Analiza

Putin do të krijojë versionin e vet të Euros

Nga Bob Garver

Screen Shot 2015-03-23 at 19.25.27

Nga Bob Garver

Presidenti rus Vladimir Putin po u jep duart miqve në Evropë dhe Azinë Perëndimore, dhe thjesht dëshiron të mbajë ata që i mbeten pranë. Të premten e shkuar, ai propozoi që Rusia, Kazakistani e Bjellorusia të themelojnë një monedhë të përbashkët, pak e shumë të ngjashme me euron në Bashkimin Evropian, përmes së cilës 3 kombet do të mund të përdorin një kurs mesatar e të përbashkët të këmbimit.

Putini u takua të premten me presidentin bjellorus Alekander Llukashenko dhe atë kazak Nursultan Nazarbajev. Pas takimit, ai u tha gazetarëve se “ka ardhur koha të fillojmë të mendojnë për formimin e një monedhe të përbashkët”. Llukashenko dhe Nazarbajevi nuk e komentuan këtë propozim, por duket e sigurtë të thuhet se ata mendojnë se ky është një hap pozitiv. Përfitimet e një monedhe të përbashkët do të përfshijnë largimin e rrezikut të këmbimit valutor në tregtinë e konsiderueshme midis 3 vendeve, që në fillim të këtij viti formuan Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (pjesëmarrësit e tjerë janë Armenia dhe mesa duket, edhe Kirgiztani). Ky bashkim, një lloj varianti në

miniaturë i BE-së, heq shumë kufizime në tregtinë ndërkufitare dhe lejon udhëtimin e lirë ndër-kufitar për qytetarët e shteteve anëtare.
Eliminimi i rrezikut të këmbimit nuk është çështje aq e vogël, në kushtet kur rubla ruse ka humbur rreth 40 përqind të vlerës së saj, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, që lidhen me pushtimin rus të gadishullit të Krimesë ukrainase, dhe mbështetjen që Moska u jep rebelëve në Ukrainën Lindore. Për të parë rreziqet e mundshme të një bashkimi të tillë, sidomos ku një partner është dominant, presidentët e Bjellorusisë dhe Kazakistanit duhet vetëm të shohin në jugperëndim, se çfarë po ndodh aktualisht në Greqi.

Ekonomia greke nuk ishte në formë kur Reçesioni i Madh e goditi, duke e gjymtuar vendin e zhytur thellë në borxhe. Ajo nuk zbatoi kurrë një sistem rigoroz të mbledhjes së taksave dhe nismat për nxitjen e rritjes ekonomike, që mund të kishin imunizuar vendin nga rrënimit. Sot, Greqia është duke luftuar ende për t’u rikëmëkëmbur. Nga ana tjetër, Gjermania, është e disiplinuar në të gjitha parametrat dhe është ekonomia dominante në Eurozonë. Ajo ka kundërshtuar gjatë masat që mund të zbusnin dhimbjen e fqinjëve të saj më të dobët, duke përfshirë uljen e normave të interesit, sikurse Rezerva Federale e SHBA e bëri me sukses të konsiderueshëm.

Nuk ka asnjë dyshim se kush do të jetë partneri dominues në një marrëveshje të tillë. Edhe nëse merren parasysh kohët e vështira ekonomike me të cilat përballet Rusia, PBB 3.600 miliardë dollarëshe në vitin 2014, ishte më shumë se 6 herë me e madhe se të dyja ekonomitë e marra së bashku të Kazakistanit (420 miliardë dollarë) dhe Bjellorusisë (176.9 miliardë dollarë). Për momentin, është e paqartë nëse Putini po propozon krijimin e një monedhe tërësisht të re, apo po sugjeron që vendet e tjera të Bashimit Ekonomik Euroaziatik, thjesht të pranojnë rublën ruse. Ky akt, duke bashkuar një grup ish-republikash Socialiste Sovjetike përsëri nën rublën, do të jetë jashtëzakonisht simbolik.

Megjithatë, Putini ka të ngjarë të detyrohet të heqë dorë nga kontrolli i Bankës Qëndrore ruse mbi politikën monetare, në mënyrë që të bindë partnerët e tij për këtë propozim. Rusia nuk ka treguar ndërkaq asnjë brejtje ndërgjegjeje rreth presioneve të hapura ndaj partnerëve të saj. Ajo ndaloi importet e ushqimeve nga Bjellorusia, për një farë kohe vitin e shkuar, duke nxitur kësisoj një luftë tregtare. Arsyeja e këtij ndalimi ishte besimi i Moskës se eksportuesit bjellorusë ri-shisnin produktet ushqimore evropiane, për të cilat Rusia kishte vendosur embargo.

Megjithatë, para se ndonjë nga partnerët e Putinit të fillojnë të shqetësohen mbi detajet e politikës monetare dhe të tregtisë, ata me gjasë do duan të mendojnë

seriozisht për mençurinë e hapit të tyre për thellimin e lidhjeve ekonomike me Putinin. Lidhja e monedhës së tyre me regjimin monetar rus, që nga ana e tij ka treguar pak shqetësim për shndërrimin e vetes në një shtet ndërkombëtar të syrgjynosur, subjekt i sanksioneve me efekte të mëdha negative, mund të ishte një gabim fatal./ “The Fiscal Times”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button