Analiza

“Pushtimi” kinez i Perëndimit

Screen Shot 2015-10-02 at 20.22.35Nga Nicola Casarini

“Chattam House”

Pekini ka shpallur një plan ambicioz, për të ndërtuar rrugët tregtare që shtrihen deri në zemër të Evropës. Kjo do të sjellë investime tejet të nevojshme për vendet ku kalojnë këto rrugë, por ndërkaq kërcënon të ndryshojë balancën e pushtetit, midis një Azie në rritje dhe kontinentit të vjetër

Këtë vit, Kina dhe Bashkimi Evropian kremtuan 40-vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike. Dikur i papërfillshëm, partneriteti i tyre është bërë një ndër më të rëndësishmit në botë. Tregtia midis Pekinit dhe Brukselit tanimë i tejkalon 1.2 miliardë euro në vit. Niveli i tyre i ndërvarësisë është i tillë, saqë situata e vështirë që kaloi këtë verë tregu i aksioneve në Kinë, u ndje menjëherë në Evropë.

Të dy palët janë duke diskutuar rrugët, për të lidhur nismën e Kinës ‘Një brez, një rrugë’ me planin e presidentin e Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, për punë dhe rritje ekonomike- për të shtuar investimet e dyanshme dhe volumin tregtar. Megjithatë, marrëdhëniet më të ngushta sino-evropiane, rrezikojnë dobësimin e lidhjeve transatlantike, gjë që u pa në mars me vendimin e Britanisë për t’iu bashkuar si një anëtare themelues Bankës Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve, megjithë presionin e Shteteve të Bashkuara për të qëndruar jashtë. Gjermania, Franca dhe Italia nuk vonuan të ndiqnin shembullin britanik.

Vizita shtetërore e Xi Jinpingut këtë muaj në Britani – e para e një presidenti kinez në 10 vitet e fundit – do të vëzhgohet nga afër nga SHBA dhe shtetet e tjera të BE-së, për të parë nëse Londra do të jetë në gjendje të dërgojë një mesazh sigurues në Uashington, ndërsa po korr përfitimet financiare të lidhjeve më të forta me Pekinin.

Kaosi i bursave kineze godet Evropën

Rënia në pikiatë e bursave të Shangait dhe Shen-zhenit këtë verë – e shkaktuar nga shqetësimet se ekonomia kineze mund të jetë ngadalësuar në mënyrë dramatike – dhe lëvizja e papritur e Kinës në muajin gusht për të zhvlerësuar monedhën  kombëtare renminbi, e cila ishte menduar t’i bënte eksportet e saj më konkurruese, pati një ndikim dramatik në Evropë.

Nga njëra anë, shoku i tregut kinez të aksioneve, shkaktoi rënien e çmimeve të mallrave – një prirje e favorshme për industrinë e Evropës, e cila mbështetet kryesisht në lëndët e para të importuara. Në anën tjetër, kompanitë evropiane më të ekspozuara ndaj tregut kinez vuajtën me tepër, me tregtinë që ishte kanali më i rëndësishëm i prekjes nga ky fenomen.

Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Evropës, duke zënë 14 për qind të tregtisë së përgjithshme së mallrave ekstra-BE në vitin 2014, dhe është tregu me rritjen më të shpejtë. Rrjedhimisht, çdo ngadalësim ndikon tek perspektiva e rritjes të kompanive. Një renminbi i dobët, krijon probleme shtesë.

Gjatë muajit gusht, euro u vlerësua me thuajse 5 përqind kundrejt renminbit, me pasojën që kompanitë europiane u përballën me çmime më të larta, si dhe një kërkesë më të ulët. Disa sektorë u goditën veçanërisht më rëndë:prodhuesit gjermanë të makinave, si dhe ata të markave luksoze italiane dhe franceze, që tashmë eksportojnë në Kinë, panë që aksionet e tyre të binin në mënyrë drastike.

Projekti i brezit dhe rrugës

Në fakt, luhatshmëria aktuale në tregjet e aksioneve kineze, po ndihmon në largimin e kapitaleve jashtë vendit. Investimet direkte jashtë vendit nga Pekini, kanë gjithnjë e më tepër në shënjestër vendet e prekura nga projekti gjigand. “Një brez një rrugë” (OBOR) është projekti më i madh diplomatik i Kinës ndër dekada. Ai kombinon një brez ekonomik, aty ku dikur shtrihej Rruga e Mëndafshit, dhe një rrugë tjetër detare të shekullit XXI-të, që do të lidhë Kinën me Evropën, përmes Azisë Juglindore, Qëndrore dhe Lindjes së Mesme, duke mbuluar 55 përqind të PBB-së botërore, 70 përqind të popullsisë globale, dhe 75 për qind e rezervave të njohura të energjisë.

Një studim nga “Grisons Peak”, një institucion financiar në Londër, botuar në muajin qershor tregonte se shumica e 67 projekteve të financiuara nga 2 bankat kryesore kineze – Banka për Zhvillim e Kinës dhe Banka Eksport-Import e Kinës – kanë qenë mbi zonat e interesuara që prekin projektin e madh OBOR, që nisi të zbatohet në fund të vitit 2013.

Kreditë për projektet e infrastrukturës, ndihmojnë në përmirësimin e ekonomisë kineze, pikërisht në periudhën e ristrukturimit të brendshëm të sektorëve të ndryshëm – duke përfshirë industritë e rënda të përfshira në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e transportit dhe infrastrukturës energjetike, por edhe mallrave të konsumit.

Financimi mbi tregtinë, shërben për të ruajtur tregjet ekzistuese, si edhe gjetur tregje të reja për produktet kineze. Qëllimi i deklaruar i këtij projekti madhështor, është shtimi i lidhjeve dhe tregtisë midis Kinës dhe 65 vendeve. Angazhimi financiar i Kinës, ka gjasa të arrijë deri në 300 miliardë dollarë kredi për infrastrukturën dhe financimin e tregtisë në vitet e ardhshme – pa llogaritur fondet e dhëna nga investitorët dhe huadhënësit privatë.

Kjo shumë përfshin një kontribut nga Kina prej 40 miliardë dollarësh për “Fondin e Rrugës së Mëndafshit” për zhvillimet infrastrukturore. Të ndodhura në  pikën fundore të projektit, vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, Ballkani dhe portet greke të jenë deri tani përfituesit kryesorë të këtyre fondeve.

Kur kryeministri kinëz Li Keqiang, mori pjesë në takimin e tretë me krerët e 16 vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore mbajtur në Beograd në dhjetor të vitit 2104, ai theksoi rolin që këto vende do të luajë në projektin e “Silk Road”, duke u zotuar të injektojë më shumë investime në infrastrukturës dhe në lidhjet tokësore dhe detare ndërmjet Kinës dhe rajonit.

Kjo i shtohet 69 projekteve ekzistuese mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të zbatuara pas takimit të dytë në Rumani, në nëntor 2013. Projekti “Flagship” është një rrugë tokësore dhe detare që do të lidhë portin e Pireut – një nga portet më të mëdha në Evropë dhe për të cilin anijet gjigande kineze “Cosco” kanë një koncesion 35-vjeçar – me të paktën 6-8 vende të Europës Qendrore dhe Lindore, duke e shndërruar Pireun në një qendër kineze të tregtisë me Evropën.

Projekti 2.5 miliardë dollarësh, financohet me kreditë e buta nga Banka kineze e Eksport-Importit, dhe do të ndërtohet nga Koporata Shtetërore Kineze e Ndërtimit të Hekurudhave. Puna pritet të fillojë në fund të këtij viti. Në qershor, Hungaria u bë anëtarja e parë e BE-së që nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Kinën, për integrimin e nismës së ‘Brezit dhe Rrugës’ me iniciativat e Budapestit për ‘Hapjen ndaj lindjes dhe ‘Hapjen ndaj jugut’.

Polonia konsiderohet gjithashtu një vend shumë i rëndësishëm për projektin kinez. Janë hartuar plane për ndërtimin e një hekurudhë, që lidh provincën kineze të Siçuanit me qytetin polak të Lodzit, si dhe për modernizimin e disa porteve polake si Gdansku – të gjitha të financuara nga kreditë e buta nga Kina. Anëtarët e tjerë të BE-së, kanë integruar projektin OBOR me strategjitë e tyre të investimit, ose janë në proces e sipër. Për shembull, në qershor Kina dhe Franca nënshkruan një marrëveshje për prioritizimin e bashkëpunimit në tregjet e palëve të treta, duke përfshirë edhe ndërmarrje të përbashkëta dhe financime projektesh.

Duke u fokusuar në projektet e infrastrukturës, Kina kërkon të ndërtojë lidhje më të mirë si dhe të përfitojë ndikim politik në fushat e interesuara projekti OBOR. Nga një perspektivë gjeostrategjike, ky projekt përbën reagimin e Kinës ndaj ndikimit të SHBA-së Azi. Ribalancimi i Uashingtonit ndaj rajonit të Azi-Paqësorit, përfshin një komponent të rëndësishëm ushtarak, që synon qartazi përmbajtjen e hegjemonisë së Kinës.

Përkundrazi, nisma e Pekinit bazohet tek përdorimi i fuqisë financiare, duke u fokusuar në truallin Euroazitik, si dhe në rrugën detare Oqeani Indian-Mesdhe- BE – tregu më i rëndësishëm i Kinës, por ndërkohë edhe një partner potencial për kundërvënien ndaj epërsisë së Shteteve të Bashkuara. Kjo pra përfaqëson një mundësi e madhe për kontinentin e vjetër, për të përftuar kapitale financiare nga Pekini dhe njëherazi avantazh politik mbi Uashingtonin.

Mundësi dhe gracka

Në samitin e fundit BE-Kinë në 29 qershor të këtij viti, kreu i KE Zhan Klod Junker bëri thirrje për krijimin e një sinergjie ndërmjet Fondit të tij Evropian për investime Strategjike, dhe nismës së Kinës ”Një brez dhe një rrugë’. Kryeministri Li Keqiang iu përgjigj Junkerit, duke marrë një angazhim për investime miliarda dollarëshë tek fondi evropian, megjithëse asnjë shumë e saktë nuk është zbuluar deri tani.

Me një shumë totale prej 315 miliardë eurosh, plani Junker ka për qëllim rimëkëbjen ekonomike të eurozonës dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga risitë për kërkimin shkencor, arsimin dhe infrastrukturën e transportit.

Politikëbërësit në Bruksel, po identifikojnë mekanizmat e duhur të bashkëpunimit me projektin kinez dhe fondit Junker. Idetë e paraqitura deri më tani, përfshijnë krijimin e një fondi të investimit të përbashkët Kinë-BE, kontraktimet e përbashkëta dhe bashkë-financimin. Projektet e infrastrukturës në Evropën Lindore dhe Ballkan, ka të ngjarë të bëhen shembujt e parë konkretë të kësaj lidhje të zgjeruar sino-evropiane.

Megjithatë, kritikët në Evropë thonë se kjo mungesë transparence, mund të kërcënojnë konkurrencën e kompanive evropiane. Të gjitha qeveritë europiane, janë të etura për të tërhequr investimet kineze. Në tetor të vitit 2013, Banka Popullore e Kinës dhe Banka Qëndrore Evropiane, nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për shkëmbimin e monedhës për një shumë prej 45 miliardë eurosh, më e madhja e nënshkruar nga Pekini jashtë rajonit.

Në nëntor të vitit 2014, Banka Qëndrore Evropiane vendosi të futë edhe renminbin për rezervat e saj valutore. Të gjitha bankat qëndrore evropiane kanë shtuar tashmë – ose po e konsiderojnë këtë vendim – monedhën kineze në portofolin e tyre, shpeshherë në kurriz të dollarit. Në tetor të vitit 2014, Britania rriti në 3 miliardë renminbi rezervat e saj valutore në monedhën kineze, në vend të konvertimit të tyre në dollarë.

Ndërkohë, edhe numri i bankave që përdorin renminbin si monedhë kryesore, është në rritje të shpejtë. Banka Popullore e Kinës ka caktuar disa ‘shpërndarës të renminbit’ në Evropë, duke përfshirë Londrën, Frankfurtin, Parisin, Luksemburgun, Zyrihun dhe Pragën.

Rritja e lidhjeve monetare sino-evropiane, shpjegon vendimin e Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe iu bashkuar Bankës Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve (AIIB) të udhëhequr nga Kina, dhe që shihet si një rivale e mundshme e Bankës Botërore.

Balancë mes Pekinit dhe Uashingtonit

Duke iu bashkuar AIIB, katër ekonomitë më të mëdha të Evropës kanë dërguar një mesazh të fortë politik ndaj Pekinit dhe irrituar Uashingtonin. Një çarje e ngjashme në marrëdhëniet transatlantike mbi Kinën, është parë së fundmi në vitin 2003, kur krijimi i një partneriteti të plotë strategjik mes Brukselit dhe Pekinit – së bashku me propozimin shoqërues nga vendet e mëdha të BE, për të çcelur diskutimin mbi heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës – tendosi ndjeshëm raportet me Uashingtonin.

Kundërshtimi nga ana e SHBA-së dhe aleatëve të saj aziatike, arriti në fund të bindë qeveritë e BE-së të hiqnin dorë nga çështja embargos së armëve, çka e la Pekinin zemërthyer. Sot është marrëdhënia më e ngushta sino-evropiane në fushat financiare dhe monetare, ajo që tërheq vëmendjen dhe shqetëson SHBA-në.

Euro shihet në Pekin si një kundërpeshë ndaj dollarit, por edhe një instrument për krijimin e një sistemi shumëpolar të monedhave, në të cilin renminbi do të ketë vendin e saj. Për rrjedhojë, Kina ka hequr dorë nga dollari, ndërsa aktivet në euro tani përfaqësojnë më shumë se një të tretën e rezervave valutore të Kinës. Vizita shtetërore e Xi Jinping në Britani, do të fokusohet në çështjet ekonomike.

Londra është bërë një vend tërheqës për investimet kineze. Pekini është zotuar të investojë 105 miliardë paund në infrastrukturën britanike deri në vitin 2025, konkretisht në energjitikë, prona dhe të transport. Ndoshta Dejvid Kameron do të përforcojë mesazhin e presidentit Xi, se një mjedis më miqësor ndaj investimeve e bën Mbretërinë e Bashkuar, dhe më në përgjithësi Evropën, një destinacion të leverdisshëm për kapitalin kinez. Dhe kryeministri britanik nuk do të harrojë se Siti i Londrës, është në garë për t’u bërë shtëpia më e rëndësishme në botë, për tregtimin e renminbit jashtë Kinës kontinentale.

Vizita e Xi-së do të vëzhgohet nga afër nga Uashingtoni dhe partnerët e tjerë të Britanisë të BE-së, për të parë nëse Londra mund të arrijë një ekuilibër, ndërmjet lidhjes së saj historike transatlantike dhe  përqëndimit të Kinës në Evropë.

Mund të ketë një çmim për t’u paguar ndaj lidhjes më të fortë sino-evropiane. Le të shpresojmë se megjithatë, se kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga normat dhe praktikat, mbi të cilat Evropa është mbështetur prej një kohe të gjatë.

Shënim: Nicola Casarini është bashkëpunëtor për Azinë në “Institutin për Çështjet Ndërkombëtare” në në Romë si dhe në Qendrën Uilson në Uashington.

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button