqës i madh? Nuk i afrohet fare.

• Shënim: Moisés Naim është një anëtar i shquar në think tankun “Carnegie Endowment for International Peace” dhe autor i librit “Fundi i Pushtetit: nga sallat në fushëbeteja, nga Kishat tek Shtetet”

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button